Vlora, brenda një kronike të dhimbshme dimri!

576
Sigal

Besnik Velaj

Po ta vështrosh Vlorën nga tri pikat më dominante të saj: Maja e Shashicës, ishulli i Sazanit dhe Qafa e Ullinjve mbi Pusin e Mezinit, qyteti bregdetar ka pamjen e një gjysmë rrethi apo raportori. Harku i madh nëntëdhjetë gradësh është fundi i kodrave me gjelbërim të përjetshëm nga Jonufri, vazhdon nën këmbët e Kështjellës së Kaninës dhe përfundon nga Pusi i Mezinit deri në Nartë. Iku e mërgoi bukuria e dikurshme, bukuria klasike natyrore-bukuria e paqethur, ndërthurur mes gjelbërimit harmonik të portokalleve-limonave-kurorave me ullinj dhe brezit të shkurreve me kate nga lartësia e detit e deri në 700 metra lartësi.

Qytetit bregdetar i mungojnë tetë plazhet, që kanë dalë jashtë përdorimit, nga derdhja e Vjosës e deri në Orikum, nga grabitja e 2 milionë metra katror tokë turistike. Me përjashtim të një pjese të Plazhit të Vjetër, një pjese të Plazhit të Ri ku është ndërtuar Lungomarja e çmuar, plazhet kanë dalë jashtë përdorimit edhe për faktin se në detin me bukuri të dikurshme derdhen në këtë vijë bregdetare tridhjetë kanale të ujrave të zeza.

Por plazhet kanë dalë jashtë përdorimit edhe sepse dy zonat më nervalgjike të qendrës së saj, ku pushojnë qytetarët vlonjatë janë të ndotura nga mbeturinat industriale të ish-trios industriale Sodë-PVC-Uzina Mekanike-Fabrika e Llampave. Uji amoniakal dhe zhiva kanë depërtuar dy metra thellësi të tokës, bashkë me mbeturinat e naftës që ngelen nga ngarkimi i çisternave me naftë në molin e ri aty afër. Të sëmurët e importuar nga diktatura dhe të rinjtë që vuajnë nga sëmundjet profesionale janë me qindra.

Spitali i Vlorës, i madh nga jehona e traditës, por i vogël nga ana profesionale e shërbimit të mjekëve, e ka mbyllur pavionin e sëmundjeve profesionale dhe njërëzit me sëmundje profesionale vdesin ngadalë për çdo ditë se s’kanë para për ilaçe. Disa s’kanë bukë për të ngrënë. Parakët e Shëndetësisë shquhen për 30 vjet për këtë “hata”, disa të tjerë shquhen për “hatanë” tjetër, atë të mbylljes së shërbimit ambulator në Poliambulancën e Vlorës (e kanë trasferuar nga qëndra dhe konstruktimi i saj “vazhdon mor vazhdon”), ama shquhen dhe si bizesmenë, duke lënë një shëmbull për gines-duke rikonstruktuar çmendinën e Elbasanit. Ata, ato për 30 vjet bashkë me Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe udhëheqësit kusarë të naftënxjerrjes në Gorrisht-Amonicë-Kocul, janë fajtorë edhe për 500 punëtorët e sëmurë me sëmundje profesionale, që nuk i kurojnë.

Po ta vështrosh më tutje, me sytë e shpirtit, qytetin bregdetar, do të dallosh se mbi të enden re tymi nga makinat. Ky tym i automjeteve i bashkuar me tymin e mbeturinave që digjen në ish-fushën e aviacionit, kthehen në smog, si një sorrë e zezë, pushton qytetin dhe sëmur qytetarët. Më poshtë, në vijën bregdetare, Vlora ngjan me një ish-qytet, ku mbi 4000 ndërtime pa leje, që s’do të përfundojnë kurrë, i japin emrin e kantierit të shpartalluar të ndërtimeve.

Kodrat e magjishme të Vlorës janë rruar “zero” nga sopata dhe zjarri, duke prerë dhe djegur mbi 500.000 rrënjë ullinj dhe mbi tre milionë drurë halorë elitarë deri në buzë të detit. Tridhjetë % e vlonjatëve për 30 vjet e blejnë bukën me listë. Në të gjitha njësitë tregtare mund të konstatosh fletore shkrimi, ku shënohen të gjithë personat që blejnë me të shënuar emrin. Familjet që nuk kanë lekë dhe shënojnë emrin në lista sa vijnë dhe shtohen. Janë lekë të papërballueshme (detyrimet) që qytetarët e varfër u kanë njësive tregëtare.

Pronarët janë jo-optimistë, nëse do t’u kthehen lekët ndonjëherë. Listat janë një dëshmi 30-vjeçare e varfërisë që ka Vlora. Të shënuarit në lista janë: punëtorë pa punë, pensionistë, të sëmurë deri edhe mësues, ish-ushtarakë etj. Të “abonuarit” marrin me lista si para viteve 1990, për 50 vjet; bukë, kos të holluar, gjizë, domate, lakra. Kemi shpresën: Vlora po ndryshon për mirë po sot, me ndërhyrjet në infrastrukturë rrugore, shërbimet publike, furnizimet ushqimore, hipotekimet dhe marrjen e certifikatave të pronësisë, pagimit të tatimeve, qetësisë publike, reformës në drejtësi etj., …por nuk duhet harruar se në qytetin bregdetar ka shumë “VIP-a” që shënojnë emrin në lista nga varfëria, varfëria që ka përfshirë “qitetin”.

Përballë këtij realiteti, si për ironi, dëgjon shpesh nga deputetët pleq 30-vjeçarë të demokracisë, si dhe pushtetarëve lokalë “të pa harrur si bimë që s’bëjnë kokrra për 30 vjet”, se Vlora po ndërtohet me pallate shumëkatëshe. Është i njohur fakti se të kujt janë këta gërvishtës të qiellit. A nuk është kjo në kontrast me pjesën më të madhe të qytetarve, që vuajnë për t’u ushqyer me bukën e gojës? Nëse vazhdon kështu në Vlorë do të vijë kriza e bukës dhe vlonjatët do t’i rrëmbejnë bukën nga dora njeri-tjetrit. Faj për këtë kanë qeveritë, klasa politike, që për 30 vjet, tollonat e dikurshme i ka zëvendësuar me listat e të uriturve dhe, kjo krizë është më e hidhur se çdo krizë tjetër.