Vlonjatët sfidojnë shurdhërinë e Qeverisë, investim vetjak për ngjarjen e madhe të Kombit

76

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, “Mjeshtër i Madh”, Prof. Bardhosh Gaçe: “Vlora mbushet me “Ismail Qemali”

Komuniteti, individë të veçantë, pasardhës të familjeve patriote, investojnë nga të ardhurat e tyre, për të përkujtuar ngjarjen e madhe për Kombin. Për Vlorën dhe vlonjatët, startimi i vjeshtës është një angazhim e punë e gjithanshme, për të kontribuar sadopak, për të festuar madhërishëm 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Shumë qytetarë, intelektualë, pasardhës të familjeve patriote, duke lënë mënjanë e shpërfilluar qëndrimin e Qeverisë që nuk po akordon fonde qytetit “Hero”, duke mbyllur veshët për të mos dëgjuar ankesat e pushtetit vendor “se nuk kemi fonde”, “nuk na dha qeveria fonde”, kanë nisur punë të mëdha, në shumë fusha, për të pritur ashtu si e meriton Vlora 28 nëntorin e 100-të të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Lidhur më këtë problem, ka dhënë këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”. “Ashtu si gjatë gjithë historisë dhe ekzistencës së Vlorës edhe për këtë ngjarje të madhe, vlonjatët kanë menduar në mënyrën e tyre për të dhënë kontributin sado modest, për t’i dhënë një pamje festive, qytetit, fshatit dhe vëmendja kryesore është përqendruar në bërjen e monumenteve, vendosjen e pllakave përkujtimore, që evokojnë përpjekjet e Ismail Qemalit, për të mbërritur deri në ditën e 28 nëntorit të vitit 1912. Krijuesit kanë filluar prej kohësh punën, janë në përfundim të veprave të tyre, pa menduar se shpenzimet do t’i kryejë bashkia apo ca më tepër Qeveria”, tha Prof. Gaçe.

Të ndalemi më konkretisht Prof. Gaçe?

Dy Kuvendet që ka bërë Ismail Qemali në Mesaplik në vitet 1908, 1912-ën, janë organizuar të gjithë intelektualët e kësaj krahine dhe këto ngjarje, që pasojnë një tjetër ngjarje të madhe, Kuvendin e Zenel Gjoleks më 1847-ën, po ndërtojnë një monument, për t’i përkujtuar këto ngjarje historike, sigurisht, duke pasur në epiqendër figurën e Ismail Qemalit. Tek Rrepet, që janë shpallur Monument Kulture nga Ministria e Kulturës, do të ngrihet madhërishëm Monumenti i bronztë i Ismail Qemalit. Buste dhe pllaka përkujtimore do të ngrihen për gjatë Lumit të Vlorës, ku Plaku i Pavarësisë ka qëndruar e biseduar me lebërit, për bashkim, për të ardhur deri në ditën e madhe të Shpalljes së Pavarësisë. Kudo ka shkelur themeluesi i shtetit, po vihet një shenjë, një memorial, një gur i shkruar, një pllakë, bëhet një bisedë.

Mund të veçojmë  gjë tjetër në Lumin e Vlorës?

Duhet t’ju them se në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, është dokumenti, ku thuhet se: Ismail Qemal Bej Vlora mbërriti në qytetin e Vlorës dhe pasi është njohur me gjendjen, bashkë me një grup trimash, është nisur drejt fshatrave të Lumit të Vlorës. Burrat më të zot të krahinës, si: Laze Malo, Pasho e Murat Ramadani, Jaho Gjoliku etj., pasi i kanë uruar mirëseardhjen, i kanë afruar atij mbështetjen e plotë, për krijimin e shtetit shqiptar. Pra, këto gjurmë po gjallërohen, deri edhe në bisedat e leksionet që po përgatiten. Unë mund të përmend Goricën 300-vjeçare, ku ka qëndruar themeluesi i shtetit. Kjo ngjarje e madhe, me vlera të jashtëzakonshme historike, kujtohet nga pasardhësit e patriotëve, vëllezërve Pasho e Murat Ramadani, që e ruajnë si gjënë më të shtrenjtë këtë pemë, që i bëri hije Ismail Qemalit, në bisedën që bëri në vitin 1908. Aty është vendosur një pllakë përkujtimore, ku bëhen biseda dhe përcillet heroika në breza. Gjithashtu, shtëpia e patriotëve Ramadani, po shndërrohet në një muze të vërtetë, pasi aty ka qëndruar Ismail Qemali. Si në shumë vende të tjera edhe në shtëpinë e Ramadanëve, ku Ismail Bej, ka qëndruar tre ditë e tre net, duke bërë konsulta me fshatarët më në zë të Krahinës, duke pasur si kryefjalë të bisedave Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Kështu mund të radhisësh shumë fakte, gjurmë, që tregojnë aktivitetin e Ismail Qemalit, që janë ruajtur me shumë kujdes nga pasardhësit e këtyre familjeve patriote dhe që po “gjallërohen”, po nga ata, për t’i dhënë madhështinë 28 nëntorit të sivjetëm, që përben ngjarjen më të rëndësishme për Kombin. Janë patriotët e Lumit të Vlorës që e siguruan dhe e përcollën Ismail Qemalin me një varkë në Himarë për të kaluar detin.

Ka ndonjë gjurmë të këtij momenti?

E njeh historia, ka fate në Muze, por në prag të festës, tek shtëpia e patriotit Cidhe Burba, do të vendoset një pllakë përkujtimore. Në atë shtëpi, që shkoi me besimin e Pasho Ramadanit, që e kish mik të besuar, u bë biseda me patriotë të Himarës, që i premtuan mbështetjen e plotë Ismail Qemalit, për lëvizje kombëtare. Të nesërmen në mëngjes Ismail Qemali, i hipi varkës që u drejtua nga detarët më të mirë të besuar dhe shkoi në Korfuz shëndoshë e mirë. Kjo pllakë do të përurohet në prag të festës.

Ju jeni kryetari i shoqatës “Ismail Qemali”. Çfarë keni menduar të bëni diçka nga ana juaj?

Po mendojmë për të organizuar ligjëratat për të mbajtur një sesion shkencor, kushtuar këtij eventi të rëndësishëm, deri edhe në prodhimin e pankartave, flamujve, portreteve të Ismail Qemalit.

Sipas jush, gjithçka po e bëjnë intelektualët, pasardhësit e familjeve patriote, jeni në dijeni për ndonjë plan që ka bashkia e qytetit?

Di që është ngritur një Komision i posaçëm për këtë problem, por nuk di detaje, ndoshta vëmendja e bashkisë do të përqendrohet në infrastrukturë, për të përfunduar rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit, përfundimin e shëtitores buzë detit, lyerjen e pallateve për të krijuar një pamje tjetër qytetit. E rëndësishme, madje do ta konsiderojë gjënë më të rëndësishme, që për të pritur 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë është angazhuar komuniteti, duke shpenzuar të ardhurat e veta, që padyshim e ndjen si një detyrim moral ndaj qytetit të tyre, ku u themelua shteti shqiptar. Më shumë se sa vlonjatët, askush tjetër nuk e ndjen gëzimin dhe përgjegjësinë për festën, sido që i përket Kombit.

___________________________________________________________

LËVIZJET QË PO BËHEN NË QYTETIN E VLORËS

Si kurrë ndonjëherë, ka një angazhim të intelektualëve, krijuesve deri edhe qytetarët e thjeshtë mendojnë se çfarë mund ‘t’i dhurojnë” 100 vjetorit të Pavarësisë. Kështu skulptori Zeqir Alizoti, ka dërguar për ta derdhur në Bronz bustin e Ismail Qemalit, ndërsa në repartin e qeramikës , ai ka derdhur shumë objekte, që kanë simbolin e 100 vjetorit. Interesant është ekspozita që do të çelë arkitekti Piro Stefa me mbi 400 foto, ku pasqyrohet Vlora 2500-vjeçare, është gjë e rrallë, janë dokumente që nuk i ka asnjë muze në Shqipëri. Do të botohen albume me foto për aktivitetin e Ismail Qemalit dhe burrave të Kombit, që e mbështetën atë, për të kurorëzuar këtë ngjarje të madhe historike.