Vladimir MICI/ Korrupsionin në Albpetrol zbulon vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit

524
Sigal

Në Shqipëri nuk ka koncesione, as marrëveshje të shërbimit të riskut,  por Kontrata me ndarje prodhimi

*Master për Financë

 Debati publik

Ka një debat publik për industrinë e naftës. Arsyeja është e thjeshtë. Në koncesionet e naftës dhe të gazit publiku është mjaft i ndjeshëm, pasi  është një nga asetet, që ka ndikuar më shumë në ngritjen e objekteve më të mëdha industriale dhe energjetike në vend dhe  ka përbërë  shtysën më të madhe të zhvillimit ekonomik në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Zgjimi i këtij  debati është i lidhur me tranzicionin e vështirë, që Shqipëria po kalon  dhe një perceptimi jo real dhe të drejtë të këtij sektori sot. Kërkohet, që edhe ky sektor të jetë pararoje e zhvillimit edhe të këtij shekulli në gjysmën e parë të tij.

Së pari, në literaturën e  industrisë së hidrokarbureve  termi i sakte i përket jo  kontratave  konçesionare, por kontratave me ndarje prodhimi(KNP)  ose marrëveshje të shërbimit të riskut si një  nënndarje e KNP-ve.

Dallimi midis koncesionit dhe kontratave me ndarje prodhimi është fakti, që në rastin e parë pronar i rezervave gjeologjike është koncesionari, ndërsa në rastin e dytë  ai është përdorues i tyre. Në përfundim të koncesionit rezervat e mbetura, nëse ka  përbëjnë një të ardhur të koncesionarit, nëse në kontratë nuk parashikohet ndryshe.

Dallimi i marrëveshjeve të shërbimit të riskut janë kontrata, ku kontraktori merr për shërbimin e kryer, nëse ky shërbim është i suksesshëm, paratë e investuara dhe një kuotë fitimi e caktuar në kontratë në formë monetare. Ai humbet paratë e investuara nga ai në fillim, nëse objekti i kërkimit është i pasuksesshëm.

Pra në Shqipëri nuk ka koncesione, as marrëveshje të shërbimit të riskut, por Kontrata me ndarje prodhimi, pasi shteti nuk e ka humbur pronësinë  mbi rezervat. Ai i ka dhënë ato në përdorim. Kjo në këmbim të futjes së investimeve të huaja dhe teknologjisë së re dhe injektimit të parasë së huaj. Kjo do të thotë, që nëse në përfundim të marrëveshjes, ai, n.q.s nuk ika nxjerrë  të gjitha rezervat e nxjerrshme, të gjitha investimet kapitale  të tij i kalojnë pa shpërblim shtetit. Madje, ka për detyrë, që edhe fondin për rehabilitimin e mjedisit, i grumbulluar në formën e  një amortizimi ta derdhi në shtet, nëse pas kontratës prodhimi vijon nga një operator tjetër.

Së dyti. Karakteristika e dytë është, që në këto marrëveshje, vetë termi me ndarje prodhimi nënkupton, që nuk kemi ndarje monetare, por një ndarje të prodhimit në natyrë. Sasia që merr kontraktori  quhet sasi e titulluar dhe përmban brenda (naftën e kostos dhe fitimin e firmës).

Së treti. Debati që zien mediatikisht i referohet pronave shtetërore, ku është zbuluar dhe nxirret naftë apo gaz dhe që administrohen nga Shoqëria Albpetrol. Ndërkohë, që në praktikën viteve post komuniste ka një aktivitet edhe në zonat, ku nuk është zbuluar naftë dhe ky aktivitet ka mbuluar tërë territorin shqiptar.

Ajo që vihet re është se debati për këto të dytat mungon. Kjo sepse të gjitha qeveritë e deritanishme nuk kanë qenë dhe nuk janë transparente me publikun. Nga viti 1991 e prapa në Shqipëri  kanë ardhur me dhjetëra kompani të huaja  gjigante dhe  anonime, të cilat  kanë marrë blloqe kërkimi, kanë kryer punime  dhe janë  larguar. Fakti që janë larguar pa zbuluar naftë apo gaz  në rrjedhje industriale nuk e largon përgjegjësinë e shtetit. Ai përbën një problem më vete, që  nuk është objekt i këtij artikulli. Ashtu sikurse ka ende kompani që kërkojnë në det apo në tokë. Ajo që përben zemrën e këtyre debateve është  pikërisht prona e administrueshme nga Albpetrol-i, pasuri e zbuluar nga shqiptarët gjatë viteve ‘50-‘90  të shekullit të kaluar dhe, që është pasuri publike dhe që ka një vlerë monetare me miliarda euro.

Po pse pikërisht ajo?

1-Nëse do t’i referoheshim, së pari emrave të  kompanive vëmë re, se kompanitë me  emër dhe me qendra në  kryeqytetet   apo qytetet  e mëdhenj  janë kompani internacionale që kërkojnë  vendburime të reja të mëdha. Kjo e bën që kompani si OXY, Shevron, AGIP, Hamilton, Deminex të jenë  orientuara nga vb e rinj. Ndërsa po t’i referohemi  kompanive që operojnë në zonat e Albpetrol-it  janë kompani të krijuara në zonat ofshore, ku  ruhet anonimati i financuesve. Kompanitë janë të reja  dhe të vogla dhe një zgjidhje “Shqiptarçe”. Kjo sepse në tregun e hidrokarbureve operojnë në upstream vetëm dy lloje kompanish Kompani shtetërore dhe kompani multinacionale.

Kompanitë e afruara në Albpetrol janë kompani private jomultinacionale.

Kështu kompania “Bankers”, që është edhe më e madhja  në Shqipëri, që operacioni i saj kryesor është Shqipëria, ku janë edhe të ardhurat e saj, ndërkohë që, sipas raporteve të tyre, asnjë e ardhur tjetër nuk vjen nga asnjë vend tjetër i Globit. Ndonëse në sit-et, zyrtare kanë shpallur blloqe kërkimi në SHBA, kanë shprehur interes në RUSI etj.,  etj.. Më keq paraqitet situata me kompanitë e tjera.

Ky është një element kryesor për të vlerësuar forcën dhe kapacitetin e çdo kompanie. Këto kompani nuk mund të maten me gjigandët e kësaj industrie, sepse s’kanë as forcën, as teknologjinë dhe as mjetet financiare të këtyre gjigandëve dhe as nuk kanë mundësinë të konkurrojnë me to. (Madjem edhe huatë i kanë në Bankat, që operojnë në Shqipëri). Pra nëse themi, që këto kompani janë thirrur për të kontribuar në teknologjinë më moderne, rezultati flet për të kundërtën, sepse s’kanë mjete financiare për kërkimin e metodave dhe teknologjive më të reja.

2- Kostot e kërkimit  dhe kostot gjeologo-zbuluese në këto vendburime janë zero. Pra, investimi më riskoz dhe që përbën një peshë mjaft të rëndësishme të kostove është zero. Një pus shpimi i kompletuar kërkimi së bashku me punimet gjeologjike paraprake  plus punimet gjeologjike të thelluara  përfshirë edhe punimet e mbulimit me rrjetin sizmik 2D dhe 3D  kalojnë shifrën e 20 milionë eurove. N.q.s do të merrnim për referencë shkallën e riskut dhe në Shqipëri e vërtetuar në  punimet shqiptare rezulton se shkalla  normale e riskut mund të  ishte diku tek 340 milionë euro. Ndërkohë  që,  bonusi i tyre ka qenë qesharak.

Kjo është edhe arsyeja, që këto kompani nuk  qasen në zonat e kërkimit. Kompania STREAM Oil, që ka marrë vendburime e Delvinës për ta zhvilluar, deri tani nuk ka dhënë ndonjë shenjë se mund të  zhvilloje  atë  vendburim.

Kjo vërteton faktin e mundësive financiare të  kufizuara.

3-Kompanitë  kanë marrë në përdorim një ose disa vendburime në punë, pra që jepnin prodhim  dhe me rënie prodhimi 0.4% në vit, dhe  në kushtet e pengesave për t’u financuar  nga Albetrol. Duhej një privat pavarësisht emrit, që të kryheshin investimet elementare, siç janë pompat me burmë, aspak një teknologji e re. Nëse në kontratat e lidhura kjo kurbë rënie është e ndryshme, atëherë gjykimi lë vend për analiza të thelluara, duke i hapur rrugë prokurorisë. Sidoqoftë duhet, që në legjislacionin shqiptar të kishte një pikë për njerëzit ekspertë të lidhur me përpunimin, negocimin, paraqitjen e transmetimin e të dhënave të cilësimit të tyre, në cilësinë, që ka një bankier titullar për një bankë. Pra, ekspertët duhet të jenë njerëz  me autoritet, serioz, me reputacion dhe të vërtetuar që s’janë të korruptueshëm. Kjo gjë mungon në  legjislacionin shqiptar.

4-Kontratat e lidhura janë zemra, se si një kompani private apo e huaj  operon dhe çdo kontratë ka mangësitë e veta apo shtigje, që çojnë herë një palë herë një tjetër në dështimin apo përfitimin më të madh. Ndryshimi i ligjeve dhe akteve nën ligjore kanë bërë që nafta e përpunuar në vend të jetë më e ulëta historikisht, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të  mallrave të konsumit të gjerë.

5- Rezervat e naftës apo gazit. Tendenca e qeverisë për t’i shtyrë edhe vendburimet  (VB) e fundit të Albpetrol-it ndaj privatit, tregon se qeveria e deritanishme shqiptare nuk do të merret më me administrimin e naftës dhe nuk e shikon si burim zhvillimi ekonomik strategjik dhe kombëtar. Vendburimet e cilësuara janë vendburime që nuk kanë rezerva nafte apo ato janë minimale  dhe ekonomikisht apo industrialisht të pamarrshme.

 Në këtë rast duhet të bëhet edhe një përgjithësim. Pasuria e Albpetrol-it nuk është vetëm ajo nëntokësore, por edhe ajo mbi tokësore. Kjo gjë nënkupton, që nga pusi, pajisjet e puseve, linjat, pajisjet, sistemet e stokazhit dhe manipulimit të naftës dhe gazit,impiantet e pastrimit, ndarjes  së naftës nga uji dhe mbeturinat mekanike, tankerat e depozitave të  naftës bruto të gatshme për shitje, magjistralet dhe linjat teknologjike, godinat dhe magazinat e sektorëve, truallin mbi të cilat janë vendosur këto pajisje, linjat elektrike dhe ato të ujit, kabinat elektrike, rrugët dhe sheshet e saj, sheshet e depozitimit të mbeturinave. Ky inventar gjigand të bën të pasur. P.sh vërtet që  Vendburimet e Finiqit s’ka  rezerva nafte të nxjerrshme, por ka puse, ka tubacione, ka ndërtesa e tankera nëntokësorë betonarmeje, ka tubacione magjistrale, truall etj.. Kush i administron ato?. Në VB Patos- Marinëz janë shkulur tubacione e magjistrale dhe zhdukur godina të tëra.

VB i Divjakës është shembulli si mundësi  stokimi të tepricave të gazit, që do të vij nga magjistrali i ri  TAP , që pritet të lidhë Azerbajxhanin me Europën dhe thjesht duke  ulur riskun nëpërmjet kontratave  “Take or Pay”.

Kalimi i këtij inventari vendburimesh nuk është çështje rezervash,  por çështje godinash, trojesh, vlerash materiale , një pjesë e mirë tashmë të vjedhura, që të fshihen nga inventari material i kësaj kompanie për të humbur gjurmët. Kjo pasi kompania që e merr VB, e merr megjithë asetet sipërfaqësore dhe pa asnjë inventar. Ajo thjeshtë e konsideron teknologji të vjetër edhe një godinë apo depo,apo truallin, ku janë ngritur këto impiante.

 

Rezervat e naftës kyçi për zhvillim

Kompanitë e huaja  që shfrytëzojnë rezervat ekzistuese e mbështesin  të ardhmen e tyre në  rritjen e naftë-gaz nxjerrjes nëpërmjet metodave kryesisht të dyta, pasi është vështirë në botë, në mos e pamundur, që Vb, që shfrytëzojnë rezervat primare të zbuluara të jepen me ndarje prodhimi.

Nën këtë aksiomë kanë ardhur edhe kompanitë, që kanë bërë MOP (Marrëveshje të operacioneve të përbashkëta) me Albpetrol-in.  Pra sensi i zhvillimit janë ose metodat e dyta ose kërkim i pastër i VB apo shtresave të reja naftë-gaznxjerrëse.

Nuk ka kompani nafte atje ku s’ka naftë. Kjo aksiomë është e qartë. Kompanitë që kanë marrë përsipër zhvillimin e VB të naftës  kanë tre objektiva:

  1. Të sigurojnë nga paratë e hedhura  fitim  mundësisht sa më lehtë, sa më shumë  dhe me sa më pak pengesa apo ferra ligjore nëpër këmbë. Kjo, duke e siguruar këtë nëpërmjet  një teknologjie të avancuar për rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave gjeologjike, duke kaluar nga përpunimi primar në atë sekondar. Në rrugën e tyre s’ka kompromis, madje, edhe kur flitet për paligjshmëri,  për sa kohë atyre u rrisin fitimin.(kujto shpërthimet në Zharrëz, zjarret dhe ndotjet mjedisore)
  2. Të sigurojnë që vlera e aksioneve të tyre të vije në rritje, në mënyrë, që ata të garantojnë  financimin e projekteve të tyre. Për pasojë edhe besimin.
  3. Duke ulur në  maksimum riskun e ekspozimit të  tyre operacional, që shoqërohet me dalje te mëdha fondesh financiare.

 Kjo realizohet:

Stadi i parë  i tyre është studimi i fizibilitetit. Në këtë stad shoqëria vendos të testojë ose jo. Nëse  testimi thotë po atëherë kalohet në stadin 2.

Stadi i dytë është stadi pilot. Në këtë stad kompania mbi bazën e studimit të fizibilitetit përcakton programin e testimit të VB, të teknologjisë  që duhet, paratë që duhen, mjetet që do të përdoren, objektivat që duhen arritur dhe të vlerësojë rezultatet. Mbi këtë bazë ajo paraqet ofertën e saj ndaj qeverisë. Qeveria merr programin e kompanisë dhe vlerëson rezultatet dhe objektivat dhe përcakton  kushtet e veta. Negociatorë të dy palëve zhvillojnë negociata derisa përcaktohen kushtet, ku  disa nga këto janë:

  1. Shkalla e naftës  së prodhuar që do të shërbejë për mbulim kostoje.
  2. Përqindja e kostove të zhvillimit që do të amortizohen çdo vit bazuar në një % ndaj totalit të naftës së prodhuar.
  3. % e kostove të kërkimit që do të amortizohen çdo vit  ndaj naftës së prodhuar.
  4. % e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative.
  5. Limiti i blerjeve pa tender, si dhe kompetencat për ushtrimin e këtij  funksioni.
  6. Vlerësimi i aseteve të palëve si pjesëmarrje në kosto, kur operatori përdor  mjete të tij apo të ortakëve.
  7. Përjashtimi apo vonimi në pagesën ndaj tatimeve për një periudhë kohe të caktuar.
  8. Sasia maksimale e titullimit etj., etj..

Të  gjitha këta faktorë  çojnë në një kërkesë rigoroze të ndjekjes dhe miratimit të çdo shpenzimi dhe domosdoshmërie operacioni. Kjo lind nevojën e negociatoreve dhe  stafit që përfaqëson shtetin dhe Kompaninë me integritet maksimal. Se si është ky staf i Albpetrol, mirë është t’i referoheni raportit të fundit të kontrollit të lartë të shtetit, i cili me keqardhje zbulon vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit.

Nesër do të lexoni:

Marrëveshja  MOP dhe të fshehtat e saj

–        Kush ka përgjegjësi për këto marrëveshjet me Albpetrol-in

– Cilat janë përgjegjësitë e qeverive në rastet e marrëveshjeve

– Vlerësimi i rezervave nuk bëhet sipas standardit shqiptar

– Brezi aktual shqiptar nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e brezit të ardhshëm