Vladimir Kumi/Kundërshtohet Reforma Territoriale, Lukova drejt referendumit popullor

637
Sigal

 

Flet Kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi: “Reforma u bë nga njerëzit që kanë pushtetin”

Komuna e Lukovës kundërshton Reformën Territoriale, të miratuar më 31 korrik nga Kuvendi i Shqipërisë. Komuniteti i kësaj komune shfaq hapur kundërshtitë e tij lidhur me modelin e paraqitur, tashmë të miratuar në Parlament. Këtë e bën të ditur kryetari i kësaj komune, Vladimir Kumi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”. Komuna e Lukova konsiderohet si një nga perlat e Shqipërisë së Jugut. Ajo është një nga komunat më të vjetra, që nga viti 1920. Ajo ka një vijë bregdetare prej 35 kilometrash.

  Zoti Kumi, tashmë jemi në kulmin e sezonit turistik veror. A janë përmbushur pritshmëritë tuaja?

– Komuna e Lukovës, duke qenë një vend me territor bregdetar ka ushtruar në gjithë këto vite turizmin detar, por nuk duhet të harrojmë se në komunën tonë ka edhe turizëm në vendet historike, kulturore, arkeologjike, pika natyrore, ka manastire dhe kisha të bukura, është kalaja e Borshit. Ne kemi një numër të konsiderueshëm biznesesh sezonale që shërbejnë për pushuesit. Gjithsesi, kemi edhe probleme si me rrugën e Bunecit që lë për të dëshiruar nga mosinvestimet vitet e fundit. Ndryshe ndodh me Borshin ku sivjet ka një investim të ri në rrugën përgjatë vijës bregdetare dhe lidhja e saj me rrugën nacionale, kjo në kuadër të përgatitjeve vjetore që komuna bën për sezonin turistik në lehtësimin e lëvizjes së pushuesve. Po kështu mund të them se kemi lidhur kontrata plazhi me subjekte të ndryshme na e gjithë Shqipëria që interesohen të bëjnë biznes në Komunën e Lukovës dhe shikojmë që shërbehet në mënyrë të kulturuar nga këto biznese, por gjithsesi deri tani vërej se nuk kemi një vit të kënaqshëm dhe kjo mendoj se vjen si pasojë e krizës ekonomike.

– Çfarë sipërfaqe zë komuna juaj, territor dhe vijë bregdetare dhe sa janë kapacitetet akomoduese?

– Komuna e Lukovës ka 35 kilometra vijë bregdetare, që nga Saranda e deri në Borsh, ndërsa kapacitetet akomoduese mund të përballojnë rreth 30 mijë pushues.

A është aplikuar në komunën e Lukovës turizmi familjar, pasi në shumë takime tuajat me të huaj ata e kanë pretenduar këtë?

– Hoteleria zë vendin e dytë për turizmin, për atë familjar ofrohet një shërbim dhe numër më i madh shtretërish, dhe shumë prej turistëve vendas dhe të huaj e pëlqejnë shumë këtë lloj shërbimi. Gjithashtu, ka edhe turizëm me kampingje dhe rulota që vijnë dhe frekuentojnë në territorin e komunës. Nga ana jonë ju shërbehet duke e pastruar territorin përreth tyre.

Një nga pikat më të preferuara është “Shpellat e Lukovës”, por pretendimet e biznesit të atyshëm janë për mungesën e energjisë elektrike. Si mund të zgjidhet kjo çështje?

– Po, është e vërtetë! Ky është një shqetësim këtu e vite të kaluara që kur ideuam dhe realizuam financimin nga qeveria e mëparshme të rrugës që të shpie në këtë pikë nga më të rrallat e bregdetit shqiptar. Madje përpara një viti u realizua edhe një investim për linjat e brendshme të fshatit të Lukovës dhe tani Lukova ka katër kabina që realizojnë furnizim me energji elektrike të stabilizuar, por nuk u arrit të çohej deri tek pika që flasim dhe në kërkesat që kemi drejtuar ndaj qeverisë kemi marrë përgjigje negative. Kjo gjë është joefikase dhe ka një lloj absurdi në këtë mes, sepse ajo është një zonë që mund të zhvillohet, por interesa në kurriz të komunitetit e mban atë zonë pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm.

– Një problem tjetër që ngrenë bizneset sezonale detare në kontaktet me neve është edhe prezenca e bagëtive në mjediset e plazhit, por kjo dihet se vjen si pasojë e një pjese të popullatës të cilët sigurojnë të ardhurat ekonomike me këtë mënyrë vetëpunësimi, ndërkohë që bizneset sezonale janë për tre muaj ndërsa ata përgjatë gjithë vitit. Si mund të gjendet një zgjidhje apo rrugë e mesme?

– Ne nuk kemi kontraktuar kullota për periudhën e verës dhe këta janë individë që në mënyrë spontane lëvizin me bagëti dhe shpesh herë nga ana jonë gjobiten. Megjithatë ekziston si fenomen dhe ne bëjmë përpjekje  me faktorë të tjerë shtetëror për ti hequr bagëtitë nga plazhi, ja kemi arritur deri diku por jo plotësisht.

– Qeveria miratoi në Parlament modelin me 61 njësi vendore , model ku komuna e Lukovës nuk do të ekzistoj më, por do t’i bashkëngjitet Himarës. Cili është mendimi juaj dhe i komunitetit që përfaqësoni?

– Jam shprehur edhe më përpara dhe këtë reformë e quaj të dëmshme, përtej asaj që duhet të qëndroj ose jo komuna e Lukovës si njësi vendore, por përgjithësisht kjo reformë është e dëmshme dhe bëhet në mënyrë të dhunshme dhe jashtë premtimeve të fushatës elektorale që bëri kjo maxhorancë. Ish-qeveria e mëparshme parashikonte tek reforma e sajë territoriale një hartë me 150-170 njësi vendore dhe kjo e mundësonte komunën e Lukovës si njësi më vete, pra nuk do të pushonte së ekzistuari. Që në vitet 20 të shekullit të kaluar qeveria dhe komuniteti vendosën që bregu të kishte dy njësi vendore, bregun e sipërm dhe bregun e poshtëm, kështu siç janë sot. Historia flet, ndaj mendimi im dhe i komunitetit që përfaqësoj është që komuna e Lukovës duhet të ekzistojë, pasi ka edhe një territor mjaftë të begatë e të madh , me shumë resurse dhe të ardhura ekonomike, me biznese të mëdha , me fabrika dhe hidrocentrale , këto nuk i kanë komunat e tjera, prodhon shumë të ardhura dhe numëron mbi 10 mijë banorë. Mendoj  që, Orikumi, Himara dhe Lukova të jenë njësi më vete qoftë nga territori, qoftë nga të ardhurat ekonomike që sigurojnë. Edhe pse nuk shquhemi si një komunitet që të reagojë shpejt, bregdeti do të reagojë, ngadalë por fort. E kuptojmë që kjo reformë bëhet nga njerëz të fuqishëm që kanë pushtetin, por që edhe e sponsorizojnë pushtetin. Imagjinoni që me shkrirjen e komunës çfarë do të ndodhi me pronat kur kjo çështje nuk ka përfunduar për bregasit. Edhe në rrjetet sociale kam parë një reagim dhe shqetësim të madh nga komuniteti bregdetar emigrant. Këtu ka qëllime ekonomike dhe jo nacionaliste që me pazaret e PDIU-së, ndaj duan ta zhdukin Lukovën nga harta e njësive vendore. Kjo vërtetohet edhe nga një fakt që, në qeverinë e mëparshme ALUIZNI-t, që drejtohej më parë nga Shaban Memia, sot agjencia e (Artan) Lames  është sot agjenci kryesore dhe këta duan që ta heqin pushtetin vendor. Nuk besoj të realizohet qëllimi i tyre dhe në rrugë kushtetuese janë të gjitha mundësitë për anulimin e kësaj harte territoriale. Ndryshe ne mendojmë të iniciojmë rrugën e referendumit popullor  dhe qytetarët duhet ti bashkohen kësaj nisme të referendumit. Por, nuk besoj deri këtu pasi do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit nuk do ta shkelë Kushtetutën. Por, ne do të marrim të gjitha masat që komunitetin tonë ta sqarojmë për pjesëmarrjen e tij në referendum për t’i thënë jo heqjes së komunës së Lukovës nga harta e njësive vendore.