Vladimir Caridha: Vjedhja e afreskeve të Onufrit një krim, shteti duhet të përgjigjet!

605
Sigal

Flet Vladimir Caridha, skulptori që  realizoi portretin e Onufrit: Ruani kishën tjetër të Shelcanit!

Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ka heshtur, ose e ka anashkaluar vjedhjen e pasurisë kombëtare të kishës, së Shën Premtes, por skulptori Vladimir Caridha ka folur me të drejtën, që i jep jo vetëm statusi i tij, si artist, por edhe si autor i realizimit të portretit të Onufrit. Vjedhja e  afreskeve të Onufrit në Kishën e Valshit, në Gjinar, ka bërë që skulptori Vladimir Caridha, të shprehet shumë i indinjuar nga kjo vjedhje, të cilën ai e konsideron  një krim, sepse këtu është cenuar identiteti i kombit shqiptar, Midis të tjerave, ai u shpreh, se nëse shkatërrohet  kultura, humbet edhe identiteti dhe kjo është e patolerueshme. Sipas tij, me këto vepra duhej të krenohej jo vetëm Elbasani, por i gjithë kombi shqiptar, sepse ajo është një kishë e viteve 1555, e pikturuar nga dora e vetë Onufrit. Ndërsa, për realizimin e portretit të Onufrit, Caridha thotë se është frymëzuar nga portreti i shenjtorëve të realizuar prej tij. Më  parë studiova me hollësi kryeveprat e Onufrit dhe më pas realizova portretin e tij, me të cilin kam konkurruar në disa ekspozita.

 Zoti Caridha, ç’mendoni juve për vjedhjen e afreskeve?

Jam shumë i indinjuar për këtë papërgjegjësi dhe për këtë shkatërrim të vlerave kombëtare Onufriane. Një vepër e plotë shqiptare, që edhe kritikët më të mëdhenj, e kanë  quajtur, një  kryevepër, tani nuk është më. Këtë nuk mund ta besoj, por lus zotin që të mos ketë radhën edhe kisha tjetër e Shelcanit.

 Sa kisha ka Elbasani që evidentohen si monumente kulture?

Ka disa. Por Elbasani ka dy kisha të rëndësishme dhe që evidentohen si monumente kulture të rëndësisë së veçantë dhe të kategorisë së parë dhe për fat, të dyja janë në komunën e Gjinarit  Kisha e Shelcanit, e ndërtuar në vitin 1545 dhe e Valshit, në vitin 1555. Këto dy kisha janë pikturuar me dorën e Onufrit. Këto dy kisha janë ndërtuar pas rënies së Kastriotëve dhe pas pushtimit të Shqipërisë, nga otomanët dhe të dyja janë ndërtuar 100 vjet, pas këtij pushtimi. Këtë e them, sepse në kohën e pushtimit otoman, nuk ka ndërtime kishash. Këto janë vepra të rralla, larg qytetit të Elbasanit, atje ku nuk mund të shkonin pushtuesit turq.

Cila është e veçanta e këtyre dy kishave?

E veçanta e këtyre kishave është se janë të pikturuara nga vetë, dora e Onufrit, në teknikën e afreskut, pikturim me suva të freskët dhe në të gjithë sipërfaqen e kishës. Dhe pjesa e ikonostasit është muri i pikturuar. Kur jepja mësim, në shkollën e mesme  artistike “Onufri”, të Elbasanit, neve e kishim në tematikë dhe në program që shkonim dy herë në vit në këto kisha, gjatë procesit mësimor për t’u mësuar nxënësve, artin e pikturës dhe njohje me Onufrin. Ndërkohë, ato kanë qenë dhe shumë të mirëmbajtura dhe ishin monumente kulture. Niseshim në këmbë nga Elbasani me nxënësit dhe vizitonim të dyja kishat, madje, qëndronim dy – tre net, në Gjinar. Përveç vlerave historike që datojnë rreth viteve 1500, ato janë punuar nga Onufri. Në fakt, si një piktor postbizantin. Onufri është vazhdues i traditës bizantine, atëherë kur bizanti kishte rënë. Dhe Onufri është i vetmi piktor, që e ka vazhduar këtë traditë dhe në një nivel  shumë të lartë artistik. Ne kemi piktura të tij dhe në Malin e Shenjtë, në Greqi, Berat, Shën Naum, dhe në të dyja kishat e Gjinarit.

Përse ndodhi kjo vjedhje?

Së pari, dua të them, që  këto dy kishat, pra kisha e Shelcanit dhe e Vlashit, janë vepra të çmueshme për kombin shqiptar, si nga rëndësia historike, ashtu dhe trashëgimia kulturore. Por nga Instituti i Monumenteve, këto ishin lënë pas dore.

Ç’doni të thoni me këtë?

Vepra ishte lënë në mëshirë të fatit dhe më vjen keq, e më ther shpirti, për këtë humbje. Nuk është treguar aspak kujdes. I gjithë shiu binte brenda, muret ishin gjithmonë të lagura. dhe gjithçka ishte në mëshirë të fatit. Këto kishin nevojë për restaurim, por restaurimi i tyre  bëhej vetëm nga Ministria e Kulturës, apo nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Askush tjetër, nuk kishte të drejtë ndërhyrje, madje as vetë kisha. Sepse ato janë nën mbrojtjen e  Ministrisë së Kulturës, por përgjegjësia bie dhe mbi ata pushtetarë, që marrin rrogën, në qark, të cilët nuk e dinë, se ku bien monumentet dhe as rëndësinë e tyre.

A mund të na thoni për lexuesit tanë diçka më shumë për Onufrin dhe ngjyrën e tij të kuqe?

Siç e thashë më lart, pas rënies së Bizantit, Shqipëria u pushtua nga turqit dhe gjithçka bizantine ra. Pra, ishte vetëm Onufri, që mbajti të gjellë pikturën bizantine. Onufri është vlerësuar si një nga mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë. E Kuqja e Onufrit, si e veçanta e artit bizantin, e pikturës bizantine, e artit ikonografik. Ishte një magji. Madje, nuk e di, se ku do të përfundojë ndonjë copë e kësaj vepre të vjedhur dhe nuk e di, se çfarë mundet të ketë mbetur, sepse ajo pothuajse, është shkatërruar, pas vjedhjes. Por mendoj, që vetëm koka  mund të ketë mbetur,

Si mendoni për këto vlera që po shkatërrohen?

Duhet një përgjegjshmëri më e madhe e institucioneve shtetërore, për monumentet e kulturës. Madje, Shqipëria ka fatin më të madh, që i kishte këto piktura. Dua të them, që nga rëndësia, pikturat e Onufrit i përkasin vitit 1500. Ndërsa ati të Vangjush Mios i përkasin vitit 1900. Të dy këta autorë të mëdhenj janë lënë jashtë kujdesit të Ministrisë dhe veprave tyre janë vjedhur. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, asnjë përgjegjësi nuk ka dalë, U vodhën pikturat e Vangjush Mios dhe ministria heshti. Pastaj u vodhën afresket e Onufrit, po tani, kush e ka radhën? Nëse do të ruash identitetin e një kombi, ruaj kulturën. Edhe serbët e shkulën shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, vetëm e vetëm, për të shkulur identitetin shqiptar. Por populli shqiptar i Kosovës e ndërtoi përsëri. Ndërsa, pikturat e Onufrit, nuk mundet të bëhen më, prandaj them dhe mendoj, që duhet të dilet me përgjegjësi dhe me detyra se çfarë do të bëjmë. Madje,  ka shumë mbledhës, tregtarë e koleksionistë që interesohen për këto vepra, vetëm e vetëm për të bërë para, ose për t’i shitur në treg të zi.

Me këtë rast dua të them, që kultura shqiptare ka pësuar një humbje të madhe. Të ruhet kisha tjetër e Shelcanit sepse edhe ajo ka mbetur. Ndërkohë, që dua të bëj apel për të gjitha vlerat në mbarë, Elbasanin dhe Shqipërinë.