VKM Nr. 85 e ilaçeve, duhet të çojë në pranga… 3 ministra dhe 2 drejtorë

578
Hetimin këmbëngulës që po vazhdon të bëjë prokuroria, duke arritur të realizoj në kohë të shpejt zbardhjen e skemës së vjedhjes gjigande të rimbursimit të ilaçeve me receta false, po mundohet ta pengoj klani korruptiv që është nën kontrollin e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, me përpjekjet e tij përpëlitëse, për t’i shpëtuar edhe këtë herë përgjegjësisë ligjore, si personi organizator e urdhërues direkt, në lejimin e kësaj vjedhjeje, që tashmë është fakt. 
Ministri Beqja, autoriteti shtetëror që ka firmosur dhe lejuar skandalin
Ministri Ilir Beqja, i njohur si personazh aferash në tenderë abuziv me fondet publike qysh në vitin 2010, kur i hoqën edhe mandatin e deputetit, vazhdon aferat korruptive, të cilat edhe pse mundohet t’i mbajë të fshehta, i zbulohen, mbasi janë skandale që nuk mund të groposen as me urdhra, as me vendime, as me pazare. Skandali i radhës që ai ka inskenuar është krimi financiar me rimbursimin e ilaçeve me receta false, organizuar në 193 farmaci në 9 qarqe, në 21 rrethe, 42 qytete dhe 57 komuna. Burime që kanë ardhur në gazetën “Telegraf” nga prokuroria, konfirmojnë se deri tani sipas hetimeve shifra e vjedhjes së rimbursimit të ilaçeve me receta false, arrin vlerën 200 milionë euro, ose sa 20 buxhete vjetore të bashkisë Tiranë, sa 35 buxhete të bashkisë Durrës, sa 40 buxhete të bashkisë Elbasan dhe sa 200 buxhete vjetore të bashkisë Berat. Aktualisht, në pranga janë lënë vetëm 2 persona, të cilët akuzohen se kanë realizuar këtë krim financiar me buxhetin e shtetit në 4 farmaci zonash rurale në Lundër, Kashar e Farkë të Tiranës, konkretisht drejtori i Fondit të ISKSH dhe administratori i këtyre 4 farmacive. Por pas 48 orë arresti, janë lënë të lirë me “detyrim paraqitje dhe me arrest shtëpie” të 5 nëpunësve të tjerë të ISKSH e të farmacive, që kanë pranuar se kanë kryer rimbursimin fals të ilaçeve. Ata që, jo vetëm nuk janë futur në pranga, por edhe që nuk janë thirrur as si titullar zyrtar të shërbimit farmaceutik, janë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, drejtori i përgjithshëm i ISKSH, nëndrejtori i ISKSH Sokol Skuraj që ka në pronësi 12 farmaci familjare, drejtorja e ISSH dhe zyrtarë të tjerë, nuk janë thirrur as mjekët që kanë emrin në recetat e rimbursimit, as ata që rezultojnë si “pacientë” të recetave false, as pronarët e depove farmaceutike, që kanë firmosur sikur kanë bërë shit-blerjen e ilaçeve prej këtyre farmacive, të cilat kanë luajtur lojën me furnizimin e ilaçeve që as importoheshin dhe as futeshin në farmacitë që ka kanë kryer krimin e rimbursimit fals të ilaçeve, por vetëm bënin “letrat” për të vjedhur miliardat, të cilat deri sot kanë arritur vlerën 9.2 miliardë lekë. Edhe pse personi i lartë zyrtar që ka në dorë zbatimin e ligjit dhe vendimeve të qeverisë për licencimin, kontraktimin dhe urdhrin për të kryer rimbursimin e ilaçeve me “Kontratë sigurimi”: është ministri Beqja, çuditërisht ky jo vetëm që nuk po çohet përballë drejtësisë, por edhe del e mban fjalime “ndershmërie” e reciton citate “anti-korrupsion”, duke bërë thirrje për të çuar përpara drejtësisë, “cironkat” që ai i ka lejuar dhe i ka autorizuar me vulë e firmë, që të bëjnë krimin e rimbursimit fals të ilaçeve, natyrisht duke qenë “shefi” i këtij abuzimi me përmasa gjigande. Pa bërë komente, po publikojmë sot, Vendimin e Këshillit të Ministrave, që konfirmon ligjërisht, se personi që ka të drejtën të firmos e vulos licencimin e farmacive që duhet të bëjnë rimbursimin e ilaçeve në territorin e republikës së Shqipërisë është ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja. Bashkë me të janë edhe dy ministra të tjerë, konkretisht Ministri i Financave Shkëlqim Cani që firmos pagesat në thesarin e shtetit. Është edhe ministri i punës Erjon Veliaj, i cili firmos në emër të fondit të paketës social-shëndetësore për të sëmurët që trajtohen me rimbursim. Por janë edhe 4 drejtorë të tjerë që kanë fuqinë ligjore e administrative për të autorizuar rimbursimin e ilaçeve. Por, nga të gjithë këta vetëm një drejtor ka shkuar në pranga. Të tjerët, që nga ministri Beqja, ministri Cani, ministri Veliaj e deri tek nëndrejtori i ISKSH Sokol Skuraj që ka përdorur 12 farmacitë e tij private për rimbursimin fals, nuk kanë shkuar as për t’u pyetur përpara drejtësisë. Në fakt, këta janë personat që duhet të ishin në pranga për skandalin e rimbursimit të ilaçeve me receta false, mbasi ata përcakton ligji dhe VKM Nr. 85, datë 13.2.2003, si personat që përbëjnë Këshillin Administrativ të ISKSH, që ka të drejtën për të licensuar, menaxhuar dhe kontrolluar rimbursimin e ilaçeve. 
—————————————-
Ja vendimi, që detyron drejtësinë të marrë si të pandehur, ministrin Ilir Beqja
V endim Nr. 85, datë 13.2.2003
PËR LIDHJEN E KONTRATAVE, NDËRMJET INSTITUTIT TË SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE FARMACIVE E DEPOVE TË BARNAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 36 të ligjit nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për mbulimin e një pjese të çmimit të barnave, lidh kontratë me depot e barnave dhe me farmacitë e rrjetit të hapur, që shprehin interes për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore.
2. Këshilli Administrativ i ISKSH-së përcakton kriteret, që duhet të përmbushin depot e barnave dhe farmacitë e rrjetit të hapur, për të kontraktuar me këtë institut.
3. Këshilli Administrativ i ISKSH-së, miraton kontratën tip për farmacitë dhe depot e barnave dhe afatet kohore të lidhjes së tyre.
4. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tregtojnë barna vetëm me recetë të mjekut, me përjashtim të barnave që tregtohen pa recetë, sipas listës së miratuar nga Ministri i Shëndetësisë.
5. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tërheqin barnat e rimbursueshme të listës, vetëm në depot e barnave që kanë kontratë me këtë Institut.
6. Depot e barnave, që kanë kontratë me ISKSH-në, duhet të zbatojnë çmimet e depos për barnat e listës.
7. Dokumentacioni për qarkullimin e barnave nga depot të mbahet sipas formateve të miratuara nga Ministri i Financave dhe Ministri i Shëndetësisë.
8. ISKSH-ja pajis mjekët me receta me rimbursim dhe pa rimbursim, si dhe përcakton rregullat për administrimin e tyre.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Fatos Nano
—————————————-
Ja ligji që autorizon 3 ministrat Beqja, Cani e Veliaj si autoritete licencues, financues e kontrollues të tregtimit e rimbursimit të ilaçeve
Neni 16, i Ligjit Nr. 10383, datë 24.02.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, përcakton: “Këshilli Administrativ i ISKSH është organi më i lartë vendim-marrës i Fondit të ISKSH dhe ka në përbërje 9 anëtarë, si më poshtë:
1. Ministrin e Shëndetësisë
2. Ministrin e Financave
3. Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta 
4. Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të ISKSH
5. Drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore
6. Përfaqësues i sindikatës së të punësuarve
7. Përfaqësues të dhënësve të kujdesit shëndetësor, caktuar nga Urdhri i Mjekut;
8. Përfaqësues të shoqatës së punëdhënësve privatë dhe të vetë-punësuarve
9. Përfaqësues të organizatës së konsumatorëve, të cilët përfaqësojnë përfituesit e Fondit
Sigal