Vjen shpërblimi për shoferët që nuk kanë bërë asnjë aksident!

1201
Sigal

Të gjithë ata drejtues automjetesh të cilët në 5 vitet e fundit nuk kanë kryer asnjë aksident do të paguajnë më pak lekë për sigurimin e detyrueshëm.

Drafti që është përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndodhet tashmë në zyrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Drafti sjell për herë të parë sistemin Bonus -Malus dhe në bazë të historikut të aksidenteve përllogaritet edhe sigurimi i detyrueshëm i automjetit.

“Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të siguruarve Certifikatën e historikut të dëmeve të 5 viteve të fundit, sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti”, thuhet në draft.

Por çfarë do të thotë sistem Bonus Malus.

Një sistem i tillë quhet ai sistem i cili zbatohet për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Aktualisht ky sistem nuk ekziston dhe drejtuesit e mjeteve paguajnë të gjithë njëlloj.

Një tjetër ndryshim në draft është edhe forcimi i penaliteteve për ata qytetarë që nuk kanë bërë sigurimin e detyrueshëm nga gjobë që varion nga 10-40 mijë lekë në sekuestro të makinës deri në momentin e pagesës së sigurimit.

Ndërkohë duke marrë shkas nga ankesat e qytetarëve për zvarritje të shlyerjes së dëmeve AMF ka parashikuar që kompanitë e sigurimit të paguajnë dëmin brenda 14 ditëve nga paraqitja e kërkesës për dëmshpërblim nëse dëmi është rreth 100 mijë lekë.

“Kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 000 lekë, do të paguhen nga shoqëritë e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim”, thuhet në nenin 11.

Me anë të draftit të ri ka një kufizim edhe për ndryshimin çmimeve të sigurimeve duke i dhënë të drejtë kompanive që t’i ndryshojnë jo më shumë se dy herë në vit dhe për këtë duhet të njoftojnë 30 ditë më parë AMF nga 10 që është aktualisht.

Gjithashtu projektligji i ri parashikon krijimin e një enti të posaçëm për fondin e kompensimit ndërsa kompanitë duhet të paguajnë të paktën 150 milionë lekë.