Vjen për zgjedhjet, i kërkojnë punë për mbi 500 komisionerët e papunë

481
Sigal

Socialistë të thjeshtë e drejtues të PS ‘kryqëzojnë’ Blendi Klosin: Na mashtruat për punësim, punësuat njerëz pa kontribute!

Ka ardhur në Vlorë për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme vendore, por është përballur me pakënaqësitë e socialistëve, në lidhje me politikat e punësimit, në institucionet e shtetit në Vlorë. Sekretari organizativ i PSSH, Blendi Klosi, ka zhvilluar ditën e premte një takim në selinë e PS-së, Vlorë, me kryetarët e partisë dhe kryetarët e njësive vendore të bashkive dhe komunave të rrethit të Vlorës, me qëllim fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2015. “Si mund të mendoni për zgjedhjet, kur ata që kanë mbrojtur votat ndër zgjedhje për PS, janë të papunë e të anashkaluar nga ata që duhet t’i punësonin”- ka qenë pakënaqësia e shumë socialistëve në seli. Socialistët i kanë kujtuar të dërguarit të qendrës se 500 komisionerët socialistë të Vlorës, janë ende të papunë, ndërkohë që në institucionet e shtetit janë punësuar njerëz pa kontribute dhe pa asnjë lidhje me PS. Bashkë me socialistët e thjeshtë, pakënaqësi kanë shprehur dhe disa kryetarë partish të njësive vendore, të cilët ndodhen në presionin e njerëzve, të cilëve edhe pse ju është premtuar punësimi, ende vazhdojnë të jenë të papunë. Struktura të anashkaluara, drejtues institucionesh të emëruar jashtë propozimeve të PS, drejtues institucionesh që nuk e njohin derën e PS, drejtues që shpërfillin militantët dhe anëtarët e PS, kanë qenë disa nga problematikat e deklaruara gjatë takimit, të cilat e kanë vënë jo pak në vështirësi sekretarin organizativ, Klosi. Të grumbulluar në seli, teksa kanë mësuar për ardhjen e një të “të madhi’ nga Tirana, shumë socialistë të thjeshtë, kanë kërkuar t’i bëjnë prezent gjithsecili sipas mënyrës së vet, pakënaqësitë e tyre. Ata janë deklaruar se, pushteti në Vlorë është grumbulluar në duart e vetëm disa individëve, të cilët i bëjnë emërimet sipas interesave të tyre personale, pa pasur asnjë bashkëpunim me strukturat e partisë. Sipas tyre, Rilindja ka ardhur vetëm për disa njerëz, të cilët nuk kanë qenë asnjë ditë të papunë, edhe gjatë viteve që PS-ja ka qenë në opozitë, ndërkohë që, kanë kërkuar shpjegime dhe për ish- drejtorin e shkarkuar për abuzime të spitalit psikiatrik, i cili është emëruar drejtor në një zyrë tjetër po në Vlorë.Kërkohet të dihet e vërteta e zyrtare e shkarkimit dhe emërimit, duke kërkuar që opinioni jo vetëm socialist, të sqarohet në lidhje me këtë çudi të fundit të Rilindjes në Vlorë dhe të mos ndodhin më të tilla çudi që na bëjnë të mos dalim jo vetëm në qytet, por as në rrugën e lënë përgjysmë të Lungomares gjatë takimit është evidentuar edhe fakti që drejtuesit e partisë në Vlorë janë të përçarë, drejtuesit e institucioneve nuk kanë asnjë marrëdhënie me njëri- tjetrin dhe se Partia Socialiste e Bashkisë Vlorë, ndihet e anashkaluar nga institucioni i prefektit të qarkut. Situata ka qenë shumë e acaruar, aq sa është dashur disa herë ndërhyrja e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika dhe Kryetarit të PS-së, Bashkia Vlorë, Edi Leka, për të qetësuar njerëzit. Ndërsa ka mbajtur shumë pak shënime për përgatitjet për zgjedhjet, sekretari organizativ, Blendi Klosi, ka ikur për në Tiranë, me një listë të gjatë pakënaqësish të socialistëve të Vlorës, të cilët kanë kërkuar ndër të tjera dhe mbledhjen e strukturave, të cilat nuk janë mbledhur që pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Në takim ka rënë në sy mungesa e institucionit të prefektit të qarkut, i cili sipas socialistëve edhe pse i njeh kontribuuesit e vërtetë të PS-së, po vepron në mënyrë të njëanshme në punësimin e njerëzve.