Vjedhjet e banesave/ Pajisja ruse që po ‘çmend’ policinë, hap dyer e kasaforta

662
Vjedhja e banesave dhe e makinave, kryesisht tipi “Benz”, është kthyer në një fenomen shqetësues për Policinë e Durrësit.
Autorët po përdorin pajisje të sofistikuara, të porositura nga interneti për hapjen me vakum të bravave. Pajisja, që ka dyshime se porositet nga Rusia, gjatë procesit nuk lë asnjë gjurmë.
Ajo arrin të hapë çdo bravë me anë të vakumit, duke nisur nga dyert e blinduara, kasafortat e deri tek automjetet. Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë për gazetën se po punohet për të goditur grupin kriminal, i cili ushtron aktivitetin prej rreth një viti në qytetin bregdetar dhe janë kthyer në tmerr për banorët.
“Ajo që e komplikon më shumë situatën dhe e bën më të vështirë punën e policisë për zbulimin e autorëve, është fakti se vjedhjet po kryhen ditën, pa lënë gjurmë dhe pa u kuptuar nga fqinjët e banesave që kanë rënë pre e grabitësve. Banda në fjalë përdor një pajisje speciale, që mendohet se është blerë në Rusi dhe me anë të saj hapet çdolloj dere, qoftë kjo edhe e blinduar”, bënë të ditura burime nga hetimorët.
Për këtë arsye, banda në fjalë operon kryesisht gjatë ditës, duke mbikëqyrur për një kohë të gjatë familjet që zakonisht nuk kanë njerëz gjatë paradites në shtëpi. Sipas të njëjtave burime, banda në fjalë ka pasur pesë anëtarë, ndërkohë që tre prej tyre janë arrestuar dhe dy janë akoma në kërkim.
Kryesisht, grupi kriminal i përqendron vjedhjet nëpër apartamente, pasi dera e blinduar nuk është problem për t’u hapur nga ata. Pajisja e sofistikuar e siguruar në Rusinë e largët i ndihmon për të hapur dyert e jashtme.
Po me të njëjtën pajisje, ata hapin edhe dyert e makinave, kryesisht atyre të markës “Mercedes-Benz”. Vetëm ditët e fundit janë denoncuar disa raste të vjedhjeve nëpër banesa dhe automjete, ndërsa shumica e familjeve që bien pre e vjedhjeve nuk i denoncojnë, pasi hajdutët janë futur brenda në banesë pa thyerje dhe nuk është çudi që paratë që mungojnë në kasafortë të konstatohen vetëm kur të zotit të shtëpisë do t’i duhen t’i përdorë.
Prokuroria dhe Policia po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal që vepron me këtë pajisje të rrallë, e cila i ndihmon të hapin thuajse çdo bravë dere apo kasaforte.
Banda aktualisht i ka përqendruar vjedhjet në qytet, ndërsa objekt pritet të bëhen edhe banesat e pushuesve në zonën e plazhit. Përgjatë periudhës së verës, e cila përkon me sezonin turistik veror, qyteti i Durrësit kthehet në strehë për grupe të ndryshme kriminale, nga hajdutët deri tek ata të tregtimit të drogërave të rënda.
Për këtë arsye, Policia e Durrësit ka hartuar një plan të sofistikuar masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, madje ka angazhuar forca të shumta policie në zonën e plazhit. Sipas të dhënave, thuajse gati çdo ditë ndodhin 3-4 vjedhje, të cilat dyshohet se kryhen nga i njëjti grup kriminal, pasi në të gjitha herët, dyert janë hapur pa forcë.
Sigal