Vjedhje me fondet e investimeve publike, dosjet shkojnë në Prokurori

509
Sigal

Dëmi ekonomik rezulton se është 397 milionë lekë të reja, prej të cilave 36 milionë lekë evazion fiskal

 Burime nga zyra e Auditimit të Brendshëm në Prefekturën e Qarkut Durrës thanë për gazetën “Telegraf”, se, “një pjesë e mirë të drejtuesve të qeverisjes vendore që kanë abuzuar dhe po  abuzojnë me fondet publike, shumë shpejt dosjet e tyre ku futen disa prej drejtuesve të komunave dhe bashkive, do të dorëzohen në Prokurori dhe zyrën e Krimit Ekonomik”. I njëjti burim tha se, “ndryshimin e ligjit të auditimin të brendshëm në sektorin publik, pati jo pak debate, por ai është një  ligj i rëndësishëm për institucionet, për të patur njohuri të plota dhe në kohën e duhur, me fondet që ata kanë në dispozicion, për t’ i përdorur me kursim, dobi dhe fryetshmërisë, në përmbushjen me ligjet në fuqi”. Deri tani për vitin 2014 në bazë të programeve të hartuara, janë realizuar 29 auditime të plota në njësitë e qeverisjes vendore në shkallë qarku dhe 10 auditime tematike, si dhe janë kryer një numër të caktur verifikimesh të ndryshme mbi bazën ankesash qytetarëve, ku dëmi ekonomik i zbuluar nga këto auditime rezulton se ka qenë 397 milionë lekë të reja, prej të cilave 36 milion lekë evazion fiskal. Janë rekomanduar 180 masa të ndryshme prej të cilave 125 masa zhdëmtimi, 48 masa disiplinore dhe 7 masa të tjera me gjobë për drejtues të komunave e bashkive dhe supervizorëve, të cilët ndjekin kryerjen e investimeve në këto institucione. Këto mangësi kanë ardhur për arsye të interpretimeve të gabuara të ligjit të ri të prokurorimeve publike dhe akteve të tjera nënligjore, për shkelje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me procedurat në blerje të vogla, në pagesat e orëve mbi kohën normale të punës apo edhe të zbatimit në ndërtimin e veprave publike, masa të ndryshme deri dhe me gjobë janë rekomanduar për drejtuesit dhe ish drejtues, në 18 komuna dhe 4 bashki. Bie në sy fakti se drejtuesit e komunave dhe bashkive, kanë gjetur terren në mënyrën e përfitimit dhe janë kapur me shkelje nga specialistët e zyrës së Auditimit. Janë fondet për investimet Publike, si dhe rritja fondeve që përdoren për shpenzimet të ndryshme operative, në jo pak raste brenda zërit të shpenzimeve operative 30-35% të tyre i zënë shpenzimet për dieta, apo për pagesat për orët jashtë kohës normale të punës. Burimet nga Zyra Auditimit, u shprehen se “këshillat e komunave dhe bashkive luajnë një rol të rëndësishëm për debatimin dhe monitorimin, në kryerjen e shpenzimeve nëpërmjet vendimeve dhe kontrollit të zbatimit të tyre, por kjo praktikë deri tani ka lënë për të dëshiruar, për vetë shkallën e nivelin e dobët të përfaqësimit të tyre. Megjithëse Zyra e Auditimit në Prefekturë mbetet zyrë e evidentimit dhe këshillimit të shkeljeve dhe rregullimin e tyre në anën ligjore, ajo do të denoncojë të gjitha shkeljet që janë vërejtur deri tani në qeverisjen vendore, për t’ i bërë luftë të ashpër abuzimeve me fonde e shtetit dhe të taksapaguesve. Për vitin 2014 programet e auditimit do të jenë ato të prokurimeve, zbatimit të investimeve si dhe ligjshmëria e kryerjes të veprimeve në lidhje me shpenzimet që kryen në institucionet e qeverisjes vendore. Gjithashtu Zyra e Auditimit në Prefekturë, ka nisur këto ditë mbi 30 dosje të reja drejt organit të akuzës, duke kërkuar përballjen me ligjin e çdo zyrtari që ka të evidentuar shkeljet dhe abuzimet me detyrën dhe paratë e buxhetit të shtetit.

 Artur AJAZI