Vjedhja në BSH, AK rrethon bankën me shirit: “Skenë krimi!”

509
Sigal

TIRANË- Pas zbulimit të vjedhjes në BSH, kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu organizoi një protestë përpara Bankës së Shqipërisë, për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama. Kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu tha se, “të gjithë i kanë duart të lyera në grabitjen e thesarit të shtetit”. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi rrethuan Bankën e Shqipërisë me një shirit të ngjashëm me ato që përdor policia, si për të treguar së aty është një skenë krimi. “Simbolika jonë nuk i pëlqen Kryeministrit, as ministrit Tahiri, i cili bën sehir. Ata tentuan që të mos na lejojnë sepse i vret simbolika. Ata kanë menduar që shqiptarët harrojnë”,- u shpreh Spahiu. “Sistemi bankar është vendosur në shënjestër për t’u grabitur dhe falimentuar. Shqiptarë kuptoni që në 25 vite gabuat 25 herë, ju vodhën miliona herë dhe përsëri bëni të njëjtin gabim. Sa herë socialistët vijnë në pushtet vidhet thesari. Këtë radhë me një kod ndryshe. Në Sicili kanë një kod që quhet “onerta”, kur mafia kryen krimin të gjithë heshtin. Mesazh të qartë kryeministrit shqiptar, jep dorëheqjen. Homologu yt në Korenë e Jugut vetëm se nga dallgët u mbyt një traget dha dorëheqjen. Ti nuk mund të jesh rilindësi i shqiptarëve. Ti hesht se je shumë i vogël, pavarësisht nga trupi je i gjatë. Je i kompromentuar. Gojën ta kanë mbushur me para, me 500 euro dhe sot nuk ke kurajo të flasësh. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Për të shkëputur vëmendjen e shqiptarëve nga vjedhja e thesarit, mbylle universitetet, duke lënë atë të Anastas Angjelit”,- deklaroi Spahiu.