Vjedhja e energjisë, ndërpriten 1.498 lidhje të paligjshme, arrestohen 15 persona

435
Gjatë javës së kaluar në të gjithë vendin ka vijuar me intensitet puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë periudhës 20.07.2015 deri më 26.07.2015, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 90 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici – OSHEE në 3.567 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 50 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 50 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 15 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike.
Ndiqen në gjendje të lirë 34 persona dhe është shpallur në kërkim 1 person. Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1.498 lidhje të abonentëve debitorë dhe 50 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 79 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur , deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.
Sigal