Vjedhja e BSH,Prokuroria kërkon 55 vite burg për 10 të pandehurit

488
Sigal

TIRANË – Prokuroria ka kërkuar ditën e sotme 55 vite burg në total për 10 ish-punonjës të Bankës së Shqipërisë të cilët kanë pranuar akuzën e Prokurorisë për shpërdorim detyre, duke kërkuar në seancën e 27 nëntorit edhe gjykim të shkurtuar.
 
Në seancën e kaluar Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë prej 10 nga 15 ish-punonjësit e BSh të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë ndihmuar Ardian Bitrajn të realizojë vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë.
 
Prokuroria kërkon 6 vjet burg për ish drejtorin e Thesarit të BSH, Dorian Çollakun, Bashkim Xhilagën, Lavdim Canin, Myzejen Belbën, Liljana Tushën.
 
Ndërkohë që ka kërkuar dënimin me 5 vite burg për Bahri Allushin, Gentjan Jahjën, Fatbardha Gurthin, Mehdi Markun, Dhimitër Davidhin.
 
Ndërkohë që i pandehuri Bashkim Xhilaga veç kërkesës së gjykimit të shkurtuar në seancën e kaluar ka paraqitur kërkesën edhe për lirinë nga burgu.

Në seancën e radhës që do të zhvillohet më 26 dhjetor të këtij viti, mbrojtja do të japë pretencën e saj, pas kësaj seance Gjykata e Tiranës do të japë edhe vendimin.

Në rast se Gjykata do të vendoste dënimin me burg për 10 të pandehurit, atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak se po çështja e tyre trajtohet me gjykim të shkurtuar. 
 

Ish-inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi do të gjykohet në një proces të veçantë gjyqësor, të ndarë nga 14 të pandehurit e tjerë në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i shtetit në BSH.
 
Kërkesa e Golemit për ndarje të çështjes është pranuar sot nga Gjykata e Tiranës ku zhvillohet procesi ndaj 15 punonjësve të institucionit më të lartë financiar, Bankës së Shqipërisë. Po ashtu gjykata ka vendosur të ndajë gjykimin edhe për 4 ish-zyrtarë të tjerë të BSH, Petrit Ramohitaj, Ilir Dedja, Emiljano Lamçe dhe Mehdi Molla.