Vjedh karburantin e Ushtrisë, shoferi tenton t’i bëjë ‘gropën’ edhe shokut. Si u zbulua nëntetari

443
Dënohet me dhjetë muaj burg për akuzën e vjedhjes një efektiv i Ushtrisë, i akuzuar se ka vjedhur materiale nga magazinat e Forcave të Armatosura. Shtetasi me iniciale E.H. është akuzuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila më datë 13 mars 2017 ka regjistruar procedimin penal ushtarak nr.1 për veprat penale të “vjedhjes” dhe “deklarimit të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore”, shkruan Panorama. Sipas hetimit, nga aktet e ndodhura në fashikullin e gjykimit rezulton e provuar se në datën 30 janar 2017, rreth orës 14:00, Policia Ushtarake ka bllokuar në Repartin Ushtarak 1040 automjetin civil të të pandehurit. Ky automjet është në pronësinë e nëntetarit me iniciale E.H., me detyrë shofer i këtij reparti ushtarak. Nga kontrolli rezultoi se në bagazhin e këtij automjeti ishin shtatë bidonë, gjashtë prej të cilëve me naftë dhe njëri me vaj lubrifikant.
Pas kësaj ngjarjeje, është marrë në pyetje nëntetari, i pandehur, i cili ka pranuar se ka marrë naftë nga sasia me të cilën duhej të furnizoheshin automjetet në përdorim të tij dhe në pronësi të shtetit dhe pjesë-pjesë e ka nxjerrë jashtë, duke përdorur automjetet shtetërore. Ai fillimisht furnizonte automjetet e shtetit dhe një pjesë e hidhte në bidon jashtë automjetit. Më pas automjetin e përdorte për të nxjerrë këta bidonë jashtë territorit të repartit, raporton Panorama. Në lidhje me ngjarjen, janë pyetur magazinierët dhe mbikëqyrësit e portës së repartit, por ata nuk kanë pranuar që të kenë bashkëpunuar me të akuzuarin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, nuk kanë arritur të evidentojnë paligjshmërinë gjatë daljes jashtë të automjeteve. Gjatë procesit të pyetjes së nëntetarit, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por jo si person nën hetim, ky shtetas ka cituar si bashkëpunëtor në ngjarje magazinierin e repartit.

Për të verifikuar këtë fakt, më datë 13.03.2017, nga ana e Prokurorisë është kryer ballafaqimi midis personit ndaj të cilit zhvillohen hetime dhe magazinierit lidhur me mospërputhjet në thëniet midis tyre për rrethana apo fakte të caktuara, që ishin objekt i hetimit. Gjatë marrjes në pyetje, nëntetari mohoi që magazinieri të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes, duke sqaruar se magazinieri nuk ka lidhje fare me atë që ka bërë ai. Nëntetari ka thënë se nuk e di pse e ka thënë emrin e magazinierit, por kjo ka ndodhur pasi ka qenë shumë i shqetësuar. Në këto kushte, të pandehurit i është komunikuar edhe akuza e kryerjes së veprës penale të “deklarimit të rremë para OPGJ-së”. Për ngjarjen e ndodhur më lart, ushtaraku është dënuar me 10 muaj burg, por më pas ky dënim është konvertuar në 200 orë punë me interes publik.
Sigal