Vizitë tek ish-e internuara politike, Suzana Matja

794
Sigal

Nga Moza Boletini

New York, nëntor 2018

Me shumë gra e vajza shqiptare që kanë përjetuar persekutimin politik në Shqipëri nga regjimi komunist, jam njohur nëpër protesta në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha dhe atij regjimi makabër që izoloi vendin për afro gjysmë shekulli nga bota, si dhe pranë Shoqatës së Gruas ish-të persekutuar politike, kur Kryetare ishte ish-e burgosura politike, Lili Mitrovica. Jemi takuar përsëri edhe këtu në SHBA, e së bashku kemi realizuar veprimtari e tema me përmbajtje demokratike e paqësore në mbështetje të kësaj shtrese e të drejtat e gruas dhe fëmijëve në tërësi. Me rastin e Ditës së Falënderimeve, si Organizatë e Gruas “Hope & Peace” shkëmbyem takime mes anëtareve tona, një prej tyre ishte vizita tek shtëpia e ish-të internuarës politike, Suzana Matja, nismës sonë iu bashkua edhe Konsullja e Republikës së Shqipërisë, Zj. Najada Alliu Sojli.

Nga biseda me Dolora Bushatin, e cila është lindur e rritur nëpër kampet e përqendrimit politik shqiptar mësuam se e ëma, Suzana Matja ishte rrëzuar, kishte pësuar frakturë në njërën këmbë. Me inxhinieren elektronike nga Prishtina në New York, Zj. Kimete Haxhaj i shkojmë një vizitë. Në shenjë respekti e konsiderate për këtë shtresë, e pranishme ishte edhe Konsullja e Shqipërisë Zj. Najada Alliu Sojli, e cila edhe ajo në familjen e saj dhe të të shoqit të ndjerë, Besnik Alliu ka pasur persekucion politik. Në banesë na priti Suzana, e bija Dolora dhe e vjehrra e Dolës, Zj. Flora Selfo. Edhe Zj. Selfo rrjedh nga një familje patriotësh e intelektualësh të njohur të kombit tonë dhe ka përjetuar një persekucion të thellë politik në Shqipëri, të shoqin ia arrestuan dhe dënuan si armik i popullit, një xhaxha ia vranë komunistët dhe një xhaxha tjetër ia burgosën. Nuk mjaftoi me kaq, por diktatura e kuqe i mori edhe gjithë pasurinë e vënë me mund si familje duke ia konfiskuar. Suzana e Dolora rezervuan një pritje të ngrohtë e tepër të veçantë për ne. Dolora në SHBA ka kryer universitetin dhe masterin me rezultate të shkëlqyera, punon si profesore në dy universitete në New York. Folëm për shëndetin, jetën sot dhe në të shkuarën, për veprimtaritë tona sociale, librat e letërsinë.

Me Suzanën, Dolorën dhe motrën e Suzanës, Lilin e cila u nda nga jeta pak kohë më parë ruaj mjaft kujtime të mira të jetës sime. E kujtoj me dhimbje miken time Lilin, motrën e dashur të Suzanës dhe tezen e mrekullueshme të Dolorës, që kurrë nuk e heqin nga goja aq femër pozitive ishte. Në Tiranë pas çdo aktiviteti me gratë e persekutuara politike, pinim edhe ndonjë kafe pranë Selisë së Shoqatës së Ishptë Persekutuarve Politikë. Për motive politike në vitin 1967-n Suzanën me gjithë familje i internojnë nëpër fshatrat e Vlorës. Me gjithë dhimbjen në zemër, Suzi i donte shumë lulet, me vete në internim arriti të marrë edhe një vazo të vogël të lule borës, e mbolli edhe atje rrëzë kasolles prej balte. Lulja rritej për ditë me hallet e familjes së lodhur e të munduar nga jeta e vështirë. Edhe në Amerikë solli një degë të saj, e kishte vendosur në krye të dhomës, petalet e gjethet i vezullonin çdo ditë e më e bukur. Vërtetë, apartamentin ku banon Suzi në New York, e ka mbushur me lule të bukura e të shumëllojshme. Na prekën historitë e jetës plot vuajtje në internim që na tregoi Suzi, por edhe u gëzuam që u pamë. Eh, jeta është e tillë, e thurur me trishtim e gëzim njëherësh, kur njeriu përplaset me dallgët e papritura të saj, pasi më të rëndat janë ato që kaloi populli ynë gjatë atij regjimi që masakroi e shkatërroi jetën e një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, të cilët akoma nuk e kanë marrë veten akoma nga ato plagë të mëdha. Përveç një pastërtie shembullore që mban Suzi në banesën e saj, kohën e kalonte edhe në punime me grep e shtiza, punime tepër të bukura që ta tërhiqnin syrin si në tavolinë, perde, shalle. Suzi ka kaluar një jetë shumë të mundimshme e të vështirë në fëmijërinë e rininë e saj. Në vitin 1945 diktatura komuniste i pushkaton të atin Sait Matja. Saiti i ndjerë ishte i biri i Rexhep Matjas, avokatit të pallatit mbretëror, deputet i parlamentit shqiptar dhe firmëtar i Kushtetutës së Shqipërisë së vitit 1920. Po kush pyeste për të gjithë këto tituj, përkundrazi, nëse ishe dikushi, njeri i ditur, i shkolluar, e vije nga familje patriotësh, intelektualësh e politikanësh me Zë, e mos bindjesh politike me vijën e egër komuniste të Hoxhës, xhelozia e injorantëve të asaj periudhe të vriste, pushkatonte apo internonte. Duke folur për data, ngjarje të ndryshme koha kaloi pa u kuptuar, por u ndamë me Suzin, Dolorën, e Florën me mbresa të bukura dhe me premtimin, për t’u parë përsëri.