Vizat amerikane, si të gjeni datat për bashkimin familjar

1564
Zyra konsullore njofton se gjatë verës do të zgjatet koha e pritjes për intervistë. Çfarë ndodh me kërkesat për udhëtime turistike
Zyra konsullore e ambasadës amerikane në Tiranë bëri të ditur se gjatë javëve e muajve të ardhshëm koha e pritjes për një intervistë do të jetë më e gjatë se zakonisht. “Vera pothuajse ka ardhur – a e keni gati vizën tuaj për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara? Ne parashikojmë që koha e pritjes për caktimin e takimeve do jetë më e gjatë se zakonisht gjatë muajve të verës, ndaj aplikoni më herët!”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Gjithashtu, zyra konsullore u është përgjigjur edhe pyetjeve të qytetarëve për vizat turistike, bashkimet familjare dhe procedurat e ndryshme. 

1 – Vajza ime 10 vjeç do të udhëtojë me gjyshen për në SHBA, por e pashoqëruar nga prindërit. Çfarë procedure duhet të ndjekë për aplikimin e vizës për vajzën? A mund të aplikojë vetëm vajza për vizë, apo duhet të aplikojë dhe një nga prindërit për vizë gjithashtu? Duhet dhe ndonjë leje e veçantë për vajzën që të lejohet të udhëtojë pa prindërit dhe t’i lejohet hyrja në SHBA? Theksoj se vajza ka udhëtuar dhe herë tjetër në SHBA, por ka qenë bashkë me të dy prindërit në atë rast.

Zyra konsullore: “Aplikimi do të bëhet për vajzën dhe në ditën e intervistës duhet të shoqërohet nga ju ose bashkëshorti. Nëse vajza do të rinovojë vizën, aplikimin e saj mund ta dërgojë me anë të DHL-së pasi t’i përgjigjet pyetësorit që e kualifikon për rinovim me postë. Në lidhje me lejen për të udhëtuar duhet të pyesni kompaninë ajrore”.

2 – Para 6 muajsh babi im fitoi vizën turistike 3-vjeçare. Për arsye të një gabimi në prerjen e biletës, më shumë se sa ishte deklaruar në intervistë, iu mohua qëndrimi në Amerike/iu mohua viza. Do të doja të dija si veprohet në këtë rast, pra mund të aplikojë përsëri? Dhe sa mundësi ka mundësi ta fitojë vizën përsëri?
Zyra konsullore: “Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/sq/visas-sq/. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë, pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalin në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që të prezumojmë çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni. Dhe, mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë. Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?” nëse dhe kur të aplikoni është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do të ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. Këshilla jonë më e mirë mbetet që të tregoheni të sinqertë dhe të vërtetë përpara oficerit konsullor rreth qëllimeve dhe kualifikimeve tuaja në sportelin e intervistës. Personat që duan të aplikojnë ta dinë që nuk na duhen të shikojmë gjithë ato dokumente – unë dua të bëj një bashkëbisedim me aplikantin e vizës në sportel, pa dokumente”.

3 – Nëse dikush ka aplikuar për vizë familjare F3 dhe aplikimi është aprovuar, por kryefamiljari i familjes që do të tërhiqet është në procese gjyqësore civile (JO PENALE) përbën problem? Dhe nëse po, çfarë rruge duhet zgjidhur që pjesëtarët e tjerë të familjes mos të penalizohen nga kjo gjë?
Zyra konsullore: “Tek F-3 nëse kryefamiljari është aplikanti kryesor – pra biri i qytetarit amerikan, atëherë asnjëri nga familjarët e tij nuk mund të marrë vizë. Kjo pasi familjarët e tij janë përfitues vetëm nëse kualifikohet aplikanti kryesor i vizës për vizë. Por, nëse është bashkëshortja e tij aplikantja kryesore (pra peticioni për bashkim familjar është në emrin e saj), atëherë nuk përbën asnjë problem që ai të mos vazhdojë procedurën për bashkim familjar”.

4 – Mamaja ime ka bërë bashkim familjar me të vëllain që jeton në Amerikë dhe është me pasaportë amerikane. Formulari Form I-130 është marrë në dorëzim nga USCIS California Service Center më datë 01.04.2018. Pas dorëzimit të I-130 ka ardhur një e-mail në të cilin gjendet kodi për të verifikuar çështjen. Që prej datës 1 prill 2014 nuk ka ardhur më asnjë njoftim. Në moment që verifikojmë çështjen online thuhet që do ju vijë një “receipt notice” që do të shpjegojë vazhdueshmërinë. “Receipt notice” nuk ka ardhur. Është kjo një procedurë normale apo ka ndonjë problem? Dhe nëse është e mundur doja të dija sa zgjat procedura e bashkimit familjar?
Zyra konsullore: “Nuk e kuptova qartë kërkesën. Nëse po interesohesh për peticionin e mamasë për bashkim me motrën e saj, kategoria e mamasë është F-4. Kategoria juaj është F4, dhe për muajin prill 2018 janë aktuale çështjet/peticionet e dorëzuara tek USCIS përpara datës 15 shtator 2004. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë tuaj. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar. Aktuale për shqyrtim për vizë janë ato peticione me datë prioritare përpara datave tek tabela e parë: A. FINAL ACTION DATES FOR FAMILY-SPONSORED PREFERENCE CASES, ndërsa tabela e dytë B. DATES FOR FILING FAMILY-SPONSORED VISA APPLICATIONS janë datat se kur NVC u dërgon njoftimin për fillimin e përgatitjes së dokumentacionit në mënyrë që kur ato të jenë gati për një vizë, ato ta kenë dosjen të plotë nga ana dokumentare – pra të mos humbin kohë. Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se cështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe cështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktuale. Mbi përgatitjen për intervistë: https://travel.state.gov/…/iv-dv…/TIA_Tirana.pdf”.

5 – Jam në përfundim të Universitetit Politeknik të Tiranës në degën inxhinieri mekanike dhe isha i interesuar ju lutem nëse unë përfundoj Bachelorin, jam në gjendje të vazhdoj masterin në shtetin amerikan nëse plotësoj të gjitha kushtet e tjera? Me pak fjalë njihet Politekniku në Amerikë?
Zyra konsullore: “Kjo rregullohet drejtpërdrejt nga ju dhe institucioni ku do të aplikoni në SHBA”.

6 – Kemi 12 vjet që presim bashkimin familjar F3. Paraprakisht kur dorëzuan dokumentet, ju thanë do prisni 8 vjet, më vonë me kalimin e viteve na thanë 10 vjet. Mbas 10 viteve pritje na thanë s’ka më 10 vjet. Po futemi në vitin e 13-të dhe akoma asnjë përgjigje.
Zyra konsullore: “Kategoria juaj është F3, dhe për muajin Janar 2018 janë aktuale çështjet e dorëzuara përpara datës 8 janar 2006. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë F3 Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/visa-law0/visa-bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar”.

7 – Kam kushërirën në Bruklin (gocën e xhajës). Kam dëshirë të iki në korrik kur marr lejen nga puna një vizitë për të parë si turiste. Mund të lë takimin që në këtë muaj? 
Zyra konsullore: “Po, patjetër”.

8 – Ne jemi në procedurë dokumentesh për bashkim familjar kategoria F3 dhe kemi 9 vite që presim, dhe sa vite duhen që të marrim vizëñ? Dhe gjatë kësaj kohe, a kemi të drejtë të udhëtojmë me vizë turistike në Amerikë, pasi kemi prindërit atje?
Zyra konsullore: “Kategoria juaj është F3, dhe për muajin mars 2018 janë aktuale çështjet e dorëzuara përpara datës 8 janar 2006. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë F3. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kollonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar”.

9 – A mund të kualifikohem unë për një vizë turistike, nëse jam në proces për një peticion emigrimi?
Zyra konsullore: “Kur je në proces për peticion emigrimi nuk ka bazë për një refuzim automatik të një vize jo-emigruese. Sigurohuni të përmendni që keni në proces një petiticion emigrimi në formularin e aplikimit. Kini parasysh se për një vizë turistike barra e provës bie mbi aplikantin ose aplikanten që të provojë se ai ose ajo ka lidhje madhore me vendin e tij ose të saj”.