Viti 2012 shënoi 4 mijë të papunë në Qarkun e Beratit

612
Sigal

Shifra zyrtare larg numrit real të të papunëve. Vetëm në muajin nëntor janë shtuar rreth 1000 të tjerë, shkak ardhja e emigrantëve

Edhe pse numri zyrtar i të papunëve në qytetin e Beratit flet për rënie të numrit të të papunëve, krejt ndryshe është realiteti. Këtë e pohojnë vetë përfaqësuesit e Zyrës së Punës në Bashkinë e Beratit, të cilët pohojnë se, shifrat zyrtare janë vetëm ajo që është regjistruar nga vetë ata persona që kanë aplikuar si punëkërkues të papunë e që rrjedhimisht trajtohen me përkrahje sociale. Sipas zyrës së statistikave, numri real i të papunëve në qytetin e Beratit është 3-4 fish më i lartë nga numri zyrtar që është deklaruar nga Zyra e Punës. Burime nga zyra e statistikave bëhet e ditur se, fenomeni i papunësisë është një plagë shumë e madhe për qytetin e Beratit. Burimet bëjnë të ditur se, shifrat për vitin 2012 shënojnë një numër prej 4115 familje që nuk kanë asnjë familjar të punësuar, por kjo shifër-sipas zyrës statistikave- nuk pasqyron realisht papunësinë në qytetin e Beratit, pasi nga burime të tjera informale që nuk kanë lidhje me shifrat e zyrës së punës, papunësia është 4-fish më e lartë se shifrat e deklaruara. Numri i të papunëve sipas burimeve zyrtare janë shtuar vetëm për muajin nëntor të këtij viti rreth 1000 punëtorë të 105 bizneseve të vegjël e të mëdhenj që falimentuan dhe mbyllën aktivitetin e tyre. Ky fenomen, ka prekur në qytetin e Beratit gati të gjitha moshat e afta për punë, ku dominojnë më shumë të rinjtë, që edhe pse mbarojnë studimet e larta nuk kanë se ku të punojnë. Bashkia nga ana e saj bënë përgjegjës për shtimin e numrit të papunësisë në Berat qeverinë, e cila nuk ka hartuar prej 15-vjetësh asnjë strategji të avancuar për zbutjen e fenomenit të papunësisë, që jo vetëm është shtuar, por edhe ka mbushur me lista dyqanet ushqimore të qytetit. Sipas zyrës statistikave, numri zyrtar i të papunëve në Berat është një realitet i maskuar dhe shumë i hidhur, pasi në vitin 2010, në zyrën e punës, me shpresën për t’u punësuar, janë regjistruar rreth 12 000 të papunë, të cilët duke parë se askush nuk i gjente një punë në sektorët privatë apo shtetërorë nuk e kanë marrë më mundimin të regjistrohen në vitet në vijim, duke bërë që ky numër të shtohet e jo të pakësohet, siç pohohet në shifrat zyrtare. Berati sipas të gjitha këtyre të dhënave po e mbyll vitin 2012 si vitin më të zi dhe të hidhur të të gjitha kohërave, pasi numri i të papunëve është rritur shumë. Qyteti nga 67 mijë banorë numëron rreth 20 mijë të papunë.