Visho Ajazi: Për pajisjen e përgjimit e morëm vesh 2 muaj më parë, aparatura ishte në Vlorë

525
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika, ka deklaruar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se pajisja e përgjimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ka hyrë në Shqipëri pa lejen e Prokurorisë. Sipas tij, SHISH u informua për këtë pajisje dy muaj më parë dhe më pas njoftoi Prokurorinë. 
“Dy muaj të shkuara morëm informacion se një pajisje kishte ardhur në Shqipëri. Ne u informuam që ajo pajisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Se çfarë është kjo pajisje, të gjithë mund ta shohin në internet. Ajo pajisje na thanë se nuk ishte deklaruar. Për këto arsye, i shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdorej në mënyrë të paligjshme, raportova te Prokurori i Përgjithshëm. Kaq informacion kishim ne. Lidhur se me çfarë është thënë në media, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se kemi punën tonë.
I kërkuam Prokurorisë të marrë informacione më shumë për këtë pajisje. Për asnjë moment ne nuk kemi kërkuar të zbulojmë si përdoret kjo pajisje, se ne nuk kemi tagër. Është tagri i Prokurorisë, i vetmi informacion që kishim është që pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe përdorej për trajnim nga policia italiane për policinë shqiptare. Të gjitha të tjerat janë nga Prokuroria, s’kemi asnjë informacion kush është përgjuar dhe si është përgjuar.
-Kjo pajisje lejohet këtu? Është e ligjshme? 
“Nuk është në tagrin e Shërbimit për të përcaktuar ligjshmërinë e saj. Organi i vetëm që ne njohim për përgjim parandalues është Prokuroria e Përgjithshme. Është ajo që përcakton nëse pajisje të tilla duhen përdorur. Kjo pajisje nëse hyn në Shqipëri, Prokuroria duhet të japë “OK” e saj. Unë e kam raportuar vetëm te Prokurori i Përgjithshëm këtë, më vonë kam biseduar edhe me institucione të tjera të shtetit”. 
-Pajisja është përdorur për trajnim apo keni informacione se është përdorur për përgjim? Prokurorin e Përgjithshëm e informuat me shkresë? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? Keni kontaktuar ministrin e Brendshëm? 
“Ne nuk kishim informacion për çfarë është përdorur pajisja përderisa dinim se kishte shkuar për trajnim. Nuk kemi informacion që është përdorur për përgjim. Pas Prokurorit të Përgjithshëm jam thirrur nga Presidenti. Nuk kam kontaktuar me ministrin e Brendshëm”. 
-Kush ka tagër të bëjë përgjim? Punonjësit e Policisë që trajnohen? Çfarë kapaciteti ka kjo pajisje? Ka të drejtë ministri i Brendshëm ta përdore pa lejen e Prokurorit? 
“Është një pajisje e domosdoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Është krejt legjitime për ta pasur atë. Nuk e kam parë asnjëherë këtë pajisje, nuk kam informacion për kapacitetet. Pajisje të tilla janë mjaft të fuqishme”.
Sigal