Virozat e stinës, çdo ditë mbi 130 pacientë durrsakë në urgjencë

552
Sigal

Mjekët japin këshilla për përballimin e sëmundjeve që kanë si shkak ndryshimin e kushteve klimaterike

Në repartin e urgjencave të Spitalit Rajonal të Qarkut të Durrësit, ashtu si dhe në atë të pediatrisë për çdo ditë paraqiten rreth 130 pacientë. Këtë shifër e bën me dije shefi i këtij reparti doktor Ashim Zogu. Por krahasuar me problematikën e muajve të verës, në këtë sezon vjeshtor tipologjitë e sëmundjeve të shfaqura ndryshojnë. Patologjitë tipike të sezonit janë tashmë sipas Dr. Zogut, virozat, bronshitet, rihnitet dhe kryesisht laringitet që përbejnë edhe numrin më të madh të pacientëve të paraqitur për ndihmë mjekësore. Kjo tendencë është në rritje të përditshme edhe për shkak të ndryshimit të kushteve klimaterike. Durrësi si zonë bregdetare ka kohë të freskët dhe me lagështirë, gjë kjo që është pasqyruar edhe në shëndetin e banorëve të këtij qyteti. Sipas mjekeve megjithëse ky numër është i madh nuk mund të merret si prag epidemie, pasi edhe numri i banoreve në qytet është mjaft i madh tashmë. Mjeket presin që në të ardhmen duke u nisur nga përvoja, ky numër do të rritet pasi virozat nën kushtet e ftohjes së mëtejshme të motit bëhen edhe më të shpeshta. Po kjo situatë pritet nga fund i vitit realisht fund i muajit dhjetor dhe fillimi i muajit janar.

Fëmijët

Sipas mjekëve në këtë periudhë janë moshat e vogla, të porsalindurit dhe fëmijët si dhe moshat e tret, ata të cilët e ndjejnë më shumë ndryshimin e stinës nga ndryshimi drastik i temperaturave dhe kështu janë të rrezikuar nga përkeqësimi i shëndetit. Dr. Ashim Zogu thotë se edhe duke qenë se organizmi i tyre është mjaft i ndjeshëm krahasuar me moshat e tjera edhe kujdesi është më i madh në raport me këto ndryshime. Ndërkohë, mjekët pediatër, rekomandojnë kujdes në veshje dhe në ushqimin e të vegjëlve si dhe vëmendje maksimale të të rriturve karshi luhatjeve të temperaturave trupore që mund tu ndodhin atyre. Me shfaqjen e virozave, mjekët rekomandojnë që pacientët duhet të kenë kujdes që të sigurohen në mjedise të ngrohta, të pastra dhe të mirë ajrosura, me qëllim që të mos lejohet që viruset e përhapura në ajër të bëhen burim sëmundshmërie edhe ndaj të tjerëve që ndodhen në afërsi të atyre që janë sëmurë.