Virgjil KULE/ Që reforma në Radiotelevizion të mos dështojë si herët e tjera

654
Sigal

Me një buxhet të garantuar prej 10 milionë eurosh në vit, falë taksave të publikut, qirave e reklamave dhe me asete të akumuluara që kapin vlerë e 1 miliard eurove, nuk mund të thuhet kurrsesi se performanca e RTSH pengohet nga problemet financiare. Nuk mund të thuhet as se kjo performancë pengohet nga mungesa e kuadrit makro-ligjor. Me asistencën e BE-së janë qëmtuar formulat që i përshtaten vendi tonë dhe është hartuar një ligj mjaft i mirë. Megjithatë, në publik vlon shqetësimi se RTSH-ja nuk ka mundur të performojë siç duhet, madje ka rrëshqitur shumë thellë në honin e mungesës së profesionalizmit dhe të politizimit ekstrem. Transmetuesi publik ka humbur spektatorin dhe është shndërruar në një barrë  për taksapaguesit. Të gjithë rrudhin buzët kur flitet për RTSH. Reformat e deritanishme nuk kanë pasur sukses.

Po pse? Sepse asnjë reformë nuk ka prekur rolin dhe detyrat e Këshillit Drejtues, përgjegjësit kryesor të funksionimit të këtij institucioni. I lakuar me bujë të madhe në kohën e zgjedhjes, ky këshill zhduket papritur nga sytë e publikut, mbetet në hije të plotë deri në zgjedhjet e ardhshme. Askush nuk i sheh më të shprehen publikisht kryetarin dhe anëtarët, megjithëse janë pikërisht këta që mbajnë përgjegjësinë për mbarëvajtjen ose dështimin e institucionit.

Përvoja ime e gjatë drejtuese jo vetëm në media shtetërore, por edhe në atë private, brenda dhe jashtë shtetit, më thotë se kjo situatë mund të ndryshojë vetëm në qoftë se “demi kapet nga brirët”. Të kapësh demin nga brirët në këtë rast do të thotë që të vendosësh raportet e duhura midis dy poleve ekstreme që justifikojnë ekzistencën e RTSH publik: pronarin, publikun, i cili ngarkon Këshillin Drejtues si përfaqësues të interesave të tij  dhe Redaksinë Krijuese që realizon produktin final të sipërmarrjes – programin televiziv e radiofonik. Është fat i mirë që reforma e radhës mund të kryhet pa pengesa artificiale politike sepse, në bazë të ligjit, është koha për të zgjedhur një këshill të ri drejtues. Kjo sa për fillim sepse suksesi i reformës nuk do të varet aq nga ndërrimi i njerëzve se sa nga këndvështrimi i tyre mbi detyrat dhe përgjegjësitë që marrin përsipër. Këshilli i ri nuk duhet të  jetë një shumë aritmetike e individëve me integritet  kulturor (të tillë individë ka pasur edhe këshilli i vjetër), por një skuadër kompakte me objektiv rikthimin e audiencës së munguar.  Skuadra, e cila, nëpërmjet parlamentit, do të delegohet nga publiku për të menaxhuar median e publikut, duhet të marrë përgjegjësi të plota ligjore që RTSH të nxjerrë produkte programore të nivelit të lartë, të përputhura me ligjin dhe me mekanizmat e ekonomisë së tregut të mediave. Flitet shumë për aplikimin e mekanizmit të tregut, por kur vjen puna te RTSH harrohet se  e gjithë struktura drejtuese duhet ta masë punën e vet me cilësinë e programit dhe me asgjë tjetër. Disa televizione private konkurrojnë fuqishëm në treg pikërisht se pronarët e drejtuesit e tyre e ngrysin dhe e gdhijnë duke vrarë mendjen pikërisht për programin dhe realizuesit e tij, kurse në RTSH aktual ka një distancim të çuditshëm midis ekipit menaxhues dhe produktit final. Të ashtuquajturat reforma e kanë theksuar edhe më tej këtë distancim. Janë krijuar gjithfarë departamentesh e drejtorish që veprojnë si jastëkë sigurie për shmangien e përgjegjësive të drejtuesve ndaj dobësive programore. Po kështu i është lënë hapësirë një trafiku të dyshimtë interesash. Mbisundon puna me projekte nga njerëz të jashtëm që nuk i kalojnë asnjë filtri artistik ose nga pak “fatlumë” të brendshëm, herë  vetë drejtues e herë të afërt me drejtuesit. Kjo e ka  asfiksuar shpirtin krijues të institucionit. Si pasojë, konkurrenca e jashtme me televizionet private është zëvendësuar nga lufta e brendshme për të siguruar ndonjë nga këto të ashtuquajtura projekte. Rezultati: RTSH ka humbur aftësinë konkurruese, shikueshmërinë dhe besueshmërinë e publikut.

Që reforma e tanishme të mos përfundojë në demagogji, logjika e veprimit të Këshillit Drejtues  duhet të priret nga ekonomia e tregut, nga konkurrenca e institucionit që ai drejton në raport me mediat e tjera audiovizuale. Vetëm një Këshill Drejtues i fokusuar në përditshmërinë e programit radioteleviziv është në gjendje që të garantojë interesat e publikut, pronarit real të këtij institucioni. Anëtarët e tij, që kandidohen me dëshirën e tyre, duhet të kenë mirë parasysh se do jenë aty  jo për mbledhje rutine, por për një  qëmtim e kontroll të hollësishëm të çdo minute të programacionit. Por më parë se ata, këtë duhet ta ketë parasysh komisioni i medias në përzgjedhjen e individëve të aftë e të predispozuar për të mbajtur mbi shpatulla këtë përgjegjësi të madhe.

Vendosja linjës së drejtpërdrejtë organizative midis Këshillit Drejtues (përfaqësues i publikut pronar) dhe produktit final të RTSH, (programeve), kërkon një rishikim thelbësor të axhendës së punës dhe rregullores së këtij këshilli. Ai duhet të mblidhet më shpesh dhe të analizojë me hollësi çdo segment kohor të programacionit radiofonik dhe televiziv, të kryejë  audicione të rregullta e të hollësishme të programeve dhe të përcaktojë se sa ato programe i qëndrojnë konkurrencës në treg dhe parametrave që përcakton ligji.  Gjithashtu Këshilli Drejtues duhet të krijojë njësi më të vogla auditimi, me nga një ose dy anëtarë, të cilat, në bashkëpunim me drejtoritë përkatëse dhe stafin realizues, redaktorë, operatorë dhe regjisorë, të shqyrtojnë programe të veçanta, përfshirë edhe ato informative, dhe të nxjerrin në pah vlerat dhe mangësitë e tyre.

Konkluzionet e audicioneve të Këshillit Drejtues shndërrohen në detyra për zbatim për stafin ekzekutiv, drejtorin e Përgjithshëm, drejtorët e radios e televizionit dhe shefat e redaksive. Thënë ndryshe, drejtuesit ekzekutivë, duhet të japin llogari para Këshillit Drejtues mbi bazën e kriterit të cilësisë së çdo programi veç e veç dhe të kushteve e mjeteve për realizimin e tij.  Aplikimi i llogaridhënies duke u mbështetur në strukturën programore, ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e kësaj strukture, për shkak se diskutimet nuk humbasin në erudicione të shterpëta dhe elemente proceduralë, por fokusohet mbi gjëra konkrete që kërkojnë mendime konkrete.

Fokusimi i Këshillit Drejtues mbi cilësinë e programeve, krijon njërin nga dy polet kryesore organizative të transmetuesit publik. Poli i dytë janë redaksitë, vendi, ku mbruhen programet. Ato duhet patjetër të fuqizohen e të  funksionojnë si minitelevizione për fasha të caktuara orare.  Redaksitë duhet të kenë buxhetet e tyre, mjetet kryesore realizuese dhe njerëzit përkatës, ashtu sikundër edhe fonde të caktuara për projekte nga bashkëpunëtorë të jashtëm, por kurrsesi përqindja sasiore dhe morale e këtyre projekteve nuk duhet të mbizotërojë mbi programet e prodhuara nga vetë redaksia. Punonjësit e brendshëm nuk duhet ta ndjejnë asnjëherë veten të diskriminuar.

Në redaksi,  ku përqendrohet procesi krijues dhe kontrolli i imët artistik i çdo programi,  bëhet edhe përzgjedhja graduale e njerëzve më të suksesshëm. Media radiotelevizive nuk është një vend pune për të vegjetuar, por është vend krijuesish protagonistë, që shfaqen çdo ditë e natë para publikut dhe që janë në kërkim të vazhdueshëm të suksesit. Dhe suksesi është i matshëm. Dihet nga të gjithë se një program i mirë, i realizuar në vazhdimësi nga protagonistë të suksesshëm, tërheq reklamën. Është e domosdoshme që një përqindje e caktuar e saj të shkojë për shpërblimin e protagonistëve, për ata që garantojnë shikueshmërinë. Vetëm kështu RTSH mund të bëhet joshës për njerëzit e talentuar. E pajisur me autoritetin e nevojshëm administrativ, redaksia ka mundësi të ndërtojë me sukses edhe hierarkinë e vlerave. E ndodhur ballëpërballë konkurrencës së ashpër mediatike, ajo bën çmos që të rrisë cilësinë e programeve në mënyrë që të mbijetojë.  Redaksia, së cilës i jepet mundësia të shpërblejë të suksesshmit, ka gjithashtu edhe mundësinë të verë para përgjegjësisë, deri për largim nga puna, të atyre që nuk arrijnë të performojnë si duhet. Kështu vihet në lëvizje mekanizmi i tregut. Kush nuk ka sukses nuk vlen.  Shefi i redaksisë vendoset në një pozitë të atillë përgjegjësie, sipas të cilës ose do të largojë të paaftët ose veten e vet. Rrugë të mesme korruptive, për të luajtur me paratë e taksapaguesve, nuk ka.

Redaksia mirëkompletuar është baza nga ku fillon llogaridhënia para publikut pronar, si për cilësinë ashtu edhe për sasinë e programeve. Dy linja ka kjo llogaridhënie. Njëra shkon për kah drejtuesve më të lartë ekzekutivë (drejtorët dhe drejtori i përgjithshëm) dhe tjetra për kah pronari (publiku) i përfaqësuar nga Këshilli Drejtues. Në të parën shprehen hollësitë e punëve, pengesat, vështirësitë, kërkesat financiare organizative etj, kurse në të dytën analizohet kryesisht cilësia dhe konkurrueshmëria e programeve. Bëhen kështu funksionalë dy pole kryesore në ekstremet e skemës organizative: Këshilli Drejtues dhe redaksitë realizuese. Drejtuesit ekzekutivë duhet doemos të gjenden në mes këtyre dy poleve, jo për t’u shtypur prej tyre, por për të lehtësuar komunikimin. Sot për sot kjo skemë praktikisht nuk ekziston. Në praktikë RTSH vepron si institucion i pakonsoliduar shtetëror dhe jo si institucion publik. Prandaj edhe bie aq lehtë në prehrin e qeverisë.

Duhet të ngulitet mirë dhe të pasqyrohet qartësisht në rregullore ideja se Këshilli Drejtues është përgjegjësi final para publikut. Ai nuk mund të mbetet anonim dhe as të fshihet prapa Drejtorit të Përgjithshëm, të cilin ka kompetenca ta kontrollojë, udhëzojë e deri ta shkarkojë, po qe nevoja. Figura e vërtetë përfaqësuese e RTSH është Këshilli Drejtues, kryetari dhe anëtarët e të cilit duhet të raportojnë periodikisht para publikut dhe jo vetëm para komisionit parlamentar. Ky raportim bëhet nëpërmjet vetë medias që drejton, por edhe nëpërmjet mediave të tjera dhe raporteve të progresit dërguar komisionit të medias.

Si përfundim,  RTSH publik duhet të ndërtojë mekanizmin organizativ në të cilin Këshilli Drejtues, që drejton në emër të publikut pronar, të mbajë përgjegjësinë ligjore dhe të ushtrojë kontrollin e drejtpërdrejtë mbi punën e redaksive që prodhojnë programet. Drejtuesit ekzekutivë dhe aparati i tyre duhet të vendosen rigorozisht në mes të këtyre dy poleve për të lehtësuar dhe mbështetur realizimin e programeve dhe fluksin e llogaridhënies. Nuk është fort i lehtë as të kuptuarit dhe as  realizimi në praktikë i këtij strukturimi bipolar, por është domosdoshmëri absolute e ekonomisë së tregut. Ndryshe, asnjë reformë nuk mund të ketë sukses në transmetuesin publik. Dhe një RTSH vërtet publik është ndër treguesit më të rëndësishëm të shkallës së demokracisë së vendit që synon të kapë standarde europiane.