VIP-at që kanë grabitur 1.2 miliard lekë

520
Sigal

Autoriteti Portual Detar: Gati procedimet penale dhe publikimi listës emërore të përfituesve!

Pas koncesioneve, duket se skandalet në Portin e Durrësit nuk kanë të sosur. Burimet zyrtare dhe të besueshme nga APD i thanë “Telegraf” se, “kontrollet kanë zbuluar fakte tronditëse lidhur me sponsorizimet e bëra nga viti 2005 deri në qershor 2013, nga drejtuesit e portit, madje, duke dhënë sponsorizime për botime librash, spektakle për Miss-e, apo edhe shfaqje teatrale pa mbledhur shpesh Bordin Ekzekutiv, të cilit duhej t’i ishin paraqitur dosjet e kërkesat e personave dhe subjekteve private apo shtetërore”. Bëhet fjalë për afro 800 mijë euro, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar, duke u justifikuar për gjoja “sponsorizime librash, koncerte rinore, shfaqje dramash dhe premierash të tjera si komedi etj., dhe janë refuzuar kërkesa për raste jetike nga persona dhe familjarë për kurime jashtë shtetit”. I njëjti burim nga APD tha se, “shpesh sponsorizimet rezultojnë të jenë kryer me letra jo zyrtare, të cilat janë gjendur të paprotokolluara në sekretari, madje sponsorizime janë kryer edhe me letra e porosi deputetësh, zëvendësministrash etj., kryetarë partish etj.”. Autoriteti Portual në Durrës, ka qenë prej vitit 2005 deri në mesin e vitit 2013, institucioni që ka shërbyer si burimi për paratë e spektakleve, emisioneve në TVSH apo TV private, për individë që botonin libra duke nisur nga vëllimet poetike, novelat e deri tek romanet dhe aktivitetet e tjera me karakter kulturor, artistik e politik. Kontrollet dhe Auditi Brendshëm kanë zbuluar shkeljet duke zbuluar skandalin, i cili tejkalonte çdo limit financiar të lejuar me ligj. APD ka patur gjithmonë një fond të caktuar për marketingun dhe sponsorizimet dhe ishin caktuar edhe kriteret e miratimit të kërkesave nga individët dhe subjektet private dhe shtetërore. Ka rezultuar se, ka mjaft individë që kanë marrë 3 dhe 4 herë sponsorizime nga APD, herë me miratimin e Bordit Ekzekutiv ( dhe shumicën e votave) dhe herë pa miratimin e tij, për botime romanesh dhe spektakle të ndryshme. APD ka sponsorizuar edhe aktivitete politike, të kamufluara si “sponsorizime për botime”, apo edhe sponsorizime për udhëtimet jashtë shtetit të qeveritarëve, ministrave, deputetëve, vëllezërve dhe nipërve të tyre, apo edhe personave publikë. Vlera e deritanishme financiare ka arritur në afro 800 mijë euro, por nga burimet zyrtare mësohet se ajo mund të rritet pasi në arkivin e APD mungojnë edhe komponentë të tjerë që lidhen me aktivitetin e portit dhe aktivitetet e tij jashtë dhe brenda vendit. Piramida e re drejtuese e APD ka kërkuar ardhjen e KLSH si dhe ka vendosur që personat përgjegjës të shkojnë në ndjekje penale. Skandali i sponsorizimeve ka ardhur pas zbulimit të skandaleve me koncesionet në APD, të cilat kanë mbuluar me hije korrupsioni ish-drejtuesit dhe ish-ministrat. Sponsorizime nga APD kanë marrë edhe disa media në formën e reklamave, por gjithmonë duke i diferencuar ato. Pritet që raporti përfundimtar ti bëhet me dije Ministrisë Transporteve dhe organeve kompetente, bashkë me emrat e personave përgjegjës, por edhe të atyre që kanë përfituar goxha para nga APD me rrugë antiligjore.

Behar HOXHA