Vilma e “Check-up”, urdhëron shtetin të bllokojë informacionin e këtij koncesioni korruptiv e fiktiv

630
Përparim HALILI
“Telegraf”, prej 1 viti po kërkon të dhënat zyrtare të lidhjes dhe zbatimit të kontratës 110 milionë euro që paguhet nga taksat e shqiptarëve
Përmendim skandalin që ne e denoncuam dje, por që është denoncuar shpesh edhe nga shumë medie të tjera vendase e të huaja dhe që gjendet prej disa muajsh edhe nën hetim nga prokuroria: Gjatë vitit 2015, shërbimi i kontrollit mjekësor të quajtur “Check-up” u krye vetëm nga 244 mijë persona, ndërsa sipas kontratës dhe llogarive të pagesave të kalkuluara prej Ministrisë së Financave, detyrimi i këtij koncesioni është për t’u kryer për 475 mijë kontrolle. Ky detyrim kontraktual, tashmë është bërë publik, paçka se vazhdon të mbahet “sekret” prej koncesionares Vilma Nushi dhe ortakëve të saj. E po kështu, mbahet i fshehtë edhe prej institucioneve shqiptare, të cilët e kanë detyrim ligjor dhënien e informacionit për çdo shërbim, blerje, shitje apo investim që kryhet me fondet publike! Sikur të mos mjaftonte shkelja e ligjit me fshehje antiligjore të të dhënave të kësaj kontrate abuzive, të përfituar prej kompanisë “3P Life Logistic” të Vilmës së cigareve për të cilat ka ca “gojë të liga” që tregojnë se në ç’mënyrë, në çfarë sasie, cilësie e me çfarë markash dhe pullash futen në Shqipëri dhe me çfarë të dhënash raportohen pasi kalojnë traun e doganës! Kush e lejon këtë fuqi antiligjore për të penguar informacionin për median, për verifikuar, nëse ky koncesion është ose jo hajdutëri që mbush thasët e disa “çakejve” që po shqyejnë e po ndajnë në thela financat kombëtare? Mos vallë, “bosja” e “Check-up”-it ka “injektuar shiringën” e komprometimit dhe në institucionet ligj-zbatuese të shtetit?! Mos vallë, pjesë e këtij koncesioni janë dhe ata që e kanë dhuruar dhe po lejojnë të abuzohet?! Ndryshe, nuk ka mundësi që fuqia e saj të ketë arritur deri në atë masë, sa të urdhërojë dhe të ndalojë këto institucione, që të mos e publikojnë “dosjen e zezë” të këtij koncesioni të nisur, të bitisur e të vazhduar me përfitime të paligjshme në miliona euro. Edhe Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë, ka denoncuar dhe publikuar prova, që “Check-up” po bëhet nëpërmjet listash në numër dhe emra banorësh të zonave periferike malore, të cilët nuk e dinë fare se ç’është “Çhek-up”-i, fakt ky i publikuar ky edhe në medie më zë e më figurë në zyrat e shëndetësisë së Kukësit, në prezencë të ish-ministrit “chekapist” Ilir Beqja. E po kështu, thuhet, se ka edhe një falsitet tjetër, në regjistrimin e moshës, duke vendosur datë dhe vit lindjeje false! Informacioni për këtë koncesion është bllokuar qysh ditën e zhvillimit tenderit, inskenuar dhe hermetizuar nga ish-ministri Ilir Beqja, nga Ministria e Financave dhe nga kupola e “Rilindjes”! Gazeta “Telegraf”, prej 1 viti po kërkon të dhënat zyrtare të lidhjes dhe zbatimit të kontratës 110 milionë euro që paguhet nga taksat e shqiptarëve, por si përgjigje kanë ardhur presione edhe me gjyqe, duke kërkuar të mos vazhdojnë publikimet e fakteve korruptive të këtij koncesioni fiktiv me vlerë 110 milionë euro që paguhet nga taksat e larta e të shumta të shqiptarëve dhe të bëjmë përgënjeshtrimin e realitetit. Kërkesës së shpeshtë të “Telegraf”, drejtuar kompanisë “3P Life Logistic” dhe institucioneve që kanë vulosur, firmosur dhe monitorojnë realizimin e këtij koncesioni, ata i janë përgjigjur me heshtje e kërcënime të bëra “në emër të ligjit”! Ata kërcënojnë duke përdorur ligjin, ndërkohë që “Nushët” dhe “Rilindësit” në bashkëpunim, janë shkelësit e hapur, të plotë e harbutëror të ligjit, duke inskenuar dhe mbajtur në veprim një krim ekonomik-financiar që për 10 vite, do vazhdoj të zhvasë fondet publike, me copëra letrash e regjistrash fiktivë. Kjo përpëlitje e tyre nuk na tremb, mbasi vjen prej një “çete” të trembur prej krimit të vet! Në vijim, gazeta “Telegraf” do të publikoj një raport të plotë investigues, me deklarime banorësh të cilëve u figuron emri e firma në listat dhe formularët “Check-up”-it, por që nuk e kanë bërë këtë kontroll mjekësor, madje që nuk kanë parë as mjek e infermierë me sy prej 20 vitesh në fshatrat e tyre! Do të publikojmë dëshmi mjekësh, infermierësh, laborantësh, madje edhe shoferësh e sanitaresh të disa qendrave shëndetësore në rrethet Pukë, Korçë, Tepelenë, Përmet, Ersekë, Berat, Mirditë, Librazhd, Gramsh, Vlorë, Dibër etj., të cilët pranojnë në kamera të fshehta dhe në konfidencialitet, se letrat e ”Chek-up”-it plotësohen fiktivisht në zyrat e atyre që paguhen për falsitetin që kryejnë, me milionat që Vilma u zhvat shqiptarëve me koncesionin fantazmë, të dhëna këto, për të cilat gazeta i është drejtuar për ndërhyrje edhe prokurorisë.
Justifikimi se “Check-up” është nën hetim, nuk e bllokon dot informacionin,
Pyetjet janë këto: Përse nuk jepet informacion për dosjen dhe aktivitetin e këtij koncesioni? Çfarë fsheh ministri “monopolist” Ilir Beqja, Ministri i financave “rrush e kumbulla”, shefi i “Rilindjes” dhe Vilma e “Check-up”, e cila ka urdhëruar shtetin, që të mos japë asnjë “presje” informacion për dosjen e koncesionit korruptiv “Check-up”? Përse vazhdon e përdor si mburojë hetimin e nisur nga prokuroria, duke thënë: “Jam në proces hetimi, nuk jap informacion”, gjuhë me të cilën penetron edhe ministria e Shëndetësisë, ajo e Financës dhe e Ekonomisë, madje edhe zyra anti-korrupsion e kryeministrisë! 

Ja për çfarë çështjesh kërkojmë informacion
1. Kopje të plotë të Kontratës Koncesionare të shërbimit “Chekup”.
2. Procesverbalin e VKM, të firmosur nga ministrat në mbledhjen e këshillit të ministrave dhe diskutimet e tyre, lidhur me propozimin dhe miratimin e “Chekup”
3. Vendimin e shoqëruar me procesverbalin përfundimtar të shpalljes fituese të firmës koncesionare, të firmosur nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO
4. Akt vlerësimin financiar të kostos dhe afatit kohor për shërbimin koncesionar “Chekap”, me firmat e grupit të punës.
5. Vendimin për shpalljen (jo shpalljen në Buletinin e Prokurimit Publik), për garën e koncesionit.
6. Informacion shkresor për dosjet e pjesëmarrësve, në garën për koncesionin e “Chekup”?
7. Numrin total të shtetasve shqiptarë që kanë kryer “Chekup”-in, deri në datën 31 dhjetor 2016? 
8. Numrin e shtetasve shqiptarë, që kanë kryer “Chekup”-in deri në datën 31 dhjetor 2016, sipas qendrave mjekësore të çdo Bashkie, Rrethi e Qarku?
9. Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, për të miratuar ndarjen e aksioneve të koncesionit me shoqërinë e karburanteve dhe mbetjeve spitalore “3P LIFE LOGISTIC” Shpk, të administruara nga z. Altin Fani?
10. Informacion, lidhur me qendrat spitalore e laboratorike private, ku sipas kontratës koncesionare, duhen bërë kontrollet e “Chekup”?
11. A ka marrë kompania koncesionare, regjistrat e shtetasve nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe me çfarë urdhri e ligji?
12. A i janë bërë ndryshime kontratës koncesionare të “Chekup”? 
13. A përputhet vlera e paguar nga shteti, me numrin e shtetasve që kanë kryer “Chekup”?
14. Procesverbalet ditore të evadimit dhe asgjësimit të mbetjeve të aktivitetit të “Chekup” sipas qarqeve?
15. Numrin e punonjësve të siguruar të kompanisë “3P LIFE LOGISTIC” shpk, që kryejnë vetëm shërbimin e “Chekup”
16. Shlyerjen e detyrimeve fiskale në shërbimin tatimor prej kompanisë koncesionare “3P LIFE LOGISTIC” shpk., për detyrimet ligjore kontraktuale të “Chekup”
17. Informacion, nëse Ministria e Financave, ka bërë pagesa të këtij koncesioni, përpara shlyerjes së detyrimeve të kompanive të tjera shqiptare e të huaja që presin prej 2-3 vitesh radhën e shlyerjes dhe a ka dijeni ministri aktual i Financave, për këtë tejkalim renditjeje
18. Informacion, mbi raportimin në Ministrinë e Shëndetësisë si autoritet kontrator dhe në Kryeministri, si organ që ka miratuar këtë koncesion
19. Raportet e ballafaqimit të veprimtarisë së koncesionit në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë 
20. Raportet e ballafaqimit të veprimtarisë së koncesionit në Komisionin Parlamentar të
Ekonomi Financës, si financim nga Buxheti i Shtetit
21. Akt Kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë, për zbatimin e kontratës koncesionare “Chekup”, si shërbim shëndetësor
22. Praktikat e shlyerjes së pagesave të bëra nga Ministria e Financave, referuar ligjit, që çdo pagesë në kontratat koncesionare, shoqërohet me raport mbi volumin dhe korrektesën e shërbimit, firmosur nga institucionet shëndetësore
23. Informacion, nëse sipas ligjit përputhet ose jo gjendja penale dhe administrative ligjore e shoqërisë “3P LIFE LOGISTIC” shpk dhe e administratorit të saj Altin Fani, lidhur me veprimtaritë në biznese e koncesione të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë
24. Informacion, nëse ka nisur ndonjë hetim prej Institucionit të Prokurorisë, lidhur me ligjshmërinë e futjes në veprim, mbi procedurat e shpalljes së fituesit, për vlerat financiare dhe zbatimin e koncesionit “Chekap”
25. A ka lidhje kjo kompani apo ortakët e saj me skandalet e bizneseve ndërkombëtare të naftës bruto dhe trafikun e naftës me ish-diktatorin Sadam Hysein?
26. A ekzistojnë lidhje midis Kompanisë së telefonisë rurale “HERMES”, kompanisë së cigareve dhe Check up?
27. A ka lidhje midis këtyre kompanive dhe “Firmës Everst Oil”?
28. Kush e mban përgjegjësinë për ndryshimin e Kontratës me rritjen dhe uljen e moshës. 
29. A mendoni se kjo ka kompromentuar kontratën fillestare dhe është bërë fitues në mes të rrugës kompania aktuale, ndryshe nga çfarë kishte paraqitur në kontratën fillestare?
30. Mbi bazën e çfarë fature tatimore bëhen likuidimet bankare, kush e lëshon faturën, kush e verifikon dhe a ka procesverbale dhe kush i disponon ato?
Sigal