Viktor Bakillari/ Para, përpara për para!

1170
I kalojmë nëpër duar, por pa ditur dhe pa vëzhguar hollësi rreth tyre. A keni parë që në paranë tonë janë stampuar figura të ndritura dhe të lavdishme të kombit? Kështu, te kartëmonedha “200 lekë (dyqind lekë) kemi portretin e Naim Frashërit.  Te kartëmonedha “500 LEKE” (pesëqind lekë) kemi portretin e Ismail Qemalit. Te kartëmonedha “1000 LEKE” (njëmijë lekë) kemi portretin e Ismail Qemalit.  Te kartëmonedha “2000 LEKE” (dymijë lekë) kemi portretin e Mbretit Gent. Te kartëmonedha “5000 LEKE” (pesëmijë lekë) kemi portretin e Skënderbeut. (Për dy të fundit, mu desh t’i kërkoja dikujt për t’i këqyrur!). 

Vazhdojmë: Te secila kartmonedhë është e shkruar “BANKA E SHQIPERISE”, në vend të “BANKA E SHQIPËRISË”. Vazhdojmë: Te kartëmonedha 200 LEKE, nga ana e pasme e portretit të Naim Frashërit, duke picërruar sytë, mund të lexohet: “Je shqiperi, me jep nder, me jep emrin shqiptar”, në vend të: “Ti, Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”. Vazhdojmë: Nëse shikojmë me vëmendje, te kartëmonedhat shqiptare të çdo lloj prerjeje, nga ana drejtshkrimore mungon kryefund shkronja e alfabetit tonë “Ë”. (Shih më sipër, ose kartëmonedhën në fjalë!). 
Gjithashtu, sqarojmë se numërorët me mijëshe nuk shkruhen bashkë siç janë shkruar te kartëmonedhat tona, por të ndarë, pra NJË MIJË, DY MIJË, PESË MIJË.

Po ashtu, para shifrave me tre zero (000), duhej të ketë një hapësirë, ose pikë, pra 5 000 LEKE/5.000 LEKE, por në asnjë mënyrë “5000 LEKE”. 
Po kështu, te kartëmonedha 2000 LEKE (në fakt duhet 2 000 lekë), ana pas Mbretit Gent, lexojmë Amfiteatri i Butrintit. Historia dhe arkeologjia zyrtare na mësojnë se Butrinti ka pasur teatër, jo amfiteatër… e, të gjitha këto janë të papranueshme e të pafalshme. 
Më skandaloze nuk ka se ku shkon; pesë fjalë + dy numërorë = shtatë gabime! Dhe këto nuk janë lajthitje, por faje. Të gjitha këto gafa, nëse janë bërë nga padija, nga analfabetët tanë poste-mëdhenj, janë të përvajshme, por nëse janë bërë me qëllim, atëherë, kjo është kriminale. Një shtet që nuk di të shkruajë saktë as paranë e vet? 
Ja, ky mund të quhet me të drejtë turp! Problemi nuk është aq i thjeshtë saç duket! Organet kompetente, vendimmarrëse duhet t’i japin zgjidhje pa vonesë nëse mund të flasim për seriozitet shteti. Ose të na sigurojnë dhe garantojnë hyrjen në Europë brenda pak vitesh (nëse nuk i premton koha të ndreqë gabimet trashanike te monedha) që të “zhduket” gabimi dhe bashkë me të edhe leku shqiptar dhe të hyjë Euroja.
Edhe diçka brenda temës
Unë nuk do të isha i mendimit që në kartëmonedhat tona të figuronte portreti i njerëzve tanë të mëdhenj. Në shenjë respekti, portretet e tyre mund të stampohen te monedhat, jo te kartëmonedhat, burim i pashmangshëm vesi dhe korrupsioni. Hajdutë, të korruptuar, vrasës, shitës të paskrupuj, horra, drogëshitës… të gjithë mbajnë në xhepa e banka dengje/pirgje “skënderbegësh” e “pjetër bogdanësh”. (Shko dënde ose shtroja filanit me Bogdan e Skënderbe, pa të shikosh ti, mbaron apo nuk mbaron punë – dëgjohet rëndom në popull!). Në fund të fundit, çfarë kriteresh janë caktuar për vendosjen e tyre te kartëmonedhat? Po nesër, (si)kur Banka e Shqipërisë të emetojë prerje 10 000 lekëshe, cilën figurë do të vendosë mbi Skënderbeun? Ka Shqipëria plot vepra arkeologjike, monumente natyrore, kulturore… Ndërsa, tek monedhat, duke qenë se ato u ngjajnë medaljeve, mund të figurojnë portrete njerëzish të mëdhenj.
Sigal