Vikamat e Lurës së shkretueme ju thërrasin në kuvendin e të gjelbertëve

1101
Dr. Selman Meziu 
O SOT, O KURRË! Mushkëritë e gjelbërta të krahinës së Lurës (prej 10 9933 ha. sip.) nuk funksionojnë prej dhjetëra vjetësh. Shkretëtira e shëmtuar e saj, kërkon ndihmën për ripopullim me gjallesat e shumëllojshme. Banorët lurjan janë në pritje të bijve e bijave të tyre, për t’iu kthyer zhvillimin ekonomik me anë të turizmit malor, agroturizmin. 

Ky mision historik i ringjalljes së ekosistemit pyjore, të ripërtëritjes vegjetative të pishnajave, aheve, rrobujve, arnenëve etj, 

-ju takon juve shkencëtari dhe biri i Lurës dhe i fisit të Ajazëve, Msc. Inxh. Nazmi Ajazi, së bashku me birin e Borie Lurës, inxhinierin me përvoje e të pasionuar Kamber Dodëgjini, 

-ju takon juve inxhinieri me përvojë gadi gjysëm shekullore dhe ish drejtori i më shumë se dhjetë vjetëve të pyjeve të Dibrës së Poshtme inxh. Munir Hoxha, 

-ju takon juve që ju përkushtuat pyjeve lurjane si inxhinierë e përgjegjës sektori Inxh. Hasan Kukeli e Ismail Hysa, 

-ju takon juve Teknikëve të Pyjeve; Gëzim Hoti dhe Murat Tollja, të talentuar, që njihni çdo pëllëmbë të ish bukurive magjepse të pyjeve lurjane duke punuar me dinjitet e profesionalitet, përafërsisht gjysmë shekulli. 

Mjafton te mblidheni diku në Tiranë, meqenëse juve jeni tanimë kryeqytetas, të hartoni një program. Më pas të ngjiteni në krahinën e Lurës dhe të filloni kuvendet e gjelbërta me Krej Lurasit, Pregjasit, Fushës, Bories të Gjurit të shoqëruar nga Heroi i ditëve tona në pylltari Lazam Kacin, dhe rezultati do t’ju shoqërojë në këtë mision historik të pylltarisë. Sigurisht duhet të shtojmë se grupi juaj, njeh deri në imtësi, traditat shekullore të lurjanëve, zgjuarsinë e mprehtësinë natyrale, njeh heronjtë në pyllnajat e shekujve, diplomatët, shkencëtarët, njeh bashkëjetesën shembullore mes myslimanëve e të krishterëve. Pra kemi të bëjmë me një popull me vlera patriotike, morale e plot kulture dhe bujari. Prandaj kalanë e gjelbërt do ta ndërtoni dhe përuroni, pa as më të voglin dyshim. Kryerja e regjistrimit të pronave private në pyje sipas, dokumenteve, toponimeve, prej jush në rolin e koordinuesve të komisioneve të fshatarëve do të ishte hapi i parë i afrimit të fshatarëve pranë pronës së tyre, PYLLIT si burim jetese i domosdoshëm. Shembullin e mirë të organizimit dhe menaxhimit e kini. Ai shkëlqen si drita e diellit në kupën qiellore me PYLLIN PRIVAT PREJ 60 hektarësh të bashkëfshatarit të tyre Heroin e pishnajave, Lazam Kacin. Vendosja e një Itifaku/marrëveshje me besë, për mos prerjen e mos kullotjen në ish sipërfaqet e pyjeve të shkretuara, të paktën për një dhjetë vjeçar do të ishte hapi i parë dhe, para së gjithash, pranë Shtatë Liqeneve të Lurës. Më pas duhet të vazhdoni me projektet e programet e tjera sipas shkencës të silvikultures dhe përvojës tuaj shumëvjeçare, për të krijuar ekosistemin pyjor natyral, që ai të rikthehet në stadin vegjetativ, bashkëshoqërues e tipologjik, përafërsisht ashtu siç na e dhuroi natyra prej qindra e qindra vjetësh. Misioni juaj, ndërmarrja juaj plot zgjuarsi, diplomaci, guxim e përkushtim, rezultatet e sigurta që do të arrini, do të jenë një tërmet shtatë ballësh në politikën e programet e Qeverisë ‘Rama 2’, tek Deputetët e Kuvendit Popullor, që ato të zgjohen e të kthejnë kokën e sytë nga pasuria pyjore, deri më tani e braktisur plotësisht. Ndërsa opozita shqiptare edhe kjo do të reflektojë për të drejtuar luftën politike, diskutimet e Kuvendit Popullor, në kryerjen e reformave të thella në organizim, pronësi e ligje mbi pylltarinë, duke sfiduar kështu, pa dyshim të majtën, socialistët. Juve do të ushqeni, realizoni e mbani amanetin inxhinierit të pasionuar, të devotshëm, projektuesit të të ardhmes së pyjeve të Lurës e Dibrës, Ibrahim Doçit, të teknikut të pyjeve që shkriu energjitë e tij mendore e fizike për më se gjysmë shekulli, për të mbajtur të virgjëra pyjet lurjane, Hazis Menën. Prandaj kjo thirrje prej kolegu Ju drejtohet juve që e udhëhoqët me profesionalizëm konservator, me praktikën e silvikulturës moderne, me sakrifica, mund, djersë e inteligjencë, pyjet e paanë të Lurës, të ndërmerrni këtë nismë, si shkëndija për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe të pylltarëve të ligështuar, se natyra, pyjet janë jeta e njerëzve dhe një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare. Është në nderin tuaj që këtë nismë ta filloni juve nga Lura e shkretuar, që gjer dje ishte bukuria magjepsëse dhe mrekullia e pylltarisë
Sigal