Vijon të rritet çmimi i ushqimeve në Shqipëri, në janar i blemë 3,1% më shtrenjtë

614

Ushqimet i kushtuan shqiptarëve në janar 3.1% më shumë se sa i patën kushtuar në dhjetor, ndërkohë që inflacioni vjetor, treguesi kyç për ecurinë e konsumit dhe gjendjen e ekonomisë u ngadalësua në 1.7%, shumë më poshtë se sa objektivi i Bankës së Shqipërisë dhe pritshmërive të qeverisë.

Sigal

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit në janar me 1.7% në krahasim me një vit më parë, një rritje e dobët dhe shumë më e ulët se sa parashikimi i qeverisë për inflacion mesatar 2.7 për qind, ndërkohë që shqiptarët paguan shumë më shtrenjtë për ushqimet bazë dhe më pak për mallrat dhe shërbimet e tjera.

Instituti i Statistikave publikoi të enjten Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin janar, ku kostoja e përgjithshme e jetesës u rrit me 1.7% në bazë vjetore. Rritja e ngadaltë reflekton pjesërisht bazën e krahasimit, (janari i vitit 2017 shënoi rritjen më të lartë të çmimeve në shumë vite), si dhe dobësitë në kërkesë.

Ministria e Financave ka parashikuar në programin ekonomik dhe fiskal të miratuar në janar inflacion mesatar në masën 2.7% për vitin 2018 [link] ndërsa rezultati i janarit sugjeron se pritshmëritë e Financave mund të jenë të ekzagjeruara.

Ekonomia shqiptare konsiderohet e shëndoshë në rastin kur inflacioni mesatar është rreth 3% ndërsa rritja ekonomike reale luhatet rreth 4%. Kur inflacioni është më i ulët, kjo sugjeron se edhe rritja ekonomike nominale apo reale do të jetë më e ulët.

Parashikimi aktual i Bankës së Shqipërisë është që ekonomia do të kthehet në normalitet rreth gjysmës së dytë të vitit 2019, kur inflacioni mesatar pritet të arrijë në 3% dhe rritja ekonomike reale në 4.3%. Por IÇK e muajit janar sugjeron se kjo pritshmëri mund të jetë e gabuar.

IÇK me dy shpejtësi

Indeksi i Çmimeve të Konsumit është rritur me dy shpejtësi shumë të ndryshme përgjatë tre viteve të fundit. Nga dhjetori i vitit 2015 deri në janar 2018, grupi i Ushqimeve dhe Pijeve Joalkoolike është shtrenjtuar me gati 11% ndërkohë që indeksi i përgjithshëm është rritur me 5.6%. Te grupi i ushqimeve, pjesa më e madhe e rritjes është furnizuar nga çmimet e zarzavateve, (40%), frutave (39%) dhe peshk (9.1%). Pjesa tjetër e çmimeve të ushqimeve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara për më shumë se katër vjet. Buka dhe mishi kanë njohur rritje të papërfillshme, vaji dhe yndyra kushtojnë sot efektivisht më lirë se sa në vitin 2015 dhe po kështu edhe pijet joalkoolike.

Pjesa tjetër e shportës, të tilla si veshje, mobilime shtëpie apo shërbime hotelerie e kafenesh ka njohur ndryshime të papërfillshme në çmime. Kafenetë kushtojnë sot njësoj si tre vjet më parë ndërsa grupi i mallrave Mobilje, Pajisje Shtëpie dhe Mirëmbajtje kushtojnë sot 0.1% më shumë se sa në dhjetor 2015.

Inflacioni zakonisht konsiderohet pozitiv në ekonomi pasi pasqyron kërkesën e lartë për mallra dhe shërbime si dhe rritjen e kostos në formën e pagave. Por ky lloj inflacioni i përqendruar në masën dërrmuese në pak grupe mallrash si në rastin e Shqipërisë nuk  mund të konsiderohet si inflacion i shkaktuar nga kërkesa konsumatore. Nuk mund të argumentohet se shqiptarët papritur kanë shfaqur kërkesë shumë të lartë dhe për rrjedhojë, rritje çmimesh, për frutat, zarzavatet dhe peshkun ndërkohë që nuk kanë shfaqur kërkesë për të gjitha mallrat e tjera.