Vidhte makina luksoze dhe i çmontonte, arrestohet pas 30 minutash ndjekje një person

367

Një 30-vjeçar nga Durrësi, i cili vidhte makina luksoze në Elbasan dhe i çonte në qytetin bregdetar, është prangosur nga Policia Rrugore e Elbasanit pas 30 minutash ndjekjeje.

“Policia Rrugore e Elbasanit, pas njoftimit të marrë se një mjet tip “Benz ML”, prodhim i fundit ishte vjedhur në Elbasan, tek Ura e Shkumbinit, ka organizuar patrullat që kryenin shërbim në akset rrugore dhe janë vënë në kërkim të mjetit, duke e konstatuar mjetin që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Bradasheshit, për t’u larguar në drejtim të Durrësit. Patrullat e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë vënë në ndjekje dhe  pas afro 30 minutash, në Bradashesh, njëra nga Patrullat e Policisë Rrugore bëri të mundur bllokimin e mjetit bashkë me personin që e kishte vjedhur”.

Drejtuesi i mjetit, A. P, së bashku me mjetin janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për hetimin e krimit u bë arrestimi në flagrancë.

“Ky shtetas, në lagjen “Shënkoll”, në orët e mbrëmjes ka vjedhur mjetin tip “Benz ML”, në pronësi të shtetasit E. Ç”.

Gjithashtu, nga veprimet e kryera nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se ky shtetas është autor edhe i vjedhjes së automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.M., banues në Elbasan, vjedhje e ndodhur në ditët e para të këtij viti.

Vijojnë veprimet në bashkëpunim me DVP Durrës e Tiranë, pasi ky shtetas dyshohet se ka vjedhur edhe disa mjete të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.