Vidhnin karburantin e mjeteve të gazsjellësit “TAP”, policia i kap në flagrancë: Hajdutët ishin rojet

85

Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “DIEZEL 3” në kuadër të së cilit janë arrestuar në flagrancë nga policia tre roje të një Shoqërie Private të Ruajtjes e Sigurisë Fizike, të cilët duke shpërdoruar detyrën, në kohë të ndryshme, kanë vjedhur karburant në mjetet e gazsjellësit “TAP”.



Ata janë Marinel Demçe, 33 vjeç, banues në Shtyllë-Korçë, Semi Llomi, 23 vjeç, banues në Dvoran-Korçë dhe Armand Bregu, 30 vjeç, banues në Dvoran-Korçë, të tre me detyrë punonjës pranë një Shoqërie Private të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike,

Këta shtetas në kohë të ndryshme, kanë abuzuar me detyrën duke vjedhur sasi të konsiderushme karburanti (naftë) nga depozitat e mjeteve të tonazhit të rëndë në pronësi të një firme të kontaktuar nga gazsjellësi TAP, e cila kryente punime në zonën e fshatit Shtyllë dhe Vithkuq. Sasia e vjedhur e karburantit iu shitej më pas, personave të tjerë prej tyre.

Në kuadër të këtij operacioni filloi gjithashtu procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj shtetasit :

• E.Z, 25 vjeç, banues në Korçë (neni 287/b i Kodit Penal) person i cili duke qenë në dijeni ka marrë prej shtetasve të mësipërm, në vazhdimësi sasinë e karburantit të vjedhur, duke i’a u shitur atë personave të tretë me qëllim përfitimi.

Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua një mjet fuoristradë tip “Mitsubishi” si edhe një sasi prej 360 litra naftë, e ndarë në 18 bidona plastikë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”.