Vidhet banesa në Lalz/ Ristani: Gruaja e fëmijët ishin në gjumë, frika e madhe

541
Banesa e deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani është grabitur gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Mësohet se grabitësit kanë thyer xhamat për të hyrë brenda banesës.
Policia bën me dije se në banesën e deputetit është grabitur një celular tip Samsung me vjerë 10000 lekë të reja, ndërsa dyshohet se autorët kanë qenë 2 ose tre persona.
“Nga Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi gjatë natës në Gjirin e Lalzit është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit A.R. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”,­ thuhet në njoftimin e Policisë.
Deputeti i PD-së në një status në Facebook flet për grabitjen e banesës dhe thotë se bashkëshortja e tij, fëmijët dhe kunata kanë qënë duke fjetur në momentin e grabitjes. Ai thotë se sendet e vjedhura kanë qënë të vogla, por frika e madhe.
“Shtëpia ku po pushon gruaja dhe kunata ime, së bashku me fëmijët në Lalz, është vjedhur mbrëmë, ndërkohë që njerëzit flinin. Nuk ka pasur gjë për të vjedhur përveç ndonjë celulari. Do kisha thenë fatmirësisht dëm i vogël, por ndërkohë janë vjedhur edhe disa shtëpi të tjera ku përveç dëmit, frika dhe trembja e njerëzve ka qenë e madhe”.
Deputeti shton se ky është një tjetër rast që shkon në një linjë me denoncimet që ai vetë ka bërë nga selia e PD-së për rritjen e përmasave të varfërisë dhe rënien e sigurisë në vend.
“Kam denoncuar shpesh në emër të PD, se vjedhjet dhe grabitjet janë shtuar shumë dhe kjo është tregues i qartë jo vetëm i përmasave të varfërisë, por edhe i gjendjes mizerabel të rendit dhe sigurisë në vend. Më duhej edhe kjo që të kuptoja në lëkurën time se si ndjehen njerëzit që ju përdhunohet jeta”
Sigal