Videoskandali, lihen të lirë 2 shokët e të miturës, burg 24 vjeçarit Pasha

505
Sigal

TIRANE – Është zhvilluar sot seanca gjyqësore ndaj tre të rinjve, protagonistë në videoskandalin në Qendrën Spitalore Universitare, ku ata shihen të ngacmojnë seksualisht 17 vjeçaren pa ndjenja.

Në seancën e sotme, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 24 vjeçarin Evarist Pasha, ndërsa ka lënë të lirë me detyrim paraqitje dy adoleshentët, shokët e të miturës.
 
I pari që ka dalë përpara trupit gjykues ka qenë 24 vjeçari Evarist Pasha, ndaj të cilit togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e ngacmimit seksual.
 
Ndërsa për dy adoleshentët me iniciale A.B dhe P.K, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” për akuzën e moskallëzimit të krimit.
 
Evarist Pasha 24 vjeç, ish-student infermierie, ndërsa në momentin e përfshirjes së tij në videoskandal punonte si sekser në një agjensi funeralesh. Ai rezulton një person me precedentë të mëparshëm penalë i dënuar me 6.8 vite burg për trafik të lëndëve narkotike.
 
Nga hetimet e prokurorisë deri më tani rezulton se 24 vjeçari nuk kishte njohje të mëparshme me dy të arrestuarit e tjerë A. B., Patrik Kaço, por se ishin gjendur në ambientet e urgjencës nga rrethana të ndryshme.
 
Nga ana e tij, gjatë marrjes në pyetje, Pasha ka pranuar para grupit hetimor përfshirjen e tij në video, siç edhe nga pamjet.

Së bashku me 3 të rinjtë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë A. Bushaj, 19 vjeç, nga Tirana dhe D. Lamaj 18 vjeç, nën akuzën e ngacmimit seksual. Burime nga Prokuroria se hetimet për këtë ngjarje pritet të mbyllen brenda muajit janar.
 
Një ditë më parë të tre të rinjtë kishin deponuar në polici se videon e kishin nisur si lojë dhe nuk e dinin se përbënte shkelje ligjore.
 
Nga ana e saj, 17 vjeçarja e cila ra pre e ngacmimit seksual të të rinjve, në dëshminë e saj përpara hetuesve ka kërkuar ndëshkimin maksimal për autorët, të cilët po sipas të miturës, kishin qenë me të në një lokal nate, ku ajo kishte përfunduar e dehur.
 
Videoskandali në QSUT, tronditi opinionin publik pas publikimit të tij në rrjetet sociale, mesditën e së shtunës, ndërsa pas 48 orësh, policia arriti të vërë në pranga 3 autorët e dyshuar.