VIDEO/ Shfaqet në Gramsh sëmundja e tmerrshme e bletëve: Sakaton mizat dhe sterilizon meshkujt

243
Shfaqet një sëmundje e tmerrshme në bletë në zonën e Gramshit. Alarmin e jep specialisti i Drejtorisë së Bujqësisë në Gramsh Yzeir Miraka.

“Miza e bletës preket nga disa sëmundje. Këto sëmundje shkaktohen nga agjentë patogjenë, parazitët, substancat toksike, kushtet e vështira të jetesës së bletëve etj. Bletët janë shumë të ndjeshme nga sëmundjet, të cilat mund të jenë, ngjitëse dhe jo ngjitëse. Sëmundjet ngjitëse shkaktohen nga mikroorganizmat patogjenë, ndërsa sëmundjet jo ngjitëse nga kushtet e këqija të mjedisit. Një nga sëmundjet kryesore që përballen bletët është Varroa e cila në fakt është një parazit shumë i lashtë i shfaqur në bletë”, transmeton infoelbasani.al.

Më tej specialisti shpjegon se si bletët në Gramsh janë prekur nga një lloj Varroe e cila është mjaft agresive duke sakatuar pjesët trupore e madje duke i zhdukur fare mizat.

“Sëmundja e shfaqur në Gramsh është shumë e rrezikshme. Larvat e infektuara kanë procesin e zhvillimit të çrregulluar. Në larvën e bardhë konstatohen lehtë pikat e kuqërremta të cilat janë Varroa. Larvat dhe nimfat e infektuara për shkak të thithjes së hemolimfës nuk janë të qeta dhe shpesh lindin me të meta trupore.

Larvave ju dëmtohen disa pjesë të sistemeve qendrore dhe lindin me disa pjesë të dëmtuara të trupit. Pjellja nuk është kompakte dhe egzistojnë hoje të zbrazëta. Lindin bletë me deformime të pjesëve të trupit e më së tepërmi kanë të deformuar krahët e tyre, publikon infoelbasani.al.

Bletët rriten me gjoks dhe abdomen të dobët, dhe kanë pamje jo të mirë. Për shkak të këtyre defekteve, bletët dalin me herët dhe vdesin në fushë dhe shoqëria numerikisht zvogëlohet.

Meshkujt e infektuar humbin aftësinë seksuale dhe bëhen sterilë”.

Specialisti shpjegon se Varroa është edhe një faktor kryesorë për përhapjen e viruseve të tjera në bletari dhe kjo është arsyeja kryesore pse ajo duhet të mbahet në kontroll.

Me anë të një video, specialisti Yzeir Miraka shpjegon edhe si duhet të trajtohet kjo sëmundje.