Video kërcënuese e ISIS tensionon Ballkanin

591
Një video e publikuar nga Qendra e Medias Al Hayati të premten, e njohur si “krahu mediatik i Shtetit Islamik”, shfaq luftëtarë ballkanas që aktualisht luftojnë mes tyre, të cilët i bëjnë thirrje “vëllezërve myslimanë” në Ballkan t’i bashkohen luftimit për ISIS ose “të sulmojnë” jo-myslimanët në shtetet e tyre respektive.
“Radhët e Filahfa që janë të bekuar me muhaxhedinë nga e gjithë bota janë përforcuar nga vëllezërit tanë nga Ballkani. Ata marshojnë së bashku, janë ushtarë të Allahut, nderi i tyre është në Xhihad,” thotë fillimi i videos.
Video e prodhuar me profesionalizëm tregon për atë që ata e shohin si një “nënshtrim të krishterë” të myslimanëve në Gadishullin e Ballkanit, kryesisht gjatë shekullit 20.
Elementët historikë gërshetohen me fjalime të shkurtra nga luftëtarë ballkanas, që secili në gjuhën e tij i bën thirrje myslimanëve të udhëtojnë në Shtetin Islamik ose nëse nuk është e mundur, të sulmojnë jo-myslimanët në vendet e tyre.
“Për ata që nuk mund të vijnë këtu, luftoni atje. Luftoni kundër tyre atje. Nëse ju duhet, vini eksplozivë nën makinat e tyre. Nëse mundni helmoni pijet dhe ushqimet e tyre. Lërini të vdesin. Vritini ata në çdo vend, kudo që mundeni. Në Bosnje, në Serbi, në Sanxhak,” thotë një luftëtar që duket se është nga Bosnja dhe që e quan veten Salahuddin Al-Bosni.
Shumica e luftëtarëve e kanë refuzuar shtetësinë e tyre të mëparshme, ku shpesh shfaqen në video duke grisur ose djegur pasaportat e veta. Ata më pas vendosen nën kujdesin e Shtetit Islamik në kampe, që janë të ndara nga gjuha dhe grupi etnik. Kjo e bën më të vështirë për ata që duan të lënë ISIS dhe të kthehen pas ose të riintegrohen në ish shtetet e tyre.
Megjithëse shumica e atyre që iu bashkuan luftës përkrah ISIS ishin burra, gra dhe fëmijë gjithashtu jetojnë në kampe me luftëtarë. Roli i grave është të gatuajnë dhe të kujdesen për burrat.
Një luftëtar nga Kosova që mban emrin “Abu-Muqatil Al Kosovi,” më parë Ridvan Haqifi nga Gjilani, gjithashtu iu drejtua publikut në shtëpi.
Ai njihet si i afërm me Lavdrim Muhaxheri, një luftëtar i lartë i ISIS, që është shfaqur në video ku ka kryer prerje kokash.
“I çoj një mesazh idhtarëve (që nuk besojnë në Allah) të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Ballkanit. Mos mendoni se e kemi harruar si shtypët myslimanët,” thotë Al Kosovi.
“Ditë të zymta do t’ju vijnë. Do të keni frikë të ecni në rrugë. Do të keni frikë të punoni në zyra. Do të jeni të terrorizuar edhe në shtëpitë tuaja,” kërcënon ai ata që nuk besojnë.
Në të gjithë rajonin, qeveritë kanë organizuar përpjekje të reja kundër fenomenit.
Megjithëse numri i njerëzve nga Kosova që luftojnë në Lindjen e Mesme është i vogël, vetëm 200 nga 1.8 milionë shtetas, ai është sinjifikant sepse feja më parë nuk luante rol në politikën e Kosovës dhe praktikohej privatisht.
Qeveria lajmëroi në 2014 se i ishte bashkuar aleatëve perëndimorë në luftën kundër islamit radikal, gjë që rezultoi në më shumë se 80 të arrestuar që dyshoheshin si imamë dhe ekstremistë.
Të enjten, liderët e Kosovës u shprehën se kanë riforcuar përpjekjet për luftën ndaj grupeve radikale islamiste në shtet gjatë vizitës së të dërguarit amerikan për Koalicionin Global ndaj ISIL.
Ky Koalicion Global është një iniciativë e drejtuar nga SHBA për të formuar një përpjekje të përbashkët kundër ISIS, që përmban 60 shtete, përfshirë disa nga Ballkani.
Në Shqipëri besohet se 632 luftëtarë i janë bashkuar luftimit krah grupeve xhihadiste në Siri.
Dy imamë dhe shtatë mbështetës të tyre janë aktualisht në burg në Shqipëri, të akuzuar për rekrutim të dhjetëra luftëtarëve për ISIS dhe frontin al-Nusra.
Aktakuza thotë se imamët, Bujar Hysa dhe Abdurrahim Balla mundësuan rekrutimin e 70 luftëtarëve nga Shqipëria mes viteve 2012 dhe 2014 përmes xhamive të tyre në periferi të Tiranës. Sipas dokumenteve të zotëruara nga BIRN më shumë se 90 shqiptarë të tjerë i janë bashkuar luftës civile në Siri që nga 2012 dhe besohet se 13 prej tyre kanë vdekur.
Forumi Intelektual Mysliman një organizatë fetare në Shqipëri, dënoi videon dhe i bëri thirrje imamëve në zonat shqipfolëse në Ballkan t’i përgjigjen asaj gjatë predikimeve të së premtes.
“Nuk ka asgjë njerëzore në fjalën e tyre. Ata nuk përfaqësojnë asnjë fe, ndonëse flasin në emër të tij,” thuhej në të.
Pas publikimit të videos, ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviç tha se ai nuk do të lejonte terrorizimin në Serbi, duke shtuar se policia i kishte marrë tashmë hapat e nevojshëm për të mbrojtur njerëzit.
Eksperti ushtarak Aleksandar Radic tha për BIRN se kërcënimi terrorist në Ballkan ishte një realitet, por askush nuk pret një “valë masive sulmesh terroriste”.
Ai tha se shërbimet e sigurisë ishin të dobëta sepse kishin si synim primar mbrojtjen e interesave politikë në vend dhe jo mbrojtjen nga kërcënimet e sigurisë nga jashtë. Rreth 25 shtetas serbë kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Lindjen e Mesme.
Ministri i jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, tha në një konferencë sigurie në Malin e Zi të premten se agjencitë që luftojnë terrorizmin duhet ta koordinojnë punën më mirë dhe se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë më i mirë. Në Bosnje-Hercegovinë komuniteti islamik ka dënuar çdo lloj radikalizmi dhe ka distancuar praktikimin zyrtar të fesë myslimane nga praktikat e dhunës dhe sulmet terroriste.
Në Malin e Zi, Raportuesi i Parlamentit Europian për këtë vend, Charles Tannock, tha se agjencitë e sigurimit po monitorojnë mbi 300 të dyshuar të lidhur me terroristë.
Sipas Agjencisë Kroate të Sigurisë dhe Inteligjencës, luftëtarët e ISIS po e përdorin më së shumti Kroacinë si një zonë transit në rrugën për të shkuar ose për t’u kthyer nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Përveç rastit të dy bashkëshortëve, në Kroaci nuk janë vërtetuar pjesëmarrje të tjera në ISIS.
Sigal