Video e dhunimit të të riut në Kavajë, Totozani rekomandime Didit dhe prokurorit të rrethit

594
Sigal

Avokati i Popullit i ka dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi dhe Prokurorit të Rrethit të Kavajës rekomandime për rastin e dhunës së ushtruar nga policia ndaj një të riu. Totozani i kërkon Didit, marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli. “Rekomandojmë analizimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli për keqtrajtimin fizik të shtetasit Brian Kollçaku”, thuhet në letrën e AP. Ndërsa Prokurorit të rrethit Artan Madani, Avokati i Popullit i rekomandon kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme. Rekomandojmë Kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme për rastin e keqtrajtimit fizik të shtetasit Brian Kollçaku nga disa punonjës të policisë Kavajë, shefi i rendit nënkomisar Pajtim Muhaj, inspektorit Ismail Beu, inspektor Fatmir Baltori dhe k/inspektor Rasim Dakavelli për kryerjen e veprës penale të veprimeve arbitrare parashikuar nga nenet 250 e 25 të kodit penal.

Kërkesa për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shtetit Z. Artan  DIDI

“Rekomandojmë:

1. Analizimin e thellë të këtij rasti, kryerjen e hetimeve administrative të plota, objektive dhe të gjithanshme.

2. Nxjerrjen e përgjegjësive ligjore ndaj Shefit të Rendit dhe Sigurisë në Komisariatin e Policisë Kavajë z. Pajtim Muhaj dhe punonjësve të policisë Ismail Beu, Fatmir Baltori dhe Rasim Dekavelli të cilët kanë qenë të pranishëm në këtë ngjarje, si dhe marrjen e masave disiplinore ndaj tyre për shkelje të ligjit.

3. Rastet e ushtrimit të dhunës fizike nga punonjësit e policisë kohët e fundit, të cilat janë bërë publike në media dhe masat e marra nga ana juaj të përgjithësohen dhe t’u dërgohen organeve vendore të policisë.

4. Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni ndaj këtij rekomandimi, lutemi të na ktheni përgjigje brenda 30 ditëve konform nenit 22 të Ligjit Nr. 8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”.

Rekomandimet drejtuar nga Avokati i Popullit për drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Z. Artan Madani:

Kryerjen e hetimeve të plota, objektive dhe të gjithanshme për rastin e keqtrajtimit fizik të shtetasit Brian Kollçaku nga disa punonjës të policisë Kavajë, shefi i rendit Nenkomisar Pajtim Muhaj, inspektorit Ismail Beu ,inspektor Fatmir Baltori dhe K/inspektor Rasim Dakavelli për kryerjen e veprës penale të veprimeve arbitrare parashikuar nga nenet 250 e 25 të K. Penal. Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni ndaj këtij rekomandimi, lutemi të na ktheni përgjigje brenda 30 ditëve konform nenit 22 të Ligjit Nr. 8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”.