Vëzhgime për t’u korrigjuar në Itali

1020
Sigal

Nga Mustafa Faja

Vërtetë, si shumë të tjerë, kam mbaruar arsimin e lartë për gjuhë dhe letërsi në sistemin e kaluar, por pasioni ishte për historinë e gazetarinë, të cilat nuk i kam lënë në heshtje. Sidomos për të ditur gjithçka, ato më kryesoret më shumë, më ka ndihmuar në fushën e historisë Ish-akademiku Prof. Aleks Buda, prej të cilit kam fituar shumë. Këshillat e tij për mua prezent bisedave ishin të vyera, sidomos për vazhdimësinë time për të ditur më shumë. Duke gërmuar çdo gjë për vendlindjen time, Shijakun dhe origjinën e vendit tim, Shqipërisë, ku arkivat e huaja për gjurmime na i mbylli dikur sistemi i kaluar. Ndoshta për të ditur edhe për Ilirët e Pellazgët, të folurit, maketin e shkronjës sonë me të cilën ka krijuar gjuhën e tij çdo shtet Evropian. Por një pjesë e gazetarëve, në vend që të merren me të vërtetat historike të origjinës sonë kombëtare merren me miqësinë e Kastriotëve me Serbinë apo të Ismail Qemalit me Greqinë. Nuk është qëllimi këtu, por pse të sundojë ky e mos të sundoj unë. Pra, budallallëqe të gazetarëve për të mbrojtur origjinë-lindjen në shërbim të tifozllëkut të partisë që sundon. Pra, injorancë drejtimi për leverdi jetësore politike ngaqë partia ime më paguan. Por, o zotërinj gazetarë, merruni me Copëtimin e Shqipërisë të vitit 1913 e i thoni Evropës “Ne do të futemi në BE vetëm atëherë kur të jenë bashkuar trojet shqiptare”. Kjo duhet bërë. Lëreni politikën e partive dhe merruni me këto që po shkruaj duke dokumentuar të vërtetën historike. Nuk është luftënxitje, por e vërtetë. Po të shkosh në vendet e Evropës 1 deri në 2 faqe të gazetës janë lajme politike, ku secila kushton afro 2 Euro, kurse te ne 3/4 e një gazete është vetëm politikë dhe shitet më lirë, 30 Lek një gazetë. Dhe këto politika partish në Shqipëri janë vazhdë e vitit 1920 kur lindën dy partitë e para, Xhoka dhe Setra.

PAK MË LARG…

Duke u larguar pak nga gazetarët rrogëtarë prej partive, desha të kapërcej te koha e ilirëve dhe te ajo e Skënderbeut, me rastin e Vitit të tij. Desha të di diçka më shumë për mbretin e fundit të Ilirëve, Gentin, dhe për kohën e Skënderbeut. Kam lexuar shumë për to, por pak dimë. Genti ishte i pari mbret, a i fundit, i ilirëve. S’ka rëndësi. Pinte shumë raki. Mos të merremi me këto, por shumë duhet ditur rreth sundimit të tyre. Këto janë brendësira pa leverdi. Kështu, erdhi koha për të parë gjithçka rreth këtyre dy figurave madhore të kombit shqiptar, si në shtetet fqinjë që i kemi sharë 50 vjet rresht, apo dhe më larg. Kështu do s’do mendova të dal për dy javë si weekend në shtetin fqinj, në Itali. Kështu, një pasdite, bashkë me nipin nisem për në zonën e Umbrias, në Gubio, ku ka jetuar ish-mbreti i shqiptarëve, Genti. Mbreti i fundit i ilirëve. Pikërisht ai që u vendos në krye të Luftës së Tretë Iliro-Romake, ku u zu rob nga këto të fundit. Këtu, ai u mor me mjekësinë popullore ngaqë e njihte mirë florën medicinale, sidomos me vlerën mjekësore shëruese të bimës Genciana, që i kishte dhënë emrin këtij mbreti të madh, i cili ishte dhe dajë i mbretit Pirro të Epirit. Por, ç’të shoh!!! Vaj medet kur i thonë. Aty pashë një godinë të mbyllur me dry të ndryshkur me dy pllaka të shkruara në derë, ku me zor dukeshin shkronjat, të dala boje. Një godinë si kabinat elektrike të kohës së Enverit. Për faqe të zezë – thashë me vete. Turp për shtetin Italian. Për këtë figurë madhore të shtetit Ilirian. U largova i menduar. – Kështu na tallin të tjerët kur nuk duam me autoritet veten tonë, vendin tonë, – thashë me vete. E prej këndej, pas një jave, shkoj të shoh Koloseun në Romë dhe vendosa të shoh se ku ndodhet Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kështu, gjatë rrugës në ecje, kur i thonë “Duke pyetur gjen Stambollin”, takoj një burrë të moshuar italian e i them në gjuhë të tij nëpërmjet nipit: – Ku ndodhet Monumenti i Skënderbeut? Ai qeshi e m’u përgjigj: – Afro 1 km rrugë në këmbë. George Kastriota, – tha ai, – ka qenë Shpëtimtari i Evropës. “Këtë e dimë”, thashë me vete. Diku larg në afrim e pashë e thashë me vete “Ja, ky është Burri i Dheut” e anës rrugës mbi një faqe muri lexova një pllakë ku shkruhej: “Piazza Albania”. E në mes të sheshit, ku kalonin dy rrugë të gjëra anësore, qëndronte Monumenti i lartë, ku mbi kalë qëndronte hijerëndë Burri më i Madh i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Kur i thonë: “Burri i Evropës”. Shpëtimtari i saj. Por, do të them: Sheshi rreth e rrotull i pistë, me barishte të gjata kot më kot, për faqe të zezë. Nuk fola, por bluaja ndër vete. Por, … sikur më ndihmoi i Madhi Zot, aty afër gjeta një lulëkuqe të çelur dhe iu drejtova nipit tim pasi e këputa me dhimbje atë: – Alessio, më bëj një foto gjyshit duke vënë këtë lule te monumenti i këtij Shqiptari të Madh, që i jep gjallëri gjithë Evropës deri në Miçigan.

Parantezë

Unë si gazetar i vjetër u drejtohem të gjithë gazetarëve te rinj, me rastin 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Vitit të tij, të bëjnë më shumë duke kërkuar nëpër arkivat turke, hungareze dhe evropiane për të gjurmuar më shumë edhe nga osmanishtja e vjetër mbi jetën e këtij Burri të lavdishëm, familjen e tij, eshtrat e tij, vendlindjen e tij, për luftën e tij 25-vjeçare duke ndërruar edhe emrin për të bashkuar shqiptarët e copëtuar që nga koha e principatave ilire e deri në ardhjen e tij si drejtues.