Vetingu, miratohen 68 kandidatë, debate në komision

698
Mbyllet faza e parë. PD dhe LSI kritikojnë vlerësimet e ONM-së dhe cilësinë e emrave të përzgjedhur, të cilët do të kontrollojnë prokurorët e gjyqtarët
Procesi i ngritjes së organeve të Vetingut po përparon me ngadalë, edhe pas paktit politik mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Megjithatë një fazë e parë e procesit vendimtar për të ngritur organet e reja të drejtësisë është mbyllur dje, duke u miratuar 68 kandidatë për në fazën e dytë të shqyrtimit. Pas mbledhjes së Komisionit të posaçëm parlamentar prej më shumë se 3 orësh, ku duhet të miratonin listën me kandidatët që do të shkojnë për votim për organet e Vetingut, përfaqësuesit e opozitës akuzuan Avokatin e Popullit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për një punë me dy standarde. Sipas tyre, për të njëjtin problem të konfliktit të interesit, disa kandidatë ONM i kishte renditur te lista A dhe disa te lista B. Përveç kësaj, Flamur Noka tha se niveli i këtyre kandidatëve lë shumë për të dëshiruar, ndërsa kritikat nuk kanë munguar edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Edi Rama pretendon të paraqesë juristë të fabrikave të këpucëve, rrobaqepësive, apo që nuk kanë mbrojtur asnjë çështje. Kishte dy persona në konflikt të pastër interesi dhe që ONM i kishte kualifikuar. Kishte disa persona të tjerë identikë me këta që ishin skualifikuar.- Komisioni ynë kishte marrë vendim politik për të kaluar listën që kishte urdhëruar Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat, Flamur Noka. Ndërsa Luan Rama mbështeti parimisht qëndrimin e opozitës për defektin e ligjit dhe dy standardet e përzgjedhjes, por mbështeti gjithashtu listën që miratuan anëtaret mazhorancës. “Dikush që ka vëllanë apo burrin në sistem, i jep dot vlerësim negativ? Kjo është shprehje flagrante e aplikimit të dy standardeve, subjektivizmit dhe papërgjegjshmërisë në zgjedhje. Më vjen mirë që dhe PD ka ndarë të njëjtin shqetësim, pasi ky është qëndrim parimor ndaj procesit të zgjedhjes. Procesi i përzgjedhjes rezultoi të ketë mangësi”, tha deputeti i LSI-së. Nga ana e tij, përfaqësuesi i mazhorancës, Ulsi Manja, kryetari i këtij komisioni, tha se çdo gjë është bërë sipas ligjit dhe se një kandidat i renditur te lista B, pas propozimit të anëtarëve të komisionit, me 4 vota kaloi te lista A. Kjo aplikante ishte Suzana Shutz. “Nga kolegët deputetë pati propozime për emra konkrete, por vetëm një emër arriti të marrë 4 vota siç e përcakton ligji për t’u bërë pjesë e listës me emra që do i përcillen komisioneve të tjera. Komisioni përmbylli me sukses punën e tij”, tha deputeti socialist. Lista për votim përmban 68 kandidatë, mes të cilëve dy komisionet e tjera parlamentare do të përzgjedhin 27 kandidatë që do të jenë pjesë e komisioneve të Vetingut, pas një votimi përfundimtar në Kuvend. Ngritja e komisioneve të Vetingut do të mundësojë nisjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të përcaktuara në ndryshimet kushtetuese e ligjore të vitit të shkuar. 
Denoncimi, një kandidate, anëtare e PS-së
Një kandidate për organet e Vetingut që do të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kualifikuar, edhe pse është anëtare e Asamblesë së Partisë Socialiste. Një qytetar ka denoncuar në media se bëhet fjalë për zonjën Suzana Pasha (Hoti), e cila është avokate në Burrel. Çuditërisht ajo është kualifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (OMN) për organet e Vetingut, edhe pse është pjesë e një partie politike, në rastin konkret e PS-së. Mësohet se Suzana Pasha është përzgjedhur si kandidate potenciale për tre organet e Vetingut. Pra, një anëtare e PS-së do të bëjë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e ri të drejtësisë.
Sigal