“Veting” edhe letrave të Irfan Dashit, për zhdukje mallrash, qira e ankande abuzive në Rezervat e Shtetit

718
Vjollca KUTA
Ministri Fatmir Xhafaj, të çojë për hetim raportin e auditit të Brendshëm, të bllokuar qëllimisht prej ish-ministrit Tahiri, si person i përfshirë në skandale
Hapja e dosjeve dhe hetimet që kanë nisur brenda strukturave të Ministrisë së Brendshme, nuk duhet të “kuadratizohen” vetëm për zyrtarët dhe drejtuesit e policisë, por edhe për drejtuesit civilë të shërbimeve brenda kësaj ministrie, mbasi janë shumë sektorë e drejtori pa “kapele”, në të cilat administrohen miliarda lekë vlera materiale të çdo lloji edhe jashtë natyrës së policisë, por si produkt i veprimtarisë policore, të cilat qarkullojnë me hyrje, dalje, donacione, blerje, ankande, sekuestrime, asgjësime e qira objektesh! 
Irfan Dashi, zyrtar me dosje abuzimesh, ende drejtor qendror brenda Ministrisë së Brendshme 
Një nga këto shërbime të mëdha brenda strukturës së kësaj ministrie është Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit e cila prej 4 vitesh, drejtohet nga Irfan Dashi, ky zyrtar i lartë me veprimtari abuzive, që çuditërisht edhe pas denoncimeve dhe provave konkrete, po vazhdon të komandoj një sektor vlerash materiale kolosale, duke u kapardisur brenda kupolës së ministrisë së Brendshme e cila heton, zbulon, ndalon e lufton edhe krimin ekonomik-financiar! në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” e sidomos të procesit të “Veting”-ut brenda strukturave të kësaj ministrie, i bëjmë thirrje ministrit Fatmir Xhafaj, që të hapë sirtarët dhe të nxjerrë prej andej dosjen Irfan Dashi” dhe ta hetojë së pari, me strukturat e anti-krimit ekonomik-financiar që varen prej tij. Për më tepër, të hapë e çojë për hetim, raportin e auditit të Brendshëm, të bllokuar qëllimisht prej ish-ministrit Tahiri, si person i përfshirë në skandale. Nëse flitet dhe ka vullnet për të pastruar zyrat e shtetit dhe shërbimit brenda policisë së shtetit nga krimi dhe zyrtarët e inkriminuar, në “Veting” duhen përfshirë me urgjencë edhe letrat e veprimtarisë drejtuese 4-vjeçare të kreut të Rezervave të Shtetit, abuzatorit të paprekshëm Irfan Dashi, me pikënisje për zhdukje mallrash, dhënie objektesh me qira edhe për kultivues e trafikant droge, për ankande shitjesh të mallrave, makinave të sekuestruara, produkteve ushqimore, pajisjeve e makinerive të çdo lloji: veshmbathje, elektro-shtëpiake dhe tenderë të shumtë, me objekt blerje mallra e produkte ushqimore për raste emergjencash, që më parë i ka shitur me ankand me çmime të ulëta! Nëse hap dosjet e ankandeve, konstaton se ka propozuar, lejuar dhe miratuar shitjen me çmime 10% të vlerës dhe zhdukjen gjoja me asgjësim e dëmtime, të 41 mijë shishe verë e pije alkoolike “VIP”, por që në fakt, thuhet se i ka bërë dhuratë. Ka shitur për skrap dhe me ulje peshe e pa faturë tatimore, automjete dhe makineri moderne ndërtimi rrugësh, të sekuestruara nga firmat private! Gazeta “Telegraf”, ka denoncuar me detaje dhe me shkresa zyrtare, faktin që ky drejtor bashkë me “bandat” e tij që ka krijuar brenda dhe jashtë Drejtorisë së Rezervave në qendër dhe në rajone, mban nën kontroll gjithçka që futet brenda depove të kësaj ndërmarrjeje si mallra sekuestroje e si ndihma humanitare, siç janë 3000 krevatet dhe batanijet e Korçës që erdhën ndihmë për banorët e përmbytur dhe u zhdukën. Sipas “ca letrave” që disponojmë, thuhet se gjatë periudhës Janar 2016 – Korrik 2017, shteti ka humbur miliona lekë me letra e çmime shitjeje fiktive, të verërave të sekuestruara me çmim 50, 80, 100 e deri 160 euro, por të shitura me çmim të njëjtë 200 lekë/shishja! 

Në 4 vite, rezervat kanë shitur për skrap, 3010 makina në gjendje pune
Deri tani, kjo ministri ka shitur 3010 makina të sekuestruara, duke i listuar dhe klasifikuar ato për skrap. Sipas vëzhgimeve tona dhe denoncimeve që bëjnë qytetarët në qendrat e “burgosjes” së makinave që ndalohen e sekuestrohen, bëhet një marifet i tillë: punonjësit e rezervave i dëmtojnë makinat, policia i vonon qëllimisht në afatet e komisioneve dhe pronarët e tyre nuk janë të interesuar t’i marrim më këto makina të dëmtuara nga pjesa e jashtme metalike, disqet, gomat, dyert, xhamat dhe i braktisin. Nga gjendja motorike ato janë shumë mirë. Por nxirren për skrap si hekurishte. Janë nxjerrë në shitje motorë të çdo lloji, vetura, autobusë, kamionçina e deri motobarka të sekuestruara. Mjafton të shikosh në disa pika shitje makinash rrugëve të Tiranës dhe aty gjen makina të shitura për skrap nga ministria “Tahiri”, të cilat shiten si makina tregu. 
Objekte të Rezervave të Shtetit, dhënë me qira… pa asnjë tarifë financiare
1. Kërkesë për privatizim Depo Mborje (F.V), subjekti ka bërë kërkesën në datën 05. 05. 2015, miratimi i është bërë në datën 07.05.2015 (Nuk ka tarifë)
2. Kërkesë për marrje me qira Agjencinë Shijon (C… shpk), subjekti ka bërë kërkesën në datën 11.05.2015, miratimi i është bërë në datën 13.05.2015 (Nuk ka tarifë)
3. Kërkesë për automjete SHKIZH, subjekti ka bërë kërkesën në datën 28.05.2015, miratimi i është bërë në datën 08.06.2015 (Nuk ka tarifë)
4. Kërkesë për marrje me qira Agjencinë Labinot (P… shpk), subjekti ka bërë kërkesën në datën , 08.06.2015, miratimi i është bërë në datën 11.06.2015 (Nuk ka tarifë)
5. Kërkesë për ambiente me qira (An… shpk), dërguar nga MZHETTS, subjekti ka bërë kërkesën në datën 03.07.2015, miratimi i është bërë në datën 06.07.2015 (Nuk ka tarifë)
6. Kërkesë e për marrje të ambienteve me qira (R…) dërguar nga MZHETTS, subjekti ka bërë kërkesën në datën 23.07.2015, miratimi i është bërë në datën 24.07.2015 (Nuk ka tarifë)
7. Kërkesë për objekt me qira S… G… M… shpk, subjekti ka bërë kërkesën në datën 17.08.2015, miratimi i është bërë në datën 20.08.2015 (Nuk ka tarifë)
8. Kërkesë nga Drejtoria e Rezervave Vlorë, lidhur me rinovimin e kontratës së qirasë për 3 subjekte private (e pa përfunduar). Sipas informacioneve, këtu përfshihen edhe depot e rezervave të Përmetit, ku u kap 12 ton drogë. 
Disa nga dosje, për të cilat duhet të nis hetimi
1. Sa produkte dhe mallra në sasi, emërtesa dhe vlera financiare, janë asgjësuar, në vitet 2014-2017?
2. Sa sasi dhe marka pijesh verëra dhe pije alkoolike prodhime importi, janë sekuestruar në periudhën tetor 2013-tetor 2017 dhe sa janë shitur dhe me çfarë çmimesh, sa janë asgjësuar për dëmtime?
3. Sa ka qenë ndihma materiale e dhuruara nga donatorë të ndryshëm dyshekë, krevate, batanije dhe produkte ushqimore, të depozituara në depot e Korçës dhe të disa rajoneve të tjera, të cilat rezultojnë të zhdukura?
4. Sa punonjës, janë të punësuar me diploma të huaja, të pa certifikuara nga Ministria Arsimit Shqiptar?
5. Sa procese auditi të brendshëm, janë kryer nga Drejtoria e Rezervave dhe cilat janë konstatimet, çfarë konkluzionesh ka nxjerr Auditi i Ministrisë së Brendshme, kryer në Rezervat e Shtetit? 
Sigal