Veteranët e LANÇ kundër asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri

627
Sigal

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar

Sipas mediave botërore po përhapet me shpejtësi lajmi se, Shqipëria e vogël, që lufton për bukën e gojës, arrin të pajtojë e të vërë konsensus midis Moskës dhe Uashingtonit, “si kokë turku”, është caktuar vendi i mundshëm i destinuar për depozitimin dhe asgjësimin e Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) siriane, kur dihet se Siria ka sipërfaqe më të madhe dhe më të përshtatshme se Shqipëria, kur njihen territoret e pafundme të shteteve që i kanë çuar këto armë kimike në Siri, apo kur dihen qëndrimet e shteteve të Europës, anëtarë të NATO-s, për këtë aksion me pasoja të rënda e jetike për shëndetin e popullit.

Ne,  veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, por edhe si ushtarakë për afro 50 vjet në fushën e ruajtjes së atdheut, nuk jemi dakord me prurjen e (LHL) siriane në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe, e konsiderojmë tradhti Kombëtare pranimin e lëndëve helmuese luftarake në territorin tonë, të kujtdo forme e sasie qofshin ato. Mbështesim të gjitha protestat popullore që po bëhen kundër pranimit të LHL të Sirisë në territorin tonë. Ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që si patriotë e përfaqësues të Popullit, të mos miratojnë asnjë ligj, apo vendim të KM, që bie ndesh me shëndetin e popullit e të vendit të vet. Mendoni gjithmonë për të mirën e popullit që ju ka zgjedhur që ta përfaqësoni denjësisht. Mos harroni betimin para popullit! Ndërsa Komisioni Sigurisë Kombëtare ta thotë qartë e prerazi mendimin e tij për pamundësinë e depozitimit dhe të asgjësimit në vendin tonë të LHL-ve siriane dhe për pasojat katastrofike që rrjedhin nga mbetjet e tyre. Për këto arsye nënvizojmë:

  1. Në pikën 1 të nenit 48 të Kushtetutës thuhet: “Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”. Kjo nuk lë vend aspak për interpretime pasi shpreh qartë dhe prerazi çdo lloj mbetjeje, që do të thotë nuk ka vend si forma dhe përmbajtja e tyre, qoftë armë, ose jo, qoftë e lëngët, e ngurtë ose në gjendje të gaztë, e ambalazhuar apo e mbyllur. LHL kanë efekt helmues për më se 100 vjet rresht.
  2. Dihen mirë rezultatet e asgjësimit të LHL shqiptare, që mbetjet e rrezikshme, me një mendjelehtësi kriminale u magazinuan në kontejnerë metalikë dhe brenda dy vjetëve kripërat e metaleve të rënda, si zhiva, arseniku e plumbi i gërryen kontejnerët metalik dhe ndotën dyshemenë e betonit të magazinës. Firma angleze “Savant Enviromental” neutralizoi ndotjen duke ambalazhuar në fuçi plastike mbetjet me afat ruajtje 10 -12 vjet… por më pas çfarë do të ndodhë? Kush do të përgjigjet?!

Është deklaratë mashtruese ajo që bëhet në shtypin e huaj se, gjoja Shqipëria ka përvojë për shkatërrimin e municioneve kimike. Ish makineritë e Qafëmollës, në qoftë se ekzistojnë, nuk janë të përshtatshme për helmet siriane, veçanërisht për helmet e tipit luizit, adamsit, sarin apo për gazin Vx etj., që disponohen atje, të cilat njihen mirë nga shtetet që i kanë prodhuar dhe që i kanë çuar në Siri. Ushtria shqiptare nuk ka pasur asnjëherë armë kimike, veçse lëndë helmuese luftarake.

  1. Sasia e madhe e lëndëve kimike luftarake që disponon Siria, sipas shtypit, kërkon sipërfaqe të madhe, vende të izoluara, larg qendrave të banuara dhe ekspert të kualifikuar inxhiniero-teknikë, por edhe mjete me kapacitete e shërbime të shumta për shkatërrimin e arsenaleve kimike të fuqishme e të  rrezikshme për popullatën, bagëtinë, ekonominë dhe ekologjinë. Theksojmë se incidenti i Gërdecit, që mori më se 26 jetë njerëzish, ndodhi duke kryer një proces të thjeshtë çmontimi të municionit të armëve të zjarrit e jo më asgjësimi i armëve kimike që kërkon kushte teknike të veçanta, të cilat janë jashtë mundësive dhe kapaciteteve tona.

Mendimi i strehimit të LHL në tunelet tona nuk qëndron, pasi ato (tunelet) janë ndërtuar për strehimin e makinave luftarake, të topave e mortajave e të municioneve të tyre tip predhë, dhe jo për lëndë kimike, pasi ujërat nëntokësore do ta përhapin helmin në të gjithë territorin dhe erërat do ta çonin edhe në zonat e populluara.

Kthimi i vendit tonë në depo të lëndëve helmuese luftarake të Sirisë është absurditet, shkatërrues, pse jo edhe i qëllimshëm për vet ekzistencën e vendit tonë. Pasojat radioaktive në Japoni vazhdojnë të shfaqen edhe sot, ku zbulohen raste viktimash. Kur u depozituan plehrat ndotëse nga Gjermania Lindore në Han të Hotit, në Milot e Fier, faturën e ndotjes kimike e paguan shqiptarët. Ndërsa drejtori i Doganës i saja kohe, u shpërblye me një televizor me ngjyra dhe për çudi nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë.

  1. Nuk duhet të harrojmë hezitimin e shteteve; si Franca, Belgjika, Danimarka apo Norvegjia, të cilët kanë eksperiencë me dekada në fushën bërthamore dhe teknikë me nivele të larta, që ruajnë me fanatizëm të admirueshëm natyrën dhe popullatën nga kërcënimet që kanosin afrimin në territore i mbetjeve apo i LHL  siriane.

Ju jemi mirënjohës të gjitha shteteve që na janë gjendur pranë në momente të vështira të historisë, dhe do t’u jemi akoma më shumë në se do të anullojnë propozimin për prurjen dhe asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri.

  1. Shteti jonë, Shqipëria është anëtarë e OKB-së dhe e NATO-s si popull me të drejta të barabartë  me të gjithë popujt e tjerë, me histori e tradita të lashta për tu patur zili. E jo për tu bërë koshi i plehrave të botës, pse kështu nuk paguhen kostot “e aleancës e të partneritetit strategjik apo shpejtimi i statutit të vendit kandidat brenda BE-së”.

Ne e mbështesim VKM që u anulloi importimin e plehrave dhe u ndjemë krenarë për këtë vendim, por i bëjmë thirrje qeverrisë që këtë qëndrim të mbajë edhe tani pasi rreziku për jetën dhe ambjentin është me miliona herë më i madh.

Vështirësitë ekonomike që kemi, janë të përkohshme, ato do ti kalojmë me punë e djersë, duke e dashur Atdheun tonë,  por jo me para helmi, jo me helme e mbetje të helmuara radioaktive. T’u lëmë brezave vend të bukur e jo vdekje nga lëndët helmuese luftarake LHL.

6. Është me vlerë kontributi që jep vendi jonë në zbatimin e Rezulotës nr. 2116 të OKB-së, por jo për famë dhe bujë. Gjithmonë parësore të jetë mbrojtja ekologjike, shëndeti dhe jeta e popullit shqiptar.

Presidenti i Republikës, me atributet që i jep kushtetuta të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të kundërshtojë këtë nisëm të qeverisë amerikane për të përfshirë edhe Shqipërinë në listën e vendeve ku mund të importohen dhe të asgjësohen këto lëndë kimike. Duke mos harruar se qeveritë venë e vinë por populli është i përjetshëm.

Marrëdhëniet tona në arenën ndërkombëtare, duhet të jenë të studiuara mirë dhe me perspektive duke shqyrtuar hollësisht kostot  mjedisore të parikuperueshme dhe kërcënimin ndaj popullatës nga këto armë kimike. Siç është tentuar me ngritjen e termocentralit në Bishtin e Pallës apo gjetkë, ku u pa leverdia ekonomike dhe jo ajo ekologjike. Kjo është detyrë kryesore dhe më themelore e diplomacisë që është betuar për t’i shërbyer vendit dhe interesave të tij mbi gjithçka. Ky është detyrimi i qeverisë dhe i gjithë të zgjedhurve para popullit dhe atdheut. Kjo është e nevojshme tu shpjegohet qartë edhe diplomatëve të huaj që në ndonjë rast nxitohen të diktojnë hapur interesat e vendit të tyre, pa patur parasysh vendin dhe popullin tonë. Të jemi partnerë të barabartë.

Me shpresë, se deklarata jonë do të kuptohet drejt, ju urojmë suksese në detyrën tuaj të lartë dhe fisnike që ju ka caktuar populli.