Veteranët e Beratit, Anastas Arbëri: Qeveria po vret qytetarët pa gjyqe!

46

Flet për “Telegraf”, nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve, Anastas Arbëri: “Jemi më keq se diktatura”

Veteranët në Qarkun e Beratit, të cilët ndjekin me interesim të veçantë zhvillimet politike në vend kanë reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të fundit. Ndërsa kanë bërë një krahasim të vrasjeve të kohës së komunizmit me ato të sotme, ato kanë treguar me fakte diferencën e ndryshimeve. Në lidhje me këtë ata janë shprehur se, gjatë periudhës që drejtonte vendin Enver Hoxha, akuzimet bëheshin me gjyqe dhe akuzat për sabotim dhe tradhti kombëtare vërtetoheshin të gjitha. Ndërsa sot Qeveria e ashtuquajtur qeveri demokratike pushkaton në mes të ditës dhe mbron me ligjvrasësit. Veteranët i referohen në mënyrë të veçantë ngjarjeve të Gërdecit dhe 21 Janarit. Ata shprehen se, këto veprime do të sjellin largimin e shpejtë të Qeverisë “Berisha”. Nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve për Qarkun e Beratit, Anastas Arbëri, shprehet se ngjarjet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Berishës janë tronditëse dhe traumatike për popullin shqiptarë dhe për familjarët e viktimave, të cilët humbën njerëzit e tyre të dashur. “Të dalësh të protestosh me duart në xhepa nuk është një kërcënim për Qeverinë dhe qeveritarët. Nuk kërcënohet jeta e qeveritarëve me gurë, por me armë. Pra, demonstruesit e 21 Janarit nuk kishin armë luftarake me vete dhe në këtë gjendjen të marrësh jetë njeriu të pafajshëm është një krim i madh. Ngjarjet e 21 Janarit, treguan se në Shqipëri nuk ka demokraci, por një diktaturë të egër që se ka njohur historia. Të vrasësh njerëz pa gjyqe kjo është absurde dhe shumë kriminale. Kjo gjë po ndodhë vetëm në Shqipëri”, tha Arbëri.

Nuk zbatohet ligji!

Për 26 viktimat e Gërdecit që humbën jetën nga shpërthimi askush nuk mbajti përgjegjësi edhe pse u zhvillua një gjyq- maratonë dhe dolën shumë qeveritarë pa lagur. Me të drejtë rebelohen veteranët e luftës kur pyesin se ku është drejtësia shqiptare? Pse nuk vuri pikën mbi “i” ligji? Pse i anashkaloi të gjithë ata që duheshin të jepnin llogari para ligjit? Pse ky krim makabër më pas u shoqërua dhe më krime të tjera si vrasje komisarësh, deputetësh, kryetarë komunash dhe deri në 21 Janar, ku vriten qytetarë pa gjyqe në shesh të Tiranës. “Me pretekstin se ishin të rrezikshëm, kur këta protestues kishin vetëm gurë dhe asgjë më shumë. Të katër protestuesit që u vranë pa gjyq në shesh asnjëri prej tyre nuk ishte me precedentë penal, as dhe me armë luftarake, por thjeshtë ishin demonstrues që kërkonin një të drejtë. Por ata në vend të drejtësisë morën plumbat. Shumë qesharake ishte dhe vendimi i gjykatës që liroi në sallën e gjyqit autorët e këtij krimi. Kjo është drejtësia shqiptare. Kjo është e drejta e njeriut në këtë vend. Unë të vras sa herë të dua dhe ti mos u ngri më sepse unë përsëri të vras”, -tha Arbëri. Indinjata nuk ka prekur vetëm këtë shtresë, por dhe shtresa të tjera si intelektualët, rininë, të cilët shprehen se, në Shqipëri nuk ka demokraci, por diktaturë.