Vesel Koçia: “Kemi treguar se dimë t’u shërbejmë qytetarëve”

582
Sigal

INTERVISTA/ Vesel Koçia, kandidati për deputet i PD-së për Qarkun e Vlorës dhe drejtori i ALUIZNI-t në Sarandë

– Zoti Koçia, si ndjeheni nga ky vlerësim i PD-së për ju, duke u futur në listat e kandidatëve për deputet?

– Nuk do tregohem modest! Jam shumë krenar që kryeministri Berisha dhe PD-ja, më vlerësuan, duke më renditur në listat e përfaqësisë së kandidaturave për deputet .Kjo për mua është edhe një detyrim madhor përballë elektoratit, përballë strukturave të PD-së, por edhe ndaj kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha

– Si e vlerësoni klimën elektorale? Çfarë mesazhesh keni marrë nga mbështetësit dhe votuesit tuaj?

– Me sa shohim, jo vetëm në Sarandë, por edhe gjetkë është një nga fushatat më të qeta e më të përgjegjshme, më qytetare e më të qarta. Nga njëra anë, është për t’u përgëzuar qëndresa, mbështetja e madhe e gjithë elektoratit të Sarandës dhe rrethinave dhe gjithë qytetarëve që mbështesin alternativën e PD-së, ndonëse kërkon mandatin e tretë. Kjo tregon se qytetari di të zgjedhë forcën politike, alternativën që është më afër tij. Kjo sepse në tetë vitet e qeverisjes, PD-ja ka treguar se i ka shërbyer vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një kantier ndërtimi, në përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve ndaj qytetarit dhe sidomos proceset e integrimit të vendit me liberalizimin e vizave dhe të gjitha faktet që qytetarët nuk i mohojnë, ndryshe nga ç’bën PS-ja dhe kryetari i saj.

-Rama ditët e fundit ka premtuar për legalizime falas. Ju si e vlerësoni?

-Drejtoria e ALUIZNI-t e Sarandës u rendit e para në rang vendi për realizimin e objektivave për ecurinë e procesit të legalizimeve. Dhe ky sukses i dedikohet edhe administratës, me të cilën unë punoj, pasi është një administratë profesioniste, por njëkohësisht edhe qytetarëve të kulturuar dhe të emancipuar të Sarandës, të cilët përballë alternativës së pabazuar dhe bullafiqe të Edi Ramës, kanë zgjedhur alternativën e zbatimit të ligjit, alternativën e punës së kryer dhe siç e shikoni edhe sot sa e sa qytetar presin radhën për të aplikuar duke shpërfillur alternativën boshe të Edi Ramës. Se qytetarët e kuptojnë se nuk ka legalizime falas në kapitalizëm dhe Edi Rama nuk është pronar i territorit të Republikës së Shqipërisë, pasi është e përcaktuar me kushtetutë se si fitohet prona dhe të gjitha këto qytetarët, siç e shihni, i shpërfillin duke i quajtur mashtrime. Rama brenda një muaji ka dhënë tri alternativa të ndryshme. Ai ka deklaruar se unë i qëndroj procesit të urbanizimit që do të thotë të prishen njëherë ndërtimet dhe pastaj të bëhet legalizimi, pastaj ka thënë që do të prishë të gjitha ndërtimet në bregdet dhe në Tiranë shtimin e kateve dhe zmadhime objektesh dhe së fundi, pasi lexoi sondazhin dhe verdiktin e qytetarit nëpërmjet mitingjeve, i trembur nga humbja, tha se do të bëjë legalizimet falas. Një mashtrim i vërtet që nuk ka për tu realizuar. Siç e shikoni, qytetarët vijojnë aplikimet dhe pagesat dhe ne jemi deri në çdo moment duke u shërbyer atyre me përkushtim.

– Çfarë mesazhi do t’i përcillnit elektoratit tuaj?

– Në radhë të parë pjesëmarrje sa më të madhe në votime dhe falënderime për mbështetjen e tyre ndaj meje dhe kulturën e treguar. Të vazhdojnë të mbështesin alternativën e Shqipërisë që po ndryshon nën drejtimin e Kryeministrit më të suksesshëm të këtyre viteve, z.Sali Berisha, sepse rezultatet janë të prekshme dhe të dukshme, pasi qeveritë e tjera nuk kanë lënë asnjë gjurmë në rajonin Sarandë –Delvinë në të gjitha aspektet e zhvillimit infrastrukturor dhe shoqëror, apo qoftë për integrimin evropian.

-Faleminderit!