Veprimtaria kulturore dhe medaljet e arta të gjimnazit “Ali Demi”

2909
Ergys Alushi 

Vijon nga numri i kaluar

Shkolla ndër vite
Vit pas viti numri i nxënësve dhe mësuesve rritej dhe bashkë me to dhe numri i klasave por edhe i kërkesave për cilësi dhe organizim. Në vitin shkollor 1950—1951, u çel dhe seksioni i mbrëmjes me personel, atë të ditës. Për herë të parë në vitin 1950, në shkollën “Ali Demi” erdhën 4 mësues me arsim gjysmë të lartë, që kishin kryer Institutin 2-vjeçar Pedagogjik të Tiranës, i cili pas vitit 1955 u zëvendesua me Institutin Pedagogjik 4 vjeçar. Shkolla “Ali Demi” do t’i jap arsimit në qytet 3 “Mësues i Popullit” të cilët tashmë nuk jetojnë më dhe janë: Xhevdet Kofina, Besim Turdiu dhe Harrrilla Kuçuli. Krahas mësuesve të popullit do të përmendim edhe 8 mësuesit e nderuar me titullin “Mësues i Merituar” : Ibrahim Zejno, Koço Baltadori, Kristaq Suli, Pandeli Pano, Spiro Jovani, Xhelo Brati, Engjell Saliu dhe Enver Hanxhari.

Medaljet e Arta
Medaljen e Artë ndër 22 maturantët e parë të gjimnazit “Ali Demi” e ka marrë Bardhyl Golemi Me Medalje Ari ndër vite janë vlerësuar dhe nxënësit: Jorgji Zaho, Mina Naqo, Agim Nesho, Ledia Shuka, Alban Beltoja, Jorgji Gamberi dhe Mirela Mita.

Në 10 maturat e para të shkollës, numri i nxënësve që morën dëftesën e pjekurisë arriti në 503 dhe tashmë shkolla kishte konsoliduar të ardhmen.

Veprimtari kulturore – artistike
Gjimnazi “Ali Demi”si shkolla e vetme e mesme në qytet, që në vitet e para shërbeu dhe si epiqendra e veprimtarive kulturore-artistike, në kushtet kur mungonin institucionet profesioniste. Nxënësit e gjimnazit më tepër se kushdo përbënin pjesën më të madhe të rradhëve të artistëve dhe sportistëve, duke përfaqësuar denjësisht Vlorën. Ndër nxënësit e parë që dalloheshin në veprimtari të tilla përmenden Qirjako Sava, Stefan Pema, Agron Çuçi, Luan Ferra, Shefqet Xhiku, Aneta Koleka, Leonora Gjika, Manol Shamo, Lejla Muço dhe emra të tjerë të atyre viteve të para. Në shkollën e mesme “Ali Demi” organizoheshin dhe veprimtari të shumta sportive si futboll, basketboll, volejboll e atletikë. Lëvizja fiskulturore-sportive në vitet e para zhvilloheshin nën emrin e klubeve “Spartaku”, “Dinamo” dhe “Puna”, në të cilat ishin përfshirë pjesa më e madhe e nxënësve të shkollës “Ali Demi” Në art janë shquar Nestor Jonuzi “Piktor i Popullit”, Dhimitër Anagnosti regjisor dhe “Artist i Popullit”, Albert Minga regjisor dhe “Artist i Merituar”, Kristaq Mitro regjisor, Josif Gjipali tenor, Ferdinand Hysi dramaturg , Qirjako Sava aktor, Vasillaq Goda aktor, Enerieta Sina shkrimtare, Vasil Qesari gazetar, Ergys Alushi publicist, Erion Kristo publicist, Guri Gjeçi koreograf etj, Gjimnazi “Ali Demi” ka nxjerrë dhe një plejadë të shkëlqyer sportistësh me nivel kombetar dhe ata janë Mexhit Haxhiu, Nako Saraci, Kreshnik Çipi dhe Alfred Zijai në futboll. Andrea Pavli, Gani Mezini, Yllka Çela, Albana Dhima e Mbarime Belaj në gjimnastikë, Skerdilajd Shyti dhe Elida Xhindi në not, Niko Shtrepi e Ilir Kallfa në qitje si dhe Xhulieta Muço, Afërdita Aliaj dhe Kastriot Malaj.

Puna vullnetare
Gjimnazistët e kësaj shkolle janë dalluar dhe në aksionet kombëtare për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta por edhe ndërtimin e veprave të reja. Puna e brigadës “Ali Demi” ka nisur me ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë, asaj Peqin-Elbasan, me hidrocentralin e Selitës dhe rrugën e Dritës, pune e cila është dekoruar deri edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Rritja e shkollës ndër vite
Në fund të dekadës së parë, shkolla “Ali Demi” kishte formuar tashmë personalitetin e saj në qytet, por edhe në rang kombëtar. Vitet 1956-1966 në shkallë vendi karakterizohen nga shndërrime të mëdha ekonomike, ku spikat kolektivizimi i plotë i bujqësisë dhe rritja e prodhimit industrial. Zhvillime të tilla patjetër që do të ndikonin dhe në punën e shkollës. Në programin shkollor të atyre viteve u vendos puna bujqësore, puna praktike dhe lëndë të tjera që do të ndikonin për formimin e të rinjve dhe nga ana praktike. Nevojat e ngutshme për kuadro në arsim bënë që në vitin 1956-1957, pranë gjimnazit të hapej dega e mësuesisë me nxënës nga Vlora, Fieri e Lushnja, shkollë kjo që doli më vete në vitin 1959. Në vitin shkollor 1958-1959, shkolla do të vendosej në një godine të re aty ku është sot shkolla e mesme artistike “Naim Frashëri”. Shkolla kishte 12 klasa me 450 nxënës dhe 18 arsimtarë, ku dëftesën e pjekurisë e morën 56 nxënës dhe dallohen mësuesit e matematikës Xhevdet Kofina e Ibrahim Zejno. Në vitin 1960-1961 gjimnazi “Ali Demi” u shndërrua në shkollë 11 vjeçare duke iu bashkangjitur dhe 7-vjeçarja me ciklin e saj të ulët e të lartë. Një shndërrim i tille tregoi më vonë se nuk dha rezultat dhe se ishte thjesht imitim i sistemit 10-vjeçar i shkollës ruse. Po në këtë vit ndodhi dhe shkëputja e gjimnazit të mbrëmjes nga ai ditës me personel dhe drejtori më vete.

Ish-nxënës e mësues të vlerësuar me tituj
Ish-nxënës e mësues të shkollës kanë merituar ndër vite tituj të nderuar shkencor. Ata janë ; Me titullin “Profesor”, Bardhyl Golemi, Mina Naqo, Mario Kedhi, Vasillaq Kedhi, Anastas Dodi, Niko Pano, Kudret Velça, Paskal Milo, Emil Lafe, Kristaq Kume, Kostandin Dollari, Ethem Likaj, Agim Muço, Vesel Peculi, Spiro Çaushi e Gjergji Sinani. Me titullin “Asisent professor” , Rafo Jakoel, Aurela Pasku, Arta Balili, Fotaq Çurri, Alfred Kume, Ani Velo dhe Irakli Mitro. Me titullin “Doktor i Shkencave” Abedin Elmazi, Zeko Braho, Rezar Çorati dhe Agron Çuçi. Me titullin “Professor i Asociuar” , Harallamb Papakroni. Ka edhe emra të tjerë të nderuar të cilët janë vlerësuar me tituj për kontributin e dhënë në fushën e arsimit. 

Nismat revolucionare dhe vitet e fletërrufeve
Nxënësit e shkollës “Ali Demi” kanë qenë shpesh iniciatorë të lëvizjeve të ndryshme shoqërore që synonin për kohën, nxitjen e të resë dhe ndryshimin e shoqërisë. Një nga këto iniciativa ka qenë dhe nisma për përsosjen e figurës morale të “njeriut të ri”. Ishin ditët e vitet kur në qytet thoshnin “ Hë mo u lumtë alidemasve” Vitet 60-70, kujtohen nga mësues e nxënës të këtyre viteve si vitet e modës së fletërrufeve, të cilat kritikonin dhe gabimin më të vogël në shkollë, duke u vendosur, jo vetëm në ambientet e shkollës, por edhe në vende të dukshme në qytet. Por shkolla “Ali Demi” nuk është dalluar vetëm për numrin e madhë të fletërrufeve. Nisma të shumta janë ndërrmarë nga kjo shkollë në kuadër të mbështetjes për shumë aksione kombëtare. Një ndër nismat e para të shkollës është ajo për mirëmbajtjen e përmendoreve historike dhe lapidarëve të dëshmorëve të Atdheut. Nisma të tjera përmenden për elektrifikimin e vendit dhe për ndihmesën e zhdukjes së pasojave të tërmetit në shtëpitë e dëmtuara në fshatin Gorisht, për të arritur te nisma, e cila shumë shpejt u kthye në lëvizje kombëtare “Të luftojmë për një sjellje të kulturuar brenda dhe jashtë shkollës”. 

Drejtorët e shkollës
Që nga drejtori i saj i parë, Koço Papaproko , gjimnazin “Ali Demi” e kanë drejtuar edhe 18 drejtorë të tjerë, në periudha dhe vite të ndryshme. Ata janë, Harrilla Kuçuli, Ligor Prifti, Dhimitër Panda, Remzi Tivari, Kudret Velça, Nos Qosja, Pëllumb Çeli, Rakip Korkuti, Janaq Syko, Spiro Jovani, Dhimitër Sava, Gëzim Zilja, Spiro Billa, Pëllumb Binaj e deri te drejtori aktual i shkollës, Roland Dervishi. Drejtori më jetgjatë në drejtimin e gjimnazit është Spiro Jovani, i cili ka drejtuar për 25 vjet, që nga viti 1965 deri në vitin 1989. Eneida Vera ka qenë e vetmja drejtoreshë femër e gjimnazit “Ali Demi” në të gjithë historinë e tij, në vitet 2009-2013. Në vitet ’70 janë dalluar mësuesit Ali Bala, Milto Shuka, Fejzie Haxhiu, Barjam Hajrullai, Spiro Çaushi, Serenela Kauri, Pavli Lafe, Veledin Muharremi, Hava Rustemi e të tjerë.

Kur “Ali Demi” përshëndeste krijimin e PD
Vitet 80-90 do mbahen mend si vitet e fillesave të ndryshimeve të mëdha ashtu si jetën shqiptare edhe për shkollën “Ali Demi”. Më 15 dhjetor, drejtori i shkollës Dhimitër Sava pasi këshillohet me një grup mësuesish dhe nxënësish, do të lexonte publikisht përpara shkollës së rreshtuar në oborr, mesazhin e përshëndetjes drejtuar Komisionit Nismëtar te Krijimit të PD,duke kërkuar dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra që pengonin bërjen e Shqipërisë si gjithë Evropa. Nuk kishte ndodhur asgjë më tepër nga ai tipar, i cili kishte karakterizuar këtë gjimnaz,që kishte qenë përherë pararoja e çdo mendimi të përparuar duke i shërbyer progresit, si në rastin e këtyre zhvillimeve demokratike.

Viti i vështirë 1997
Pas viteve 90, shkolla “Ali Demi” pësoi jo pak ndryshime për mirë dhe për keq. Zhvillimet negative në vend ndikuan dhe në punën e shkollës. Interesi për mësimin ra. Shumë djem nxënës ikën jashtë shtetit, kurse shumë vajza u mbyllën në shtëpi të trembura nga kërcënimet për rrëmbime. Ndaj mësuesve u shtuan presionet dhe shkolla merrej nën kërcënimin deri të armëve dhe dhunës fizike. Ngjarjet e vitit 1997 do të shënonin kulmin e ndikimit negativ që patën për shkollën këto zhvillime. Ditet e para të protestave në qytet, mësimi vazhdonte normalisht, por presioni i demostruesve nxorri nga klasat edhe nxënësit e mësuesit e shkollës, duke shënuar dhe mbylljen e shkollës. Por mbyllja nuk zgjati shumë. Në daten 6 maj një grup nxënësish e mësuesish do të vinin në shkollë dhe me shembullin e tyre do të tërhiqnin drejt bangave dhe nxënësit e tjerë, numri i të cilëve erdhi duke u rritur nga dita në ditë. Ai vit shkollor do të mbyllej më 13 qershor, duke shënuar një rast unikal për kohën e shkurtër të simestrit të dytë por edhe të faktit, se në fund nuk mbeti asnjë në klasë. Gjatë vitit 1997 shkolla pësoi dëme të shumta materiale ,që nga thyerja e xhamave, dyerve, bangave e deri tek vjedhje e kompjuterave, bazës materiale e stendave të muzeut të shkollë.

Mësues të spikatur
Shkolla “Ali Demi” ka pasur në përbërje të saj dhjetëra mësues, të cilët kanë luajtur një rol të padiskutueshëm në emrin dhe lavdinë e gjimnazit, i cili ka rëndësinë e madhe për arsimimin e dhjetra brezave që sot janë në të katër anët e vendit si dhe në profesione të ndryshme e të nderuara. Ndër mësuesit e spikatur për nga kontributi përmenden ; Zinaida Boçka, Milo Duni, Eqerem Kushta, Kristaq Suli, Ali Bala, Milto Shuka, Piro Stefa, Mariza Abdulla, Pavli Lafe, Zhaneta Dodi, Katina Mëhilli, Dashuri Ganaj, Shyqyri Zeneli, Afërdita Roshi, Halo Hyseni, Masar Sinoimeri, Sotir Kamberi, Guri Xhuveli, Lefi Kondi, Harallamb Babe, Erazmie Panozaqi, Nestor Nepravishta, Shyqyri Haxhiraj, Ali Belshi,

Vitet 1997-2002
Pas vitit 97 gjimnazi do të niste t’i ngjiste përsëri shkallët e suksesit për t’u rikthyer përsëri në qendër të vemendjes së ndjeshmërisë së opinionit vlonjat, i cili është lidhur me këtë shkollë me shumë breza dhe zhvillime historike e shoqërore. Më 5 dhjetor 1997, të rinjtë e shkollës krijuan “Bashkimi Rinor -Ali Demi”, që me vendim të gjykatës u njoh si person jiridik. Në mbledhjen për krijimin e shoqatës morrën pjesë 61 anëtarë, të cilët zgjodhën një këshill drejtues me 15 anëtar me kryetare, nxënësen Oriana Alushi.

Gjate viteve 1997-2002 u përsos më tej infrastruktura e brendshme e shkollës, u ndërtua kabineti i informatikës, i biologjisë, i historisë, i matematikës, selia e qeverisë së nxënësve dhe selia e këshillit rajonal të prindërve. Vitet e fundit shkolla “Ali Demi” është përfaqësuar denjësisht në veprimtaritë shkencore dhe artistike në rang rrethi. Janë fituar pothuajse të gjitha vendet e para në olimpiadat në qytet, duke përseritur historinë kur gjimnazi renditej në vendet fituese nëpër olimpiada e konkurse në shkallë vendi. Nxënësit e shkollës “Ali Demi” janë dalluar dhe në veprimtaritë ndërkombëtare, ku dallon, Meland Qirko, i cili zuri vendin e tretë në Olimpiadën Botërore të Fizikës që është dhe rasti i parë në Shqipëri. Fitues vendesh nderi në olimpiada e konkurse përmenden;Musa Xhuveli, Enkelejda Shuka, Ani Velo, Leonard Bezati, Parid Hoxha, Alban Beltoja, Adrian Zazo, Klara Bala, Iris Zhupa, Eroina Çaushi, Orges Azizi, Ermal Feleqi, Meland Qirko, Elton Skendaj, Sonil Mone, Erina Alushi dhe Mimoza Marku. Shkolla “Ali Demi” pati nderin t’i japë arsimit të Vlorës dhe shkencëtarin e parë dhe pikërisht studiuesin dhe historianin Zeko Braho, i cili mbrojti në vitin 1984 gradën e parë shkencore, që u pasua më pas nga Spiro Çaushi, Irakli Mitro dhe Rezar Çorati. Në 7 mars të vitit 2003, shkolla e mesme e përgjithshme “Ali Demi”, do të dekorohej me urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Po atë ditë, në ceremoninë e zhvilluar me atë rast, ish-mësuesi i kësaj shkolle, Rezart Çorati, do të nderohej me urdhërin “Naim Frashëri” i argjendtë. Dekorimi nga Presidenti i Pepublikës, e rendiste shkollën e mesme të përgjithsme “Ali Demi”, në një ndër simbolet e arsimit, jo vetëm në shkallë lokale, por edhe në shkallë kombëtare.

Në vigjilje të 70-vjetorit
Pas 70 vjetësh, gjimnazi, ndonëse me një statut zyrtar të barabartë me të tjerët, ka një status social më të lartë, ngaqë dhe kërkesat për t’u rregjistruar në këtë shkollë, janë shumë herë më të larta nga pjesa më madhe edhe me rezultate më të mira e nxënësve që përfundojnë arsimin 9-vjeçar. Për më shumë se 7 dekada, mijëra nxënës, rreth 13 mijë, e mësues, rreth 200, kanë kontribuar për të krijuar emrin dhe traditën e mirë të kësaj shkolle, duke patur përfaqësuesit e saj në drejtimin e shtetit, biznesit, në elitën e shkencës, artit, sportit dhe fushave të tjera.Gjimnazi ka me dhjetra vlerësime, tituj e medalje, të fituata ndër vite nga puna e dalluar dhe rezultatet e mira në mësimdhënie, nxënie e veprimtari të ndryshme shoiqërore, lokale e kombëtare. Është padyshim shkolla më e mirë, jo vetëm e Vlorës dhe Jgut të vendit, por edhe një ndër 10 gjimnazet më të mira në shkallë vendi, nga rezultatet e arritura në provimet e Maturës Shtetërore në vitet e fundit. Gjimnazi i është nënshtruar një rikonstruksioni total dhe i është ndryshuar krejtësisht pamja, duke qenë në vëmendjen e qeverisë shqiptare, edhe për faktin se, është shkollë nën patronazhin e kryeministrit të vendit, Edi Rama, që është dhe deputet i Vlorës, por që ka edhe histori familjare me gjimnazin “Ali Demi”
Sigal