Veprimtari të shumta në nder të 85-vjetorit të shkrimtarit të shquar

484
Sigal

 

 

Gazeta Telegraf/


Pas 59 vitesh, zbulohet
tema e diplomës së Dritëro Agollit

 

Nis java e kremtimit të
ditëlindjes së 85 – të të shkrimtarit Dritëro Agollit, javë në të cilën do të
zhvillohet një mori aktivitetesh në bashkëpunim me AQSHF, Bibliotekën Kombëtare
dhe Teatrin Kombëtar. Në aktivitetin e organizuar dje në mjediset e Bibliotekës
Kombëtare, “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, u zbulua një detaj mjaft
interesant nga punimet e shkrimtarit Agolli. “Skicat dhe tregimet e poetit
revolucionar shqiptar Migjeni”. Kjo ishte tema e diplomës, që i riu Dritëro
Agolli do të mbronte përpara një komisioni specialistësh në Universitetin e
Petersburgut. Punimin e shkrimtarit, e risjell studjuesi, prof. Dr Shaban
Sinani në ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit”, në aktivitetetin e organizuar
dje. Tema është mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin
1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja. Sipas
Sinanit, zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej
përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut”
si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat
sovjetike.

“Ekspozita agolliane”

Ndërsa “Ekspozita
agolliane” sjell për lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të
krijmtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u
zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari. Nga
poezitë e para të vellimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat të
satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëheri
frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u
shtrirë po aq e suksesshme në dy epoka. Ekspozita dëshmon larminë tipike të
krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve
si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948,
vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt”
(1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës”
(1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “Lutjet
e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i
Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erërave të dikurshme”
(1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari
Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top”
(1975), “Arka e djallit” (1997). Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e
tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984),
“Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle
poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj.