Veprime të turpshme ndaj minorenes në Arapaj/ Pas ndalimit të 16-vjeçarit, policia jep detaje të tjera mbi ngjarjen dhe bën apel

558
Sigal

Policia e Shtetit sqaron një ngjarje të rëndë në Arapaj të Durrësit, e ndodhur ditë më parë, ky disa të rinj kanë kryer veprime të turpshme ndaj një vajze të mitur.

Policia sqaron se më datë 4 korrik, nëna e vajzës ka bërë denoncim sipas të cilës një javë më herët vajza e saj është mashtruar nga dy minorenë të lagjes ku banon ajo dhe më pas kanë kryer vepra të turpshme.

“Si rezultat i veprimeve të kryera, më datë 05.07.2019, është bërë ndalimi i një të mituri, i moshës 16 vjeç, ndërsa një i mitur tjetër i dyshuar si autor në këtë ngjarje është nën moshën e përgjegjësisë penale dhe është ndjekur në gjendje të lirë”, sqaron Policia e Shtetit.

Më herët, policia lokale bënte me dije se është ndaluar 16-vjeçari me inicialet A.R, ndërkohë që është proceduar 13 vjeçari me iniciale N.K.

Ndryshe nga policia, organi i Prokurorisë përveç se thotë se është regjistruar një procedim penal, deklaron: “Nuk janë të sakta njoftimet e përhapura në media lidhur me këtë çështje, sipas akteve të administruara nuk ka ndodhur dhe nuk është tentuar të kryhet vepra penale e “Marrëdhënieve seksuale me të mitur””, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Nisur nga keqpërdorimi mediatik i ngjarjes së ndodhur më datë 4 korrik 2019, në Durrës, ku dy të mitur kanë kryer vepra të turpshme më një shtetase të mitur dhe se Policia ka fshehur ngjarjen, sqarojmë opinionin publik se:

Në datë 04.07.2019, pranë Komisariatit të Policisë Durrës është paraqitur dhe ka bërë kallëzim një shtetase, e cila ka shpjeguar se rreth një javë më parë vajza e saj është gënjyer nga dy shtetas po të mitur, banorë të lagjes, të cilët kanë kryer vepra të turpshme.

Për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, Policia e Durrësit menjëherë ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke e marrë në pyetje vajzën në prani të psikologes dhe nënës së saj, si dhe është komunikuar me prokuroren e gatshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Si rezultat i veprimeve të kryera, më datë 05.07.2019, është bërë ndalimi i një të mituri, i moshës 16 vjeç, ndërsa një i mitur tjetër i dyshuar si autor në këtë ngjarje është nën moshën e përgjegjësisë penale dhe është ndjekur në gjendje të lirë.

Në lidhje me këtë ngjarje me impakt në publik dhe me pasoja për shtetasen e mitur dhe familjarët e saj, Policia e Shtetit ka shmangur në maksimum publikimin e këtij rasti, duke e lënë shkurt e pa detaje në Webin zyrtar:

https://www.asp.gov.al/index.php/17-shqip/lajmet-e-fundit/15489-raporti-ditor-i-ngjarjeve-policia-e-shtetit-6-korrik-2019

Në këtë kuadër Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të shmangë sa të jetë e mundur publikimin e të dhënave personale të vajzës së mitur apo detaje rreth ngjarjes.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e përkushtuar në shërbim të qytetarëve dhe në luftë pa kompromis kundër paligjshmërisë.