Veprim jo vetëm i pa pranueshëm, por shumë më tepër…

545
Sigal

Ismet Varfi ( kolonel në pension)

Konkretisht e kam fjalën për zotin Kryeministër, i cili për mendimin tim, por edhe

për shumë qytetarë të thjeshtë dhe patriotë të këtij vendi, me atë çka bëri dhe foli me rastin e ceremonisë së varrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit, jo vetëm provokoi, por edhe përdhosi LANÇ dhe ata që e bënë atë Luftë. Nuk jam historian profesionist për të bërë një analize të hollësishme të figurës dhe aktivitetit të Mid’hat Frashërit, sepse atë e bëri shumë mirë Profesor Paskal Milo, dhe sigurisht nuk mund të mos revoltohem me Partinë Socialiste, të cilën kryetari i saj e bashkoi me Ballin Kombëtar. Kur dihet botërisht që ballistët nuk u bashkuan me forcat që luftuan nazi-fashizmin dhe çliruan vendin, por u bënë palë dhe u vunë në shërbim të pushtuesit duke tradhtuar popullin shqiptar. Me flamurin kombëtar mbështillen vetëm trupat e heronjve dhe dëshmorëve të popullit dhe jo ata që u bashkuan me pushtuesin dhe tradhtuan Luftën çlirimtare. Është e vërtetë që Meh’di Frashëri ka vlera të çmuara si shkencëtar, gjuhëtar e letrar, ndërsa si ballist dhe kryetar i partisë balliste dhe bashkëpunëtor i gjermanëve pushtues, është tradhtar i LANÇ dhe i popullit shqiptar.

Por, si duheshin pritur eshtrat Midhat Frashërit në Shqipëri?

Unë mendoj dhe gjykoj se ceremonia e varrimit të eshtrave të tij, i takonte t’ia bënte partia e Ballit Kombëtar, dhe në asnjë mënyrë kjo ceremoni nga shteti. Atë që bëri kryeministri ynë i nderuar me këtë rast, jo vetëm baltosi LANÇ, por përdhosi dhe 28.000, dëshmorët e Atdheut që ranë për çlirimin e vendit në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre përfshi edhe Ballin Kombëtar, që kishte për kryetar Meh’di Frashërin. Në fjalimin e tij “historik”, kryeministri bëri një thirrje që është turp ta mendosh dhe t’ja drejtosh atij populli që janë familje dëshmori, veteranë dhe pasardhës të veteranëve dhe gjithë atyre njerëzve që LANÇ dhe mbrojtjen e vlerave patriotike e atdhetare, dhe çështjen e mbrojtjes së lirisë dhe pavarësisë e kanë të shenjtë. Dhe gjithë këtyre t’u thuash që ulni kokën për një udhëheqës dhe bashkëpunëtor të pushtuesit të Atdheut, është një turp kombëtar, është një fyerje masive shumë e rëndë. Gjithashtu kam kritika të ashpra edhe për qëndrimin pasiv të veteranëve të LANÇ-it, të cilët ditën që u zhvillua ceremonia duhet të përballeshin atje dhe të mos lejonin përdhosjen e flamurit kombëtar dhe idealin e tyre. Deklaratat e bëra në shtypin e përditshëm nga veteranët i vlerësojmë, por janë të pamjaftueshme. Jam i bindur se udhëheqja e Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it po të bënte thirrje, do të ngriheshin, jo vetëm ne pasardhësit, dhe bijtë e dëshmorëve, por i gjithë populli dhe jam i sigurt që do ta ndalnim këtë veprim skandaloz të qeverisë shqiptare.