Vendoset kriteri i notës mesatare për kandidatët. Si do të aplikohet në ciklin e parë dhe të dytë

1842
Universitetet, caktohen notat mesatare për pranimin e studentëve
Si do të pranohen kandidatët në programet e ciklit të parë dhe ato të integruara të ciklit të dytë. Preken edhe transferimet
Qeveria përcaktoi kriteret e notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2018-2019. “Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare”, thuhet në vendimin e qeverisë. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018-2019, të jetë nota 6. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018-2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi, të jetë nota 7. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat te njësia arsimore përkatëse.

Në javët e ardhshme, Ministria e Arsimit pritet të publikojë edhe datat e aplikimit për hyrjen në universitete, në bazë të sistemit të përdorur gjatë vitit të shkuar. Megjithatë, ecuria e vitit të shkuar dëshmoi shumë probleme e vonesa, duke bërë që qeveria të shtonte në vazhdimësi deri në muajin tetor raundet e pranimit në universitete. 

Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë.
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
(Nota mesatare për pranimin në programet e mësuesisë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve të përcaktuar në shkronjat “a” e “b”).
Sigal