Vendosen 12 rekomandimet për luftën kundër korrupsionit

875
Sigal

Prokurorja e Përgjithshme Rama dhe zv/ministri i Drejtësisë Dobi, zhvilluan takimin e përbashkët për vendosjen e rekomandimeve

 Në prani të Prokurorit të Përgjithshëm, znj. Ina Rama dhe të zv/ministrit të Drejtësisë, z. Ermal Dobi u zhvillua një takim i përbashkët me drejtuesit e Prokurorisë në rrethe dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, u prezantuan 12 rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2012. Më tej, drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive të rretheve, duke vlerësuar rekomandimet si një material të vlefshëm në punën e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, diskutuan dhe çështje të veçanta që kanë të bëjnë me problematika të ndryshme të aktivitetit të përditshëm, me qëllim përmirësimin e tyre dhe rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve. Rekomandimet vazhdojnë si më poshtë:

1.Forcimi i shtetit të së drejtës për të garantuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 7 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.

2.Forcimi i luftës kundër korrupsionit lidhur me ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr.8 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Antikorrupsion.

3. Forcimi i bashkëpunimit të Prokurorisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për procedimin e veprave penale në fushën e doganave dhe ato që lidhen me taksat e tatimet në funksion të unifikimit të praktikave në të gjitha prokuroritë.

4.Forcimi i luftës kundër krimit të organizuar duke rritur bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe koordinimin e agjencive të zbatimit të ligjit në këtë fushë për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 9 të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë kundër Krimit të Organizuar.

5. Përmirësimi i trajtimit të të drejtave të të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje, forcimi i ndjekjes gjyqësore të çështjeve për keqtrajtim, si dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit në këtë drejtim për përmbushjen e detyrimeve të Rekomandimit nr. 12, të Planit të Veprimit për integrimin evropian dhe për përmbushjen e detyrimeve të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.

6.Zbatimi rigoroz i rregullave procedurale mbi afatet e hetimit paraprak, si premisë bazë e një procesi të rregullt ligjor të mbrojtur nga nenet 28, 31 dhe 42 të Kushtetutës, si dhe nga neni 6 i KEDNj-së.

7.Respektimi rigoroz i të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal dhe në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve në çdo fazë të procedimit penal: në hetimet paraprake, në gjykim dhe në ekzekutimin e vendimeve penale si pjesë e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor.

8.Respektimi i detyrimeve ligjore për kryerjen e veprimeve të rregullta e të vijueshme hetimore në ushtrimin e ndjekjes penale.

9.Respektimi i detyrimit kushtetues dhe ligjor për fillimin e ndjekjes penale nga prokuroria, që është organi i vetëm kushtetues me atributin për të ushtruar ndjekjen penale dhe për të ngritur akuzë në procesin penal.

10.Respektimi i detyrimit ligjor për ndjekjen e një politike të drejtë penale dhe në veçanti  e politikës së dënimit.

11.Respektimi i detyrimit ligjor për rregullshmërinë e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale.

12.Ngritja e seksioneve në prokurori për hetimin e krimeve kompjuterike dhe trajnimi vazhdues i prokurorëve në këtë drejtim.