Vendimi, tapitë e pronave mund të merren online nga administrata

771
Qeveria vazhdon të zgjerojë numrin e dokumenteve që mund të tërhiqen online, në kuadër të një plani për lehtësuar marrëdhënien e qytetarëve me administratën publike. “Siç jemi zotuar edhe më parë, vazhdojmë të mbajmë premtimin e dhënë në kuadër të planit ambicioz të bashkëqeverisjes me qytetarët dhe lehtësimin e marrëdhënies së qytetarëve me Administratën Publike, duke ofruar shërbime më eficiente, të shpejta, nëpërmjet platformës elektronike E-Albania”, deklaroi dje zëvendëskryeministrja Senida Mesi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Në mbledhjen e djeshme, pas vendimit të marrë nga qeveria, listës së shërbimeve dhe dokumenteve të reduktuara dhe të ofruara online në portalin e-Albania, i shtohen dhe kopjet e kartelave të pasurisë, kopjet e fragmentit të hartës kadastrale dhe vërtetimet e pronësisë. “Barra e vërtetimit i kalon punonjësve të administratës, të cilët nëpërmjet portalit e-Albania i marrin vetë këto dokumente për nevojat apo procedurat e tyre, duke e çliruar tërësisht qytetarin nga ky proces”, u shpreh Mesi. Ajo u ndal posaçërisht në reduktimin e përdorimit të certifikatave, duke deklaruar se qytetarët janë tërësisht të çliruar nga detyrimi për tërheqjen dhe paraqitjen e certifikatave pranë institucioneve publike. “Ju lind e drejta që të refuzoni çdo kërkesë që mund t’ju vijë nga punonjës të Administratës Publike! Ne jemi maksimalisht të angazhuar, për të vijuar më tej shtimin e listës së shërbimeve të ofruara online dhe përmirësimin e procedurave të tilla, por në të njëjtën kohë kërkojmë dhe mirëkuptimin e qytetarëve për ndonjë problematikë teknike që mund të haset gjatë kësaj faze”, u shpreh zv/kryeministrja. Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm përpara në kuadër të zotimit të qeverisë shqiptare për rindërtimin nga themelet të marrëdhënies së shtetit me qytetarin, gjithmonë në favor të këtij të fundit.
Më parë, qeveria vendosi reduktimin e përdorimit të certifikatave dhe dhënien online të shërbimit të konfirmimin e gjendjes aktive të mjetit, autorizimin për rifitimin e lejes së drejtimit e vërtetimin për lejen e drejtimit, si dhe vërtetimin e pensionit dhe kartës së shëndetit.
Ofrohen online:
• Kopjet e kartelave të pasurisë
• Kopjet e fragmentit të hartës kadastrale
• Vërtetimet e pronësisë
Përfitojnë edhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Masa e përfitimit shtrihet nga 1 shtatori 2017
Sigal