Vendimi surprizë, qeveria ndryshon 13 taksa e tatime

1359
Revolta e biznesit, qeveria ndryshon 13 taksa e tatime
I ndodhur përballë kundërshtisë së sipërmarrjes së vogël, ekzekutivi zbut procedurat dhe shton pagesat online. Lista e detyrimeve tatimore
E ndodhur përballë kundërshtisë gjithnjë e më të madhe të biznesit për sistemin e taksave e tatimeve, qeveria ka vendosur të ndërhyjë. Nëpërmjet një mase të njoftuar nga kryeministri Rama, Ministria e Financave ka vendosur lehtësimin e pagesës së 13 taksave e tatimeve të ndryshme. Tashmë sipërmarrjet do të mund të përdorin sistemin online për të realizuar këto pagesa. “Çdo ditë një hap në rrugën për ‘Shqipërinë që duam’. Vazhdojmë lehtësimin e shërbimeve dhe uljen sistematike të ndërveprimeve direkt me administratën, duke reduktuar vijimësisht mundësitë për korrupsion, radhët e kota dhe humbjet e kohës”, u shpreh kryeministri Rama, duke njoftuar edhe masën më të fundit të qeverisë së tij. “Sapo u publikuan në portalin e-Albania 13 shërbime të reja elektronike me pagesë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëpërmjet këtyre shërbimeve, bizneset mund të paguajnë direkt nga vendi i punës, shtëpia apo celulari, një sërë detyrimesh tatimore. Puna vazhdon, përditë dhe rezultatet do të ndjehen hap pas hapi në të gjitha shërbimet e administratës për qytetarin dhe biznesin”, nënvizoi shefi i qeverisë, duke bërë të ditur edhe listën e detyrimeve tatimore që do të mund të paguhen online. Ndërhyrja e qeverisë për të lehtësuar pagesën e taksave e tatimeve vjen në një kohë kur biznesi i vogël po kundërshton përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Prej 1 prillit kjo masë ka hyrë në fuqi dhe të gjithë bizneset e vegjël që realizojnë një xhiro mbi 2 milionë lekë në vit do të derdhin në organet tatimore edhe TVSH-në në masën 20 %. Në disa protesta, biznesi i vogël ka ndërprerë përkohësisht punën, duke kërkuar mospërfshirjen në skemën e TVSH-së. Sipërmarrësit e vegjël deklarojnë se ndodhen pranë falimentimit, nëse do të detyrohen të paguajnë këtë tatim. 

Do të paguhen online
1 – Tatimi mbi të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël
2 – Tatimi i Lojërave të Fatit
3 – Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi
4 – Tatimi i Mbajtur në Burim
5 – Tatim mbi Vlerën e Shtuar
6 – Tatimi i Thjeshtuar mbi Fitimin
7 – Tatim Fitimi
8 – Tatim mbi të Ardhurat Personale
9 – Taksat Kombëtare
10 – Tarifat Kombëtare
11 – Renta minerare
12 – Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
13 – Detyrime globale/Penalitetet
Llogaritë, si bie fitimi i biznesit të vogël
“Deklaratat publike të zyrtareve tatimore në këto ditë të debatit të nxehtë për çështjen e TVSH-se tek biznesi i vogël, kanë vënë theksin se futja në skemën e TVSH-së të bizneseve të vogla nuk do ketë asnjë ndikim tek ata apo tek çmimi final për konsumatorin”, pohon Armand Mala, kontabilist. Edhe terminologjia e përdorur (do iu rimbursohet TVSH-ja) ka shkaktuar jo pak konfuzion tek ky grup i biznesit. Mala shton se bëhet fjalë për një tatim si TVSH, të thuash që nuk do paguhet asnjë qindarkë taksë më shumë, përveçse, nuk ke thënë një të vërtetë, ke zhbërë totalisht nocionin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi lind pyetja: Ku shkoi Vlera e Shtuar, mos vallë këta tregtarë po shesin pa fitim?! “Nëse me rimbursim i referohen kreditimit të TVSH-së nga faturat e blerjeve, kjo është më se e qartë nga vetë fjala TVSH. Por a mjafton ky kreditim për të thënë që nuk do paguhet asnjë taksë? Absolutisht që jo!”. Në rrjedhën e këtij debati, kontabilisti Mala jep një shembull konkret. Është shembulli i një servisi që operon në Tiranë. Për vitin 2017, ky subjekt ka realizuar shitje (shërbimin e servisit të ofruar) në vlerën 3,600,000 lekë. Gjatë vitit 2017 nuk ishte i regjistruar në skemën e TVSH-se, sipas legjislacionit ne fuqi, dhe pasqyra e Të ardhurave dhe shpenzimeve të tij, ka këtë paraqitje:


Pra, ky subjekt ka realizuar një qarkullim prej 3,600,000 lekësh dhe një fitim vjetor neto 969,000. Ky fitim i përkthyer në një pagë mujore është 80,750 lekë/muaj (969,000/12). Nëse ky subjekt, nuk do ndryshonte asgjë për sa u përket shitjeve dhe strukturës së kostove edhe në vitin 2018, normalisht nuk do rrisë as çmimet pasi politikë-bërësit thonë që çmimet për konsumatorin final nuk do të ndryshojnë, atëherë, shpjegon Mala, pasqyra e tij do kishte paraqitjen si me poshtë:

Në rastin se i njëjti subjekt do ishte në skemën e TVSH-së, edhe pse ka realizuar të njëjtën xhiro prej 3,600,000 lekësh dhe ka ruajtur të njëjtat shpenzime, fitimi vjetor ra nga 969,000 lekë në 451,000 lekë, që, nëse sërish do e përkthejmë në një pagë mujore është vetëm 37,583 lekë/muaj. Në realitet, fitimi do jetë akoma më i ulët, pasi mbajta e kontabilitetit do e rëndoje me kosto ekstra këtë subjekt. Për informacion, diferenca 969,000-451,000, shkoi për të paguar TVSH-në (6000,000-46667-35333)=518,000. “Trumbetimi se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së bëhet vetëm për të formalizuar me tej biznesin e madh dhe jo, se do rëndohet biznesi i vogël, është i pavërtetë.”, thotë Mala. “Nëse vërtet synimi do ishte formalizimi i biznesit të madh, kjo bëhej thjesht vetëm duke detyruar biznesin e vogël të deklarojë gjithë blerjet në sistemin tatimor për të lejuar sistemin të bëjë kryqëzimin e faturave, por pa i ndryshuar përgjegjësitë tatimore”, shprehet ai.
Pse ka rënë besimi në ekonomi, flasin ekspertët
Ekspertët e ekonomisë përkthejnë shifrat e Bankës së Shqipërisë për rënien e besimit në ekonomi. Pse qytetarët janë pesimistë? Pse disa sektorë të ekonomisë kanë ecuri pozitive e disa të tjerë karakterizohen nga tendenca e kundërt? Sa kanë ndikuar nismat e qeverisë dhe a po ndikon situata e acaruar politike në vend? Ekonomisti Dritan Shano dhe eksperti Kosta Barjaba japin këto shpjegime.

Dritan Shano, ekonomist


“Raporti i BSH konfirmon se besimi konsumator ka rënë, për të dytin 3-mujor radhazi, pavarësisht optimizmit aritmetik të Qeverisë. Shqiptarët nuk patën besim të konsumojnë për festat e fundvitit 2017 dhe kanë vazhduar të mos kenë besim të konsumojnë edhe në tremujorin e parë të vitit 2018. Pavarësisht, pretendimeve të qeverisë për rritjen ekonomike, konsumatorët shqiptarë nuk kanë ndonjë pritshmëri se situata ekonomike do të përmirësohet, përkundrazi kanë një ndjesi negative. Kjo ndjesi negative përforcohet dhe nga situata e acaruar politike, por sidomos nga mungesa e “peshkut të madh” dhe zvarritjes së reformës në drejtësi. Edhe rënia e besimit tek ndërtimi për të dytin tremujor radhazi, mendoj se reflekton këtë vazhdim të uljes së besimit konsumator, pasi edhe pse lejet e ndërtimit janë shtuar dhe publiku i gjerë po njihet dora- dorës me projekte kullash të larta, sidomos ato në qendër të Tiranës, konsumatori dukshëm ndjen se përfitimi nga kjo është në pak duar dhe jo tek komuniteti. BSH vëren se ka edhe rënie të kursimeve. Kjo ka dy arsye kryesore: uljen e pagës reale, për shkak të stanjacionit real të ekonomisë dhe rritjen e taksave e tarifave, çka do të thotë se harxhohen më shumë para për t’i paguar ato sesa për konsum, duke zvogëluar kështu hapësirën për kursim. Së fundmi, përveçse konsumatorëve shqiptarë në 6 muajt e fundit pas rikonfirmimit të Qeverisë u është lëkundur besimi konsumator, mendoj se ata nuk harxhojnë jo se nuk duan, por se nuk munden”.

Kosta Barjaba, ekspert për çështjet sociale dhe ekonominë


“Sektori i shërbimeve është sektori me informalitetin më të lartë, përfundim në të cilin arrihet nga krahasimi i kontributit asimetrik të shërbimeve në PBB dhe në punësim. Kujtojmë se kontributit të shërbimeve në punësim është rreth gjysma e kontributit në PBB. Për këtë arsye, mendoj se rritja e besueshmërisë së qytetarëve ndaj sektorit të shërbimeve është një tendencë pozitive për zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo rritje po vjen paralel, unë do të nënvizoja, edhe si rezultat, i reduktimit të ekonomisë informale dhe të punës informale në shërbime. Të njëjtën logjikë mendoj se ndjek edhe rritja e besueshmërisë në sektorin e tregtisë. Ndërkohë, tendenca rënëse e dinamikës së besimit konsumator kompensohet nga pritshmëritë dhe vlerësimet për situatën financiare të familjeve shqiptare, të cilat nuk kanë ndryshuar. Kjo tregon se gjendja ekonomike e familjeve, në rastin me të keq është ndikuar shumë pak, ndërsa në rastin më të mirë nuk është ndikuar, nga tendencat në dinamikën e konsumit, të cilat pasqyrohen në rënin e e treguesit të besimit konsumator”.
Sigal