Vendimi sekret i Ministrit të Shëndetësisë

592
Sigal

Është bërë realitet në Memaliaj, ajo fjala e urtë popullore “Të jep diçka, të merr diçka tjetër”. Pasi u dha “Pedonalen” tip “oborr burgu”, qeveria “Rilindja” u ka marrë banorëve të qytetit Memaliaj një shërbim jetik, pa të cilin nuk lihen as stallat e bagëtive: shërbimin mjekësor. Me një vendim sekret që është dekonspiruar prej këshilltarëve të bashkisë, mësohet se banorët e Memaliajt nuk do të kenë më shërbim spitalor as 24 orësh, për shkak se një vendim qeverie, u ka mbyllur spitalin përfundimisht, duke i lënë pa këtë shërbim. Sipas informacionit, të konfirmuar tashmë edhe nga bashkia e qytetit, thuhet se spitali do të mbyllet.

Administrata e bashkisë

Në ndërtesën e spitalit, do të vendoset administrata e bashkisë së re të qytetit, për të shtuar zyrat e tyre. Faktikisht, spitali i Memaliajt, në këto 3 vite të “shëndetësisë falas” e të “rilindur” është lënë krejt në mëshirë të fatit. Në këtë spital, sipas projektit “modern” të ideuar e futur në veprim prej ministrit Ilir Beqaj, janë eliminuar të gjithë shërbimet spitalore, aq sa edhe ndërtesa e spitalit është lënë si një “karabina” e stërmadhe me 3-4 infermierë e mjekë, të cilët edhe pse profesionistë, detyrohen të bëjnë punën e infermierëve “pritës” dhe të mjekut “roje” të llojit të ambulancave të fshatit, duke pritur, duke mbajtur me gajret e duke përcjellë me ndonjë gjilpërë “çasti” pacientët drejt spitalit të Tepelenës e Gjirokastrës. Tashmë, mësohet se kjo qendër shëndetësore e kthyer në “kukull”, nuk do të jetë më aty as si “kukull”, por do të transferohet në mjediset e bashkisë së qytetit e cila edhe pse është lyer e stërlyer me tenderë në miliona lekë fonde publike, duhet thënë se është një gërmadhë gjithë lagështirë, tipik hangar ish-kooperative, pa asnjë standard as minimal për ta quajtur institucion shëndetësor.

Batakçinjtë e Shëndetësisë

Dhe për të gjetur zyra për bashkinë, batakçinjtë e ministrisë së Shëndetësisë iu vërsulën spitalit, duke bërë viktimë për zyra luksi për ata që kanë qelbur e kanë shkatërruar qytetin. Këtë vendim e ka firmosur ministri Ilir Beqaj, duke propozuar si “zgjidhje” që shërbimi mjekësor i qytetarëve të ngujohet në zyrat gërmadha të bashkisë, ku do të ketë vetëm pritje dhe përcjellje pacientësh, natyrisht jo me autoambulancë, mbasi Memaliaj nuk ka autoambulancë, por me makina të rastit, me makina të miqve e shokëve kur ata… përgjigjen pozitivisht. Me këtë vendim absurd, 7000 banorë të qytetit Memaliaj që po shpërblehen me “Pedonale”, por do të torturohen me “vrapin” që do të bëjnë drejt spitalit të Tepelenës e Gjirokastrës. Kujtojmë, që spitali Memaliaj nuk ka as shërbim stomatologjik, as shërbim radiologjik, as shërbim gjinekologjik, as pediatri, as kirurgji, as maternitet, as urgjencë dhe as dhoma shtrimi, por vetëm krevat bosh, ku pacientët që paraqiten priten, “përkëdhelen kokës” nga mjekët dhe përcillen dhjetëra kilometër larg për shërbime! Pa harruar, që për ilaçe nuk bëhet fjalë, veçse kur ato blihen prej qytetarëve në farmacitë e qytetit, ose në Tepelenë e rrethe të tjera.

Plejada e mjekëve të shquar

Theksojmë, që në këtë spital shërbejnë mjekë profesionistë e infermiere të përkushtuara, por që kanë vetëm përparëset e bardha, stetoskopin dhe krevatin ku shtrihen e mbahen pak minuta, ose pak orë të sëmurët që paraqiten për shërbim. Ky spital ka qenë ndër spitalet më të kompletuar në Qarkun e Gjirokastrës, me të gjithë pajisjet dhe shërbimet spitalore. Madje dhe më poliambulancë moderne të shërbimit mjekësor ndaj minatorëve, por që u shpërbë dhe u kthye në një ndërtesë me dhoma bosh. Kujtojmë gjithashtu, që jo vetëm Memaliaj, por edhe Tepelena nuk ka mjekë specialistë, madje as Gjirokastra, ndaj dhe njerëzit “marshojnë” drejt Fierit e Tiranës për vizita dhe trajtime mjekësore të ndryshme, të specializuara. Tashmë, me urdhër dhe skenar të ministrit Beqja, spitali i famshëm i Memaliajt i viteve të shërbimit të mjekëve Sefer Shehu, Asnije Hoxha, Behar Nurellari, Stoli Selmani etj…, me një ndërtesë moderne e me hapësira të bollshme, po katandiset në një ambulancë fshati në ndërtesën hangar të bashkisë, mbasi u vendos që të kthehet në zyra bashkie…