VENDIMI/ Piramida kalon në pronësi të Bashkisë

550
Sigal

Qeveria
ka vendosur sot që Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ose ndryshe Piramidën
t’ia heqë nga pronësia Ministrisë së Kulturës dhe t’ia kalojë Bashkisë së
Tiranës.

Vendimi është publikuar në faqen
zyrtare të Kryeministrisë, ku sqarohet “Piramida” do të përdoret si një qendër
shumëfunksionale, për organizim eventesh, ekspozitash dhe aktivitetesh të
ngjashme. Në këtë mënyrë, do të bëhet rijetëzimi i sajë.

Në këtë mënyrë zhfuqizohet vendimi
i qeverisë në vitin 1991 për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.

Këshilli i Ministrave ngarkon
ministrim e Brendshëm, ministren e Kulturës, ministren i Zhvillimit Ekonomik,
Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe
kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për
ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

VENDIM

PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E KULTURËS (QENDRA NDËRKOMBËTARE E
KULTURËS “ARBNORI”) TE BASHKIA TIRANË, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 1/53, TË
NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8160, ME SIPËRFAQE TRUALLI DHE NDËRTESE 4 294 M²,
DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.286, DATË 8.8.1991, TË KËSHILLIT TË
MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E QENDRËS NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS”

Në mbështetje të nenit 100 të
Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat
e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8,
17 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të
paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar,
me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës dhe
të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli
i Ministrave

VENDOSI:

1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Kulturës (Qendra Ndërkombëtare e
Kulturës “Arbnori”) te Bashkia Tiranë, të pronës me numër pasurie 1/53, të
ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4 294
(katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m2, sipas planimetrisë
bashkëlidhur, për t’u përdorur si qendër shumëfunksionale për organizimin e
eventeve sociale, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.

2. Pika 2, e vendimit nr.286, datë
8.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të
Kulturës”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen ministri i Punëve të
Brendshme, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,
Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i
Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e
këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.