Vendimi për vijimësi: Bujar Leskaj rikthehet në krye të KLSH

108

Bujar Leskaj rikthehet në krye të KLSH

Bujar Leskaj është rikthyer sërish në detyrën që e mbajti për 7 vite, si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Leskaj do të vazhdojë të qëndrojë në krye të KLSH-së deri në zëvendësimin e tij, teksa zyrtarisht mandati i tij ka përfunduar në fund të muajit dhjetor të vitit 2018. Në fillimin e vitit 2019, në datën 9 janar  Leskaj i delegoi kompetencat, Lindita Latit, e cila tashmë është tërhequr nga ushtrimi i kompetencave të kryetarit, sipas saj, për arsye personale. Tërheqja e Latit ka bërë që të rikthehet në krye katër muaj më pas, Bujar Leskaj. Ai u rikthye duke firmosur vendimin për mënjanimin e nënkryetares dhe duke e argumentuar këtë lëvizje për të garantuar vijueshmërinë e punës.

Vendimi i plotë

“Pas kërkesës për tërheqje nga kompetencat e deleguara të zv. Kryetares, znj. Lindita Milo për arsye personale, dt. 21.05.2019, nr. 347, dhe garantimit te vijueshmërisë normale të punës;

Në kushtet e zgjatjes në kohë të nominimit dhe përzgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH-së, sipas përcaktimeve të Ligjit 154/2014.

VENDOSA:

Shfuqizimin e kompetencave të deleguara me vendimin e Kryetarit nr. 244, datë 12.12.2018 zv/Kryetarit të KLSH-së znj. Lindita Lati (Milo). Ky vendim do t’i përcillet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të opozitës. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e kreut të KLSH.

Më herët, mazhoranca ka refuzuar propozimin e Presidentit Meta për kryetar të ri të KLSH-së, Bahri Shaqirin.