Vendimi i qeverisë që përligj abuzimet e OSHEE-së me qytetarët shqiptarë

68
Sigal

Mungojnë matësit e energjisë elektrike. Mijëra qytetarë te Dega e Shitjes së OSHEE-së

Mungojnë matësit e energjisë elektrike. Qindra qytetarë të Tiranës paraqiten çdo ditë në degën e shitjes së OSHEE-së, që ndodhet pranë Ministrisë së Arsimit, me kërkesën e pajisjes me matës të energjisë elektrike, por përballen me frazën “Nuk kemi matës, do të vijnë shumë shpejt”. OSHEE nuk e vë ujin në zjarr me gjithë kërkesën e vazhdueshme të qindra-mijëra qytetarëve për t’u pajisur me matës energjie, në mënyrë që të paguajnë, aq sa harxhojnë. Kryesisht këta qytetarë i përkasin zonave informale, por shumë prej tyre janë nga ata që kërkojnë të kryejnë lidhje të reja, të cilëve, edhe pse u mungon matësi i energjisë janë të regjistruar në sistem dhe paguajnë aq sa e shohin të arsyeshme faturistët e OSHEE-së. Çdo muaj qytetarët përballen me fatura të papërballueshme nga ana e tyre, ndaj çdo ditë ata paraqiten pranë degës së shitjes me shpresën se do të blejnë aparatin matës që do tregojë konsumin real të kilovatëve. Por e gjithë kjo katrahurë (e rënduar më shumë edhe nga vendimet e pazbardhura të ALUIZNI-t për legalizimet në zonat informale) përligjet me vendimin e qeverisë të verës së këtij viti, ku përcaktohet se të gjithë ata që nuk kanë matës të energjisë elektrike paguajnë faturë aforfe.

Vendimi

Konsumatorët e energjisë në zonat informale dhe ata që s’kanë matës faturohen përmes sistemit aforfe nga ana e “CEZ shpërndarje”, sot OSHEE, ndërkohë që nuk do të kryhet asnjë lidhje e re në rrjet nga ana e kësaj kompanie në rast se të interesuarit nuk zotërojnë dokumentin e pronësisë së objektit. Këto masa janë përcaktuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave “Mbi problemet e Furnizimit të Energjisë Elektrike në zonat informale dhe për klientët që nuk plotësojnë kushtet teknike”, i miratuar dhe i publikuar edhe në Fletoren Zyrtare. “Çdo konsumator që përdor energji elektrike duhet të faturohet sipas regjistrimeve të aparateve matëse, siç është përcaktuar në nenin 51 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 ‘Për sektorin e energjisë elektrike’, të ndryshuar. Konsumatorët e tjerë të cilët përdorin energji elektrike të papajisur me matës, duhet të faturohen në përputhje me nenin 52 të këtij ligji dhe vendimit të ERE-s nr. 146, datë 24.12.2013, ‘Mbi kërkesën e ‘CEZ Shpërndarje’ sh.a. në administrim të përkohshëm për vendosjen e faturimit aforfe’”, përcakton vendimi i qeverisë. Gjithashtu në vendimin e qeverisë flitet edhe për lidhjet e reja ku përcaktohet që të mos i kryhet lidhja në rrjet asnjë objekti të cilit i mungon certifikata e pronësisë. “Për lidhjen e konsumatorëve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, në pamundësi të një dokumentacioni pronësie, të pezullohet për një afat të pacaktuar zbatimi i pikës 3.1.6 të ‘Rregullores për lidhjet e reja në rrjetin e shpërndarjes’, miratuar me vendimin e Bordit të Komisionerëve nr. 22, datë 25.2.2012″, thuhet në vendimin e propozuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

Tarifat aforfe

Sipas vendimit të ERE-s, faturimi aforfe për një familje në Tiranë, brenda qytetit, do të llogaritet për 600 kw/orë në dimër dhe vlera e faturës shkon në 6360 lekë pa TVSh, ndërsa në fshat, 400 kw dhe vlera e faturës shkon në 3660 lekë pa TVSh. Për të njëjtën zonë, por për stinën e verës, një familjeje pa matës ose me matës të dëmtuar do t’i faturohen 400 kw/orë në qytet, ku vlera e faturës shkon në 3660 lekë pa TVSh, dhe 300 kw/orë në fshat, ku vlera e faturës shkon në 2310 lekë pa TVSh.

Tiranë/qytet 600 kw/orë në dimër 6360

Tiranë/qytet 400 kw/orë në verë 3660

Tiranë/fshat 400 kw/orë në dimër 3660

Tiranë/fshat 300 kw/orë në verë 2310

OSSHE kërkon rritjen e çmimit të energjisë, 12 lekë kilovati për familjarët

 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHE) dorëzoi dje kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve familjarë me 5 lek,ë duke filluar nga 1 janari 2015. Pra, nga 7 lekë për kilovatorë që është aktualisht tarifa shpërndarjes, operatori kërkon që të rritet në 12 lekë për kilovat/orë. Kjo tarifë e kërkuar nga OSHEE do të jetë përfundimtare pasi të ketë vendosur ERE, por niveli i kërkuar është më i lartë se, mesatarja ndërmjet fashës mbrojtëse 300 kilovatorë dhe sipër kësaj fashe.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka pohuar se, çmimi i energjisë për vitin që vjen do të jetë një mesatarizim i çmimit 7.7 lekë për konsumin nën 300 kv/orë energji në muaj dhe atij 13.5 lekë për konsumin mbi 300 kv/orë, çka prodhon të njëjtin nivel çmimi për të gjithë, 10.6 lekë për kv/orë energji (pa TVSH), duke nisur nga 1 janari 2015.

OSHEE në vazhdën e kompanisë çeke

Ky propozim ishte një kërkesë që pati bërë kompania CEZ për periudhën rregullatore 2012-2014. CEZ Shpërndarje në vitin 2012, kur dhe aplikoi ndryshimin e tarifave në Entin Rregullator të Energjisë, kërkoi heqjen e tarifës për bllokun e parë dhe ulje të lehtë të tarifës së bllokut të dytë. Sipas shpjegimeve të atëhershme të kompanisë CEZ, në këtë mënyrë do të kishte një shpërndarje të thjeshtë të rritjes së të ardhurave të kërkuara në mënyrë të barabartë për çdo grup të konsumatorëve, duke propozuar tarifën 10.6 lekë për të gjithë.

Aplikimi për rritje çmimi nga KESH dhe OST

Më parë për rritje të çmimit kanë aplikuar edhe dy operatorët e tjerë të mëdhenj të tregut, OST dhe KESH. Kërkesa e KESH e depozituar më parë ishte që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/kwh, në 3.4 lekë/kwh, për energjinë e shitur ndaj CEZ. Enti Rregullator ka gjasa që këtë vit të marrë vendime për rritjen e çmimeve më afër kërkesave të kompanisë për shkak se, tregu tashmë është një zinxhir detyrimesh që shkon 1 miliardë dollarë dhe nuk mund të shuhet pa u përcjellë në tarifa.

ERE ka bërë të ditur se 76 % e familjeve shqiptare konsumonin më pak se 300 kë në muaj në vitin 2013.

Vendimi i ERE-s

Mësohet se ERE do nxjerrë vendimin më datë 25 dhjetor dhe burime tregojnë se këto kërkesa duken se do të jenë të vështira të miratohen, pasi kostot janë të larta. Zinxhiri i lidhjeve mes institucioneve të energjisë fillon me KESH që e prodhon energjinë dhe e transmeton në OST, kjo e fundit ndërkaq ia transmeton OSHEE, i cili e bën të vlefshëm për konsumatorët. Kërkesat e tyre janë të larta në çmimin që kërkojnë dhe duket se ERE do të shikojë me urgjencë ristrukturimin e tarifave mes operatorëve të mësipërm, për të parashikuar realizimin e shpenzimeve operative dhe investimeve të planifikuara për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe për të shmangur humbjet në rrjet.